Tensionet në veri të Kosovës, Lajçak dhe Escobar takohen sot me Presidentin Vuçiç

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar do të takohen këtë të mërkurë me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç lidhur me situatën në veri të Kosovës. Vizita e Lajçak dhe Escobar në Beograd, vjen pas takimit të zhvilluar me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Në takimin me këtë të fundit, u vu theksi te nevoja urgjente për zgjidhje politike për rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë dhe gjetjen e dialogut Kosovë-Serbi.
Tensionet në veri të Kosovës u shkaktuan nga arrestimi i një serbi, për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Kjo bëri që serbët të bllokonin rrugët kryesore në veri duke vendosur barrikada dhe sulmuan me bomba policinë e Kosovës dhe një patrullë të EULEX. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të hiqen barrikadat dhe palët të vetëpërmbahen nga deklarata e akte provokative dhe t’i rikthehen dialogut.
/rtsh.al/