Cila është perspektiva e Maqedonisë?
Maqedonia duhet të angazhohet me po të njëjtin intensitet si në gjetjen e mënyrave për të tejkaluar dallimet rreth çështjes së emrit me Greqinë, po ashtu edhe në realizimin e reformave në institucionet e vendit.
Kështu ka sugjeruar ambasadori i Polonisë në Shkup, Karol Bahura.
“Ne kemi një shprehje në Poloni, nëse dyert janë të mbyllura ju gjeni mundësi për të hyrë përmes dritareve. Kur e them këtë kam parasysh atë se disa çështje që përshpejtojnë procesin e integrimit, përfshirë këtu reformat, nuk duhet të mbahen peng si pasojë e mos zgjidhjes së kontestit të emrit. Ka reforma të caktuara të cilat duhet të realizohen në funksion të demokratizimit të vendit, pavarësisht se Maqedonia dëshiron ose jo të jetë pjesë e BE-së”, tha Bahura.
“Maqedonia është pjesë e kontingjentit evropian, andaj vlerësoj se reformat në gjyqësor, administratën publike, duhet të vazhdojnë. Gjithashtu kujdes duhet t’i kushtohet dhe lirisë së medieve dhe dialogut politik”, shtoi ai.
Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se, nëse Maqedonia arrin që të zgjidhë kontestin e emrit në një afat të shkurtër, komuniteti ndërkombëtar edhe mund të “mbyll sytë” për një pjesë të caktuar të mos përmbushjes së obligimeve gjatë procesit integrues.
“Për arsye politike, faktori ndërkombëtar është i gatshëm të shohë përmes gishtërinjve për një pjesë të caktuar të reformave të cilat dukshëm kanë ngecur”, theksoi analistja Sonja Stojadinovic.