E Diel, 1 Nëntor 2026

NJE ÇIÇIKOV I DITEVE TONA…

Shtator 2001
Një certifikatë më detyroi të shtyj derën
e zyrës, ku punon kryetari i minibashkisë
Nr. 5 në Tiranë. Ndërsa zura vend, në pritje
që kryetari të përfundonte telefonatën,
m‘u "faneps" në mendje një bisedë nga e
kaluara. Vjeshtë e parë 2000. Kishte nisur
fushata për fronë e kryetarit të Bashkisë së
Tiranës. Në anën tonë kishim zgjedhur si
kandidat Besnik Mustafanë, mikun tim të
vjetër, miqësi që ishte "betonuar" që në
vitet kur punonim së bashku në gazetën
"Zëri i Popullit". Unë me nishane, d.m.th.
shef i sektorit ekonomik. Ai pa nishane,
d.m.th. gazetar i thjeshtë. Një natë më mori
në telefon Agim Rama, aktivist partie. Pranon,
-më tha, - ta vësh emrin në listën e
kandidatëve për në Këshillin Bashkiak?
Pranoj, - i thashë, edhe pse të them të
drejtën, u "thartova", sepse mendoja se
këtë ftesë duhet të ma bënte i zoti i punës,
d.m.th. Besniku.
KUR BIEN "AKSIONET"
POLITIKE…
Disa ditë më vonë takova Njazi Kosovrasin.
"Urime, - më tha, -po bëke karrierë
duke u zgjedhur në Këshillin Bashkiak të
Lagjes Nr. 5!" U përtypa pa dhënë përgjigje
dhe mora rrugën për në selinë blu. Njaziu
kishte të drejtë. Unë më kot pretendoja për
në "qendër"! Thashë një herë ta fshij emrin
nga lista. Argumenti: Një vit më parë
ishte bërë Kuvendi i PD-së. Unë dola i 13-ti
në listën e Këshillit Kombëtar. Ditën që u
shpall ajo listë, në gazetën "RD", në faqen
e parë ishte shkruar me germa kapitale dhe
me foto: Tre intelektualë të shquar, që u
futën në Këshillin Kombëtar: Bardhyl Londo,
Mitro Çela dhe Avni Shehu. Pas një viti,
me sa duket "aksionet" e mia politike në PD
kishin rënë kaq shumë, saqë kisha përfunduar
i 10-ti në listën e këshilltarëve të një
njësie bashkiake!
Në fakt, nuk kërkova ta fshij emrin nga
lista. Argumenti: Në zgjedhjet elektorale të
26 majit 1996, unë isha i 43-ti në listën për
deputet. Në një "pus" të tillë do të ishte
paradoks të mendoje se do të dilja në sipërfaqe,
d.m.th. të bëhesha Baba Kombi. Në
fakt, u "pagëzova" deputet. Jo për meritë të
PD-së, që ma kishte vënë emrin në listë sa
për të kaluar radhën. Merita i takon PS-së,
që falë bojkotit, lista për deputetë blu u
zgjat e u bë tërkuzë!… Në zgjedhjet elektorale
më 24 qershor 2001, Kryesia e PD-së
gjykoi se "aksionet" e mia politike kishin
rënë në zero dhe emri im mbeti prapa
listës…(hollë-hollë ky ishte një veprim i
drejtë. Unë vetë e kisha pranuar
metaforën ‘politikan i dështuar‘. Pse të
mos e kishte këtë të drejtë, për të më rishpallur
të dështuar edhe vetë Kryesia e PDsë
me kryetarin tonë të nderuar. Berisha?).
M‘U FANEPS GOGOLI
Kur i "ndolla" të gjitha kujtimet, kryetari
uli telefonin. Duke qenë mes reales
dhe ireales - nuk di pse nisa këtë bisedë:
Unë: Për kuriozitet, kam fituar në
këshillin bashkiak?
Ai: Në fakt, nuk ke fituar. Ti je në listë
i 10-ti. PD-ja ka fituar 9 vende. Por mund
të futesh, sepse një këshilltar i PD-së, zoti
Dilaver Dilaveri ka vdekur…
Unë: Edhe pse më tingëlloi si puna e
një shpirti të vdekur të Çiçikovit, nga
kryevepra e Gogolit, duke zënë vendin e
një të vdekuri, po të pyes: Mund të futem
në këshill?
Ai: Kjo nuk varet nga unë. Eshtë e drejta
juaj!… Je dakord? Atëherë nuk më mbetet
gjë tjetër, veçse ta shtroj kërkesën tuaj
në komisionin e mandateve. Eshtë ky një
formalizëm që duhet bërë… Do takohemi
në mbledhjen e radhës, brenda muajit…
"PALLE" MES
ELEKTORATIT POPULL
20 shtator 2000
Dy javë më vonë zura vend në
mbledhjen e këshillit bashkiak. Në vend
të lexoja materialet, duke e ndier veten si
Çiçikov, nisa të ndjell kujtime elektorale…
Ne ishim dy të deleguar nga qendra
në zgjedhjet për pushtetin lokal, më
1 tetor 2000 në Përmet. I parë ishte
Bardhyl Londo. I takonte se është, si të
thuash, anëtar i Byrosë Politike. Unë pas
tij: Jam vetëm anëtar i Komitetit Qendror.
I zumë komunat me radhë. Në Ballaban
sa ishte bërë rakia. E morëm me vete. Ishte
ballëkazani dhe nuk shtyhej, lanetja,
pa meze! E pimë në Grykë të Këlcyrës.
Ngritëm dolli pa fund. Dollia niste me
Berishën dhe vazhdonte me Jozefina Topallin,
aq e pëlqyer si politikane për
përmetarët.
Për Komunën e Petranit, "bisedën" e
bëmë përsëri te Bujtina e Coles! "Ngjiti"
më shumë propaganda, sepse me politikën
u nakatos edhe tava përmetare me
lepur të egër (po të isha lepur i egër do ta
urreja zananë e gjuetarit, mirëpo kur
"lëpihem" pas thelave, mendoj më
shumë për lepurin sesa për gjuetarin.
Shyqyr që gazetat tona nuk shiten në
Paris. Ndryshe, Brixhid Bardo, që ka një
OJQ për kafshët, do më urrente!). Për
Çarçovën biseduam në Pëllumbaj, një
fshat në këmbë të malit dhe buzë
Vjosës…
"PYKE" NË POLITIKE
22 shtator 2000
Në Komunën e Sukës kryetari ishte
demokrat. Ekonomist i zoti. Kishte gjetur
investime për komunën, më shumë se
Bashkia e Përmetit, që kishte për kryetar
një socialist (në atë mot, vatani qeverisej
nga PS-ja. Kryeministër Ilir Meta).
Takimin e bëmë në shkollë. Në oborr, më
thotë kandidati: "Këtu nuk jemi në Tiranë.
Votimi bëhet me fise. Ndikim te
njerëzit ka ai burri me thinja të bardha…
Ǒe do! Eshtë socialist… Edhe ky djali me
baluke, i shkurtër nga shtati dhe rrumbullak
nga surrati, nuk është pa gjë. Por
edhe ky dele pa qumësht, për mua! Eshtë
komunist 24 karat… Ika unë, të rregulloj
klasën…".
Komunist të "gjallë" kisha vite pa
takuar. Nuk më kishte mbetur gozhdë,
sepse mallin ma nxirrte Maks Hasani, deputeti
komunist nga Berati, me diskutimet
e tij në Parlament. Iu afrova. I zgjata
dorën, ia shtrëngova fort, si proletarët,
duke nisur një bisedë, që kur u sos, kuptova
që kishte nota surrealiste:
Unë: Më thanë që je komunist. Në
cilën parti, prej katër partive, militon…
Ai: Jam me Hysni Milloshin…
Unë: Qenke me gusto! Ke zgjedhur më
të mirën! Hysniun e kam mik të vjetër.
Vjershën për këngën: "Kasollia e Galigatit"
e ka bërë kur ishim së bashku me
shërbim në Gramsh (fantazia ime për t‘i
marrë votat e fisit). Kemi ndenjur tre vjet
bashkë në Berat (e vërtetë. Unë bëja
stazhin për të marrë teserën e Partisë së
Punës. Hysniu, oficer për edukim në Sinjë
të Beratit). Në atë kohë i kam bërë një
nder. I rregullova gruan në punë… Mund
t‘i kërkoj reston për ty…
Ai: Dua të futem në Byronë Politike!
Këtë e ka në dorë vetëm Hysniu… Më
bën dot?
Unë: Fjala ime "ngjit" nderi tek anëtari
i Komitetit Qendror… Thashë këtë
frazë dhe i ngula sytë komunistit. Doja të
zbuloja kush e kishte më të thellë ironinë…
Mbledhja u bë në një nga klasat e shkollës.
Si zakonisht, nisi me prezantimin
e të deleguarve. U ngrit nga banka socialisti
me thinja: "Çfarë e ke Polikron
Çelën?", pyeti ai… E kam vëlla, thashë
unë… Jo more! Po ai është rob zoti! Më ka
shpëtuar vajzën nga thonjtë e vdekjes!
Djalë si ai nuk bën më nëna!
-Këtu gabon, - i thashë, - nëna e Polikronit
ka bërë 13 fëmijë. Unë jam i treti nga
fundi. Duke qenë se shtatzënia është forma
më e lartë e teknologjisë, del se unë
duhet të jem më i mirë. Malli vjen duke u
përmirësuar nga ana cilësore, sepse
përvetësohet më mirë teknika e çiftëzimit
dhe teknologjia e prodhimit…
Nisi debati. Plasi kritika. Diskutoi
Bardhyl Londo shtruar. Fola edhe unë:
"Kryetar më të mirë se kandidati i PD-së
vështirë të gjeni! Ja këtu kemi edhe një
komunist. Nuk them që ai të votojë për
PD-në! Do të ishte votë harram! Le ta
ndajë votën dysh: T‘ia japë partisë së tij
dhe kandidatit tonë… E dëgjuat që tha
dakord!… Po të shtojmë edhe votën e
mikut të vëllait tim, fitorja e ekonomistit
tonë është e sigurt…
2 tetor 2000
U lidha me komunën. Kandidati i PDsë
kishte humbur… Ndjeva një shije të
hidhur dhe nuk di pse m‘u kujtua një
parullë kokëposhtë e shokut Enver: Komunistët
dorëzohen dhe nuk vdesin!
(Origjinali: Komunistët vdesin dhe nuk
dorëzohen!).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›