Lajme shkurt nga aktualiteti
Durrës: Përplaset motori, një i vdekur
Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci i një aksidenti tragjik në Rrethin e Durrësit. Dy persona, që udhëtonin me motor në afërsi të fshatit Gjuricaj, janë përplasur me një lopë që kishte dalë në mes të rrugës. Nga përplasja humbi menjëherë jetën Bardhyl Bregu, 24 vjeç, dhe u plagos Ndriçim Muzhaqi, 30 vjeç. Ky i fundit, sipas të dhënave policore, është dërguar me shpejtësi në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet në gjendje të rëndë.
Shkodër: Vetëvritet 29-vjeçari, hidhet nga kati i katërt
Një 29-vjeçar është vetëvrarë dje pasdite në qytetin e Shkodrës. Viktima është Erjon Pepa, 29 vjeç. Sipas Policisë së Shkodrës, e cila ka shkuar në vendngjarje, Pepa është hedhur nga kati i katërt i pallatit ku jetonte. Ende nuk dihen shkaqet e vetëvrasjes, ndërsa hetuesit kanë filluar të marrin në pyetje familjarët e viktimës. Sipas të dhënave, 29-vjeçari vuante nga depresioni.
Fier: Konflikti në bilardo, stekë kokës kundërshtarit
Grinden me njëri-tjetrin teksa luanin bilardo, e rrahin rëndë kundërshtarin me steka, duke i rrezikuar jetën. Ngjarja ka ndodhur dje në mbrëmje, rreth orës 17:30 në një bilardo në lagjen 8 Shkurti të Fierit. Policia tha se është bërë identifikimi i dy autorëve të plagosjes dhe se po punohet për kapjen e tyre. Për shkak të goditjeve me stekat e bilardos në trup e në kokë, ka mbetur i plagosur rëndë 25-vjeçari M.Arapi, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spital, në gjendje kritike për jetën. Mësohet se të rinjtë kanë qenë duke luajtur me njëri-tjetrin, kur janë konfliktuar për motive të dobëta. Më pas, ata janë ofenduar dhe kanë shkëmbyer fjalë të rënda e më pas janë qëlluar. Dy shokët Fatjon Bregasi dhe Dorian Saliaj kanë goditur në kokë M. Arapin. e.h
Lajme shkurt nga aktualiteti burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip