Bojkoti i opozitës, një paketë ligjesh të bllokuara

Opozita ka bllokuar në Parlament të gjitha përmirësimet e nevojshme ligjore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në rrugën e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Bojkoti i opozitës ka bërë që të mos kalojnë për miratim të gjitha ato projektligje që kërkojnë 84 vota dhe që kanë pasur në thelb ndryshime në Kodet e Procedurës Civile dhe asaj Penale, ngritjen e Gjykatës Administrative si dhe disa ndryshime në Kodin Penal. Zëvendës ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, sqaron se ndryshimet do të rrisin performancën e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. “Ndryshimet e kodit penal luajnë një rol shumë të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar. Disa prej këtyre iniciativave kanë qenë rekomandime të shprehura të organizmave ndërkombëtarë, të Këshillit të Europës, në kuadrin e përmirësimit të këtyre standardeve të cilat kanë një impakt në monitorimin e procesit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Kjo është një nga kriteret e matshme në kuadrin e procesit të integrimit europian”, tha Kasmi. Ministria e Drejtësisë aktualisht ka në proces diskutimi përmirësimin dhe ndryshime në Ligjin për Avokatinë. “Është ngritur një grup pune i përbashkët, jo vetëm me ministrinë e Drejtësisë, por dhe me Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe me asistencën e projekteve nga organizatat dhe donatorët ndërkombëtare të cilët kanë asistuar këtë profesion”, tha Kasmi. Një pjesë e ligjeve të bllokuara kanë të bëjnë gjithashtu edhe me rritjen e masave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
...