Edi Rama nuk po gjen karar...
Sa në Tiranë e sa në Paris, sa në çadër e sa në bulevard, Edi Rama s’po ndihet rehat dhe po kërkon me çdo kusht fajtorët. S’dihet a do zbulohet ndonjë grup armiqësor, por improvizimet e vazhdueshme dhe pengmarrja e 203 vetave, tregojnë se edhe për ndonjë ditë tjetër, ka pak shpresa që Edi Rama të gjejë karar
Kryetari i PS-së, një politikan pa spontanitet dhe në mungesë të plotë të një strategjie, të paktën që prej 10 ditësh, nuk po gjen karar. Saktësisht kjo gjendje e tij, në kushtet e mungesës së kararit, e ka zanafillën me fillimin e grevës së pretenduar të urisë.
Ndërsa në 30 prill kishte lajmëruar dhe organizuar një protestë, ende pa shijuar frytet e shifrës së hiperbolizuar të pjesëmarrësve në këtë tubim, në mënyrën më spontane, vendosi futjen në grevë urie të ndoca deputetëve dhe militantëve të PS-së. Aq i befasishëm ishte ky vendim, sa edhe Ilir Beqjen e zuri të papërgatitur, aq sa, ai të vetmen mundësi për të lajmëruar bashkëshorten e vet, për hyrjen në grevë urie, kishte dhe konsumoi SMS-në.
Ndërsa greva e urisë nisi bashkë me “origjinalitetin” e rotacionit, Edi Rama, nuk po di ç’të bëjë, kur gjetja e tij e pretenduar në emër të “kauzës së hapjes së kutive”, po demonstrohet për çdo ditë, se ofron veç monotoni.
Aq e vërtetë është kjo, sa që Edi Rama vetë, për t’i shpëtuar për një ditë të vetme kësaj monotonie, zgjodhi të largohet drejt Parisit, në kërkim të kararit...
Dhe me gjithë amplifikimin se në Paris Edi Rama do të mund të gjente kararin, u kthye prej andej bosh...(thonë burime nga çadrat e mirëinformuara të Bulevardit).
Prej kthimit nga Parisi, Edi Rama është duke u menduar se si të dalë nga kjo gjendje, ku “i ka hyrë detit me këmbë”.
Ai do shumë ta bëjë këtë gjë, por nuk di se si...