E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia e Kosova bashkë në samitin e Sarajevës

BRUKSEL- Ministri i jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos deklaron se Serbia dhe Kosova do të marrin pjesë në samitin BE- Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Sarajevë më 2 qershor.

"Mund t'u konfirmoj se konferenca në Sarajevë është përgatitur mirë, dhe se është arritur marrëveshje për ‘formulën Gymnich’ që do të zbatohet”, ka thënë Moratinos, citon agjencia serbe e lajmeve Beta.

Formula Gymnich nënkupton se në tryezën e përbashkët zyrtarët do të ulen si persona dhe jo si përfaqësues të shtetit përkatës.

Moratinos i cili kryeson Këshillin e ministrave të BE-së, pas takimit të shefave të diplomacive evropiane konfirmoi se në bazë të kësaj është arritur marrëveshja me të gjitha palët. Moratinos ka thënë se BE dëshiron që në këtë konferencë të marrin pjesë jo vetëm 27 vendet e BE-së, por edhe SHBA-të, Federata Ruse dhe Turqia, ashtu që së bashku të sigurohet stabilitet dhe të forcohet e ardhmja e të gjitha vendeve të Ballkanit.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›