“Mirëfunksionimi i institucioneve, aspekti thelbësor i kriterit politik”

Të martën në Bruksel/ Draft-konkluzionet e përbashkëta të takimit të tretë BE-Shqipëri
Javën e ardhshme mblidhet në Brukseli Këshilli i Tretë i Stabilizim-Asociimit, BE-Shqipëri, për të diskutuar rreth situatës politike në vend dhe kursit të reformave të Shqipërisë. Delegacioni shqiptar dhe ai evropian do të kenë si objekt të diskutimeve kryesisht ecurinë e reformave dhe angazhimeve të Qeverisë të ndërmarra në kuadër të MSA-së. Bregu ritheksoi rëndësinë që ka roli dhe angazhimi i opozitës në diskutimet dhe nismat për procesin e integrimit evropian. Mbledhja e tretë e Këshillit të Stabilizim- Asociimit, i paraprin përgatitjes së Progres Raportit të BE-së për Shqipërinë, që pritet të publikohet në muajin tetor. Ndërkaq, në konkluzionet paraprake të Brukselit, theksohet se BE nënvizon se, mirëfunksionimi i institucioneve demokratike është aspekt thelbësor i kriterit politik. Nga ana tjetër, delegacioni shqiptar do të raportojë së pari për kriterin politik që ka të bëjë me dialogun mes palëve dhe funksionimin e institucioneve, por natyrisht në axhendë janë edhe zgjedhjet e 8 majit. Ky takim është i fundit, para përgatitjes së progres raportit të Komisionit Europian që publikohet në tetor, ku do të jepet vlerësimi për Shqipërinë e cila ka aplikuar për statusin e vendit kandidat që në prill të 2009.
Politika
Bashkimi Europian nënvizon se mirëfunksionimi i institucioneve demokratike është aspekt thelbësor i kriterit politik dhe si pasojë, themelor ne procesin e anëtarësimit. BE thekson rendësin e rivendosjes së duhur dhe të plotë të veprimtarisë parlamentare të bazuar në dialog të qëndrueshëm e konstruktiv politik në mes të gjitha partive politike. Ky është një prioritet kyç i Opinionit. Qorrsokaku politik po mban peng reformat e rëndësishme të kërkuara nga vendi për të ecur përpara drejt BE-së. Për më shumë, funksionimi i plotë i parlamentit është jetik për besueshmërinë e pjekurisë demokratike të Shqipërisë.
Ngërçi politik
Bashkimi Evropian shpreh keqardhjen për vazhdimin e ngërçit të gjatë politik dhe klimës konfrontuese politike që buruan nga mosmarrëveshja mbi rezultatin e zgjedhjeve të qershorit 2009, të cilës mosmarrëveshje, i hodhën benzinë ngjarjet e vajtueshme të 21 Janarit dhe tek e cila, zgjedhjet lokale të 8 Majit ndikuan edhe më shumë. BE përsërit thirrjen se është e gatshme të kontribuojë në të gjitha përpjekjet për të zgjidhur ngërçin politik. Por nënvizon se është fillimisht përgjegjësia e liderëve politikë të të gjitha anëve të vendosin interesat dhe të ardhmen e vendit mbi agjendat personale e partive politike dhe të gjejnë një zgjidhje për daljen nga qorrsokaku. Liderët politikë duhet të ndërmarrin hapat e domosdoshëm dhe të veprojnë për këtë qellim.
Zgjedhjet
BE përsërit thirrjen se reforma zgjedhore dhe mbajtja e zgjedhjeve janë prioritetet kyçe të Opinionit. BE vëren se pavarësisht disa parregullsive, votimi gjatë zgjedhjeve të 8 Majit ishte përgjithësisht i qetë dhe se fillimisht numërimi ishte i ngadaltë por, megjithëse u shoqërua me disa tensione, përgjithësisht ishte brenda normave. BE shpreh keqardhjen për keqësimin e situatës dhe rritjen e tensioneve qe pasuan kur rezultatet paraprake nuk u shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pas vendimit të tij për të numëruar vota të gabuara, i cili u konfirmua nga Kolegji Zgjedhor. BE pret që procesi në vazhdim i ankesave të jetë i ndershëm, transparent, të kryhet në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ekzistues ligjor. BE thekson nevojën për t’ju drejtuar të gjitha rekomandimeve të bëra nga OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve të Qershorit 2009 dhe rekomandimet paraprake që bëri në kuadër të zgjedhjeve lokale të Majit 2011 (po ashtu dhe rekomandimet përfundimtare sapo të publikohen) për të përmirësuar praktikat e së kaluarës dhe të garantojë përputhshmëri me standardet e BE-së dhe ato Ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.
Në përgjithësi, BE-ja përshëndet vazhdimin e miratimit të ligjeve, por thekson nevojën e aprovimit të ligjeve me shumicë të cilësuar.
Administrata
Persë i takon Reformës në Administratën Publike, BE nënvizon se krijimi i një shërbimi civil të pavarur, profesional, bazuar mbi merita dhe i lirë nga ndërhyrjet politike është prioritet kyç i Opinionit. BE shpreh shqetësim për progresin e kufizuar të deritanishëm në drejtim të këtij prioriteti. Rritja e monitorimit, efikasiteti dhe zbatimi në kohë i masave të parashikuara për këtë fushe duhen zbatuar në terren dhe rregullisht të raportohet nga autoritetet shqiptare. Ekziston nevoja për të garantuar përforcimin e plotë të ligjit për Shërbimin Civil dhe zbatimin e strategjisë për reformën e administratës publike, përfshirë këtu dhe rishikimin e kuadrit ekzistues ligjor, forcimin e autoritetit dhe të kapaciteteve administrative të Departamentit të Administratës Publike dhe të përmirësohet transparenca për rekrutimet në shërbimin civil. Një ligj i ri për shërbimin civil është ende në fazën fillestare.
Gjyqësori
BE nënvizon se sundimi i ligjit dhe pavarësia, paanshmëria, transparenca, efiçenca dhe përgjegjshmëria e gjyqësorit janë elemente qendrore në vlerësimin e kriterit politik për anëtarësimin në BE. Autoriteti gjyqësor duhet të jetë i aftë të punojë në mënyrë të pavarur, pa asnjë ndërhyrje të papërshtatshme apo pengesë. BE nënvizon se në këtë drejtim do të vazhdojë të monitorojë nga afër ndjekjen e ngjarjeve të 21 Janarit. Është thelbësore që këto ngjarje të hetohen plotësisht nga autoriteti i duhur i Drejtësisë së Shtetit dhe që hetimi të ndiqet nga akuza si dhe dënimi i përshtatshëm i të gjithë fajtorëve të gjetur.
Ekonomia
BE shënon progresin e bërë për të mundësuar që ekonomia shqiptare të përballojë presionin konkurrues, përfshirë dhe rritjen e konkurrencës në sektorin e telekomunikacionit, por më shumë përpjekje nevojiten, midis të tjerash, ndaj zbatimit të axhendës së privatizimit dhe përmirësimit të infrastrukturës së transportit dhe energjisë si dhe në forcimin e mëtejshëm të kapitalit njerëzor.