Lajmi/Ilir Meta mbledh 5 ministrat e tij
Meta: LSI do lërë gjurmë në integrimin dhe modernizimin e vendit
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka thërritur dje në një takim 5 ministrat e LSI-së në kabinetin e ri. Takimi është zhvilluar në selinë e LSI-së dhe kanë marrë pjesë Nasip Naço i cili u përzgjodh si ministër i drejtësisë, Edmond Haxhinasto si ministër i Transporteve, Klajda Gjosha, ministre e Integrimit Europian, Edmond Panariti, ministër i Bujqësisë dhe Lefter Koka, ministër i Mjedisit. Në një prononcim të shkurtër për mediat, Edmond Panariti e cilësoi takimin si konstruktiv duke theksuar se e ka njohur kreun e LSI-së me programin e tij si ministër i bujqësisë. Mësohet se tema kryesore e takimit mes kreut të LSI dhe ministrave të zgjedhur, të kenë qenë objektivat e qeverisë së re. Pasi ka pritur në zyrën e tij 5 Ministrat e kabinetit të ri qeveritar, kreu i LSI Ilir Meta ka deklaruar se qeveria e re dhe veçanërisht LSI, do të lërë gjurmë në efikasitetin dhe në arritjen e objektivave integruese të vendit. Meta tha se kabineti prej 19 Ministrash është një ekip i përbashkët me PS dhe nuk janë ekipe të ndara. Po ashtu Meta tha se LSI nuk është në kabinetin Rama i përfaqësuar në dikasteret që drejtoi gjatë koalicionit me PD, pasi sipas tij është parë e arsyeshme që të bëhet transparenca e kërkuar nga PS gjatë kohës që ishte opozitë.
Z. Meta, patët një takim me tre prej ministrave të ardhshëm, që përfaqësojnë LSI-në në qeverisjen e ardhshme. Mund të na jepni më tepër detaje në këtë drejtim?
Në radhë të parë shpreh kënaqësinë që ritakohemi pas një pauze që vjen edhe për shkak të stinës. Së dyti nuk mund t’i rezistoja kërkesës tuaj për të bërë një komunikim por njëkohësisht më pëlqen kjo mundësi për të shprehur, në radhë të parë, mbështetjen time më të plotë për qeverinë e re dhe për angazhimet e saj për të përmbushur ato objektiva të rëndësishme ta afirmuar nga “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Besoj se kjo qeveri, që ka sfida shumë të mëdha por që vjen edhe me ambicie shumë të mëdha, do të jetë edhe një qeveri e cila do të lërë gjurmë të rëndësishme në modernizimin e vendit, në përmirësimin e qeverisjes në vend në mënyrë substanciale, në efikasitetin e realizimit të të gjitha objektivave dhe natyrisht në objektivat tona kryesore për sa i takon integrimit evropian të Shqipërisë. Dua të vlerësoj, në mënyrë të veçantë, përfaqësimin si asnjëherë tjetër më parë të grave dhe të vajzave të Shqipërisë. Besoj se ky përfaqësim do të vazhdojë në të gjitha nivelet e qeverisjes. Është një mesazh kuptimplotë i një politike të re, i një politike të emancipuar, i një politike evropiane dhe i një politike më humane se sa deri më tani, i një politike integruese. Dita e sotme ishte një ditë pune dhe natyrisht që jemi takuar me përfaqësues dhe me drejtues të ndryshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, disa prej të cilëve janë tashmë edhe pjesë e kabinetit të ardhshëm qeveritar por edhe të tjerë që nuk janë. Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon angazhimet e saj edhe pse është një periudhë e cila ka natyrisht edhe detyrimin për të bërë disa pushime por të gjitha janë në punë kudo ku janë. Edhe atje ku pushojnë po përgatiten për punët që i presin.
Po përsa i përket programit qeverisës çfarë mund të na thoni?
Programi do të bëhet publik në kohën e duhur, në radhë të parë nga Kryeministri i ardhshëm por edhe nga vetë kabineti i ardhshëm qeveritar.
Z. Meta, ju arritët merrnit pesë ministri dhe ajo që u vu re në këtë përfaqësim tuajin në qeveri ishte fakti që u morën ministri në të cilat ju nuk ishit të përfaqësuar gjatë kohës që ishit në qeveri më PD-në dhe e dyta kishte një alternim të ministrave të bashkëqeverisjes me demokratët, por që do të jenë edhe në qeverinë e re. Doja t’iu pyesja se çfarë do të sjellë LSI-ja ndryshe në këto pesë ministri dhe sa mendoni se do t’ia arrijë këtë gjë?
Qeveria është konceptuar dhe ne e mbështesim si një të tërë pa bërë ndarje sipas përfaqësimit të politik të ministrave të caktuar ndërkohë që kemi edhe përfaqësues nga shoqëria civile. Lidhur me faktin që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk asnjë ministër në dikasteret ku ajo është përfaqësuar gjatë katër viteve të kaluara, kjo ka qenë një zgjedhje e drejtë dhe racionale edhe në funksion të transparencës së ardhshme. Sepse gjatë katër viteve të kaluara Partia Socialiste ka qenë në opozitë dhe ju e dini që ka qenë më e ashpër me ministritë që drejtonte LSI sesa me ato që drejtonte Partia Demokratike. Kështu që ka qenë edhe një zgjedhje e imja si kryetar i LSI që të krijojë mundësi për transparencë të plotë edhe në ato institucione dhe natyrisht mendoj se kjo është pozitive. Është edhe etike. Për sa i takon ministrave, mendoj se ata janë emrat nga më përfaqësuesit me kontributet e tyre, por ne e shohim qeverinë si një ekip të tërë dhe ajo që i duhet më shumë kësaj qeverie është fryma e ekipit dhe një koordinim sa më efikas sepse axhenda e qeverisë është një axhendë e përbashkët dhe çështjet më kryesore të cilat kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, me luftën kundër krimit, me luftën kundër korrupsionit, apo me axhendën mjaft ambicioze për punësimin dhe reforma të tjera nuk i takojnë në mënyrë ekskluzive një dikasteri të vetëm. Përkundrazi. Kështu që ne e shohim qeverinë si një të tërë dhe e mbështesim si të tillë.