E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lajme të mira për integrimin e Shqipërisë, zgjedhjet e 8 majit, u finalizuan sipas ligjit”

17-07-2011 / Gazeta 55

Presidenca polake e Bashkimit Evropian


Zyrtarë të lartë të Presidencës polake të Bashkimit Evropian shprehen se zgjedhjet në Shqipëri u finalizuan sipas procedurave legale ligjore, duke mos rënë kështu “pre” e lojërave politike që mund t’i nxirrnin ato jashtë standardeve ndërkombëtare.


Beata Peksa, Përfaqësuese e Polonisë në Komitetin për Politikë e Siguri të Bashkimit Evropian, deklaron se Brukseli është optimist për të ardhmen Evropiane të vendit tonë, ndërsa s’vonon t’i kujtojë opozitës rolit të saj në Parlament, në miratimin e reformave dhe rekomandimeve të Bashkimit Evropian. “Shpresoj të kemi një diskutim miqësor dhe të hapur përpara se Komisioni Evropian të japë opinionin për statusin e vendit kandidat në muajin tetor”, tha zyrtarja polake Peksa.


Sipas saj, opozita e Partisë Socialiste s’ka dhënë konsensusin parlamentar ndaj atyre “detyrave” që kërkon Komisioni Evropian, si parakushte për marrjen e statusit të vendit kandidat në nëntor të këtij viti. Por, deklaroi ajo, Shqipëria duhet të marrë statusin e vendit kandidat në BE. “Kemi lajme të mira për integrimin e Shqipërisë në Evropë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Ndonëse jo aq të mira për procesin zgjedhor. Por, unë nuk dua të shprehem për këtë. Ka patur opinione pozitive dhe të mira për procesin e integrimit në disa seminare në Shqipëri. Prioritet i presidencës tonë është një Europë e hapur dhe ne shpresojmë të vazhdojmë procesin e zgjerimit. Në presidencën tonë ne duam të sjellin energji dhe optimizëm. Unë jam optimiste. Zgjedhjet ishin një proces kompleks, është mirë që u zgjidh sipas procedurave legale dhe jo sipas lojërave politike, por për fat të mirë, çdo gjë është futur në rrjedhën normale tani. Kjo është gjëja më pozitive që ne kemi konstatuar”, u shpreh në Bruksel Përfaqësuesja e Polonisë në Komitetin për Politikë e Siguri të Bashkimit Evropian, Beata Peksa.


Ndërkaq, Jan Tombinski, përfaqësues i përhershëm i Polonisë në Bashkimin Evropian, deklaron se kur bëhet fjalë për integrimi, e gjithë klasa politike duhet të përcaktojë si objektiv primarë, realizimin e reformave.


Sipas tij, BE pret zgjidhje nga Tirana. “Zgjidhja është në Shqipëri, në Tiranë. Duhet të ketë një koherencë në politikën shqiptare. Duhet të ketë një mirëkuptim që tani nuk është dhe po e cenon politikën shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve. Duhet konsoliduar politika në Shqipëri. Duhen reformat për të ndërtuar shtetin, për ta bërë pjesëtarë të Bashkimit Evropian dhe ky është një objektiv i të gjithë klasës politike. Nëse klasa politike është e polarizuar nuk mund të avancohet drejt një qëllimi të përbashkët. Politika ndryshon, bëhen reforma por gjithmonë duhet të kemi parasysh qëllimin e përbashkët”, tha Tombinski, duke kujtuar se edhe Polonia i është nënshtruar disa proceseve zgjedhore, por kurrë s’ka vënë në dyshim ecurinë e integrimit të vendit. “Në Poloni kemi bërë 5 vjet zgjedhje, kemi ndryshuar 10 qeveri, por pa ndryshuar asnjëherë destinacionin politik të Polonisë. Do të jetë një rast për të analizuar gjendjen në vend që të shohim edhe angazhimin politik në ‘domaine’ të ndryshme, si p.sh sistemi juridik, sistemi administrativ, sistemi ekonomik dhe financiar. Janë shqiptarët që duhet ta zgjidhin vendin vetë”, u shpreh zyrtari polak.


Ai garantoi se BE do ofrojë mbështetje për reformat por më parë Tirana duhet të zgjidhë vetë problemet e brendshme. “Bashkimi Evropian mund të jetë një mbështetje për reformat dhe një destinacion për të ardhmen, por më parë duhet të zgjidhen problemet midis vetë shqiptarëve”, tha më tej përfaqësues i përhershëm i Polonisë në Bashkimin Evropian, Jan Tombinski.       

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›