Lala: “Bariç, më i mirë se Hani”
Të gjithë kundër Ari Hanit. Jo vetëm kritikët e përhershëm të holandezit, ish-trajnerë të përfaqësueses apo ish-futbollistë të saj. Tani edhe lojtarët aktualë, ata veteranët, janë kundër tij edhe pse në deklarimet e tyre këtë e thonë indirekt e fshihen përmes statistikave e rezultateve. Kapiteni i Shqipërisë, Altin Lala, mesfushori me 71 ndeshje ndërkombëtare, e tha hapur e qartë.
FAJI I TRAJNERIT
33-vjeçari Altin Lala nuk mundi të jepte kontributin e tij, gjithmonë të rëndësishëm, në takimin kundër Danimarkës për shkak të një dëmtimi të pësuar gjatë seancës së fundit stërvitore para ndeshjes (Lala mungoi edhe në barazimin kundër Maltës), por nuk nguroi të thoshte se ndaj formacionit danez, njëherësh edhe skuadrës që na ka shkaktuar humbjen më të thellë (3-0), Kombëtarja jonë duhet të jepte më shumë.
Ndërkohë, që pasuesi i Igli Tares, përsa i përket shiritit të kapitenit, mbron haptasi lojtarët duke thënë se dhanë maksimumin (në fakt, nuk duhen mohuar kurrsesi gafat e portierit Isli Hidi e mosmarrëveshja fatale midis Currit e Agollit), Lala shigjetoi thuajse haptazi trajnerin Ari Han.
“Ekipi dha maksimumin. Nuk dua t’i vë faj asnjë lojtari”, - tha Lala, gjatë një interviste televizive për TV Klan, - “të gjithë janë munduar të luajnë mirë. Të gjithë kemi përgjegjësi, por dhe trajneri ka pjesën e tij. Në fund të fundit, trajneri bën skuadrën dhe ai ka përgjegjësinë e vet aty”.
BARIÇ, MË I MIRË
Altin Lala është njëri nga lojtarët më jetëgjatë me përfaqësuesen, duke qenë futbollisti i dytë me më shumë ndeshje ndërkombëtare, 71 të tilla, vetëm dy ndeshje më pak se rekordmeni Foto Strakosha.
Mesfushori i Hanoverit ka punuar me të katër trajnerët e huaj të Shqipërisë, duke nisur nga “jetëshkurtri” Dosena, “rekordmeni” Brigel, “takticieni” Bariç e së fundi me “anarkistin” Ari Han. Në fakt, në fushë është ai trajneri i Kombëtares, pasi me përvojën e madhe që ka u jep siguri lojtarëve e lojës së përfaqësueses.
“Nëse do të isha unë trajneri? Nuk jam i tillë, por do të doja të ishim shumë më të guximshëm përpara. Ndeshja në Danimarkë ishte shumë e dobët.
"Ne humbëm (3-0), por nuk arritëm të godisnim asnjëherë portën. Nuk mund të shkojmë në Danimarkë për t’u mbrojtur 90 minuta, pavarësisht se Danimarka është ekip i mirë, skuadër e fortë. Megjithatë, në ndeshje duhet të mundohesh të godasësh dhe portën”.
I pyetur nga TV Klan për një vlerësim ndërmjet dy trajnerëve të fundit të Shqipërisë, “plakushit” Oto Bariç e “tulipanit” Ari Han, “peshorja” e vlerësimit anon më shumë pozitivisht nga kroati, pasi Oto, sipas Lalës, ishte më i suksesshëm.
“Kush ka më shumë sukses, ai është dhe më i miri. Unë nuk dëshiroj të ngre paralele se kush është më i mirë e kush më i keq, por është suksesi që e tregon gjithmonë këtë jo vetëm në futboll, por në çdo fushë të jetës. Suksesi është një fakt i pazëvendësueshëm”.
Gjithsesi, kritikat pas dy humbjeve janë fokusuar mbi trajnerin Han e zgjedhjet e tij në dy ndeshjet e fundit, pavarësisht se holandezi nuk pranon të jetë i gjithë faji i tij, por kërkon ta ndajë atë dhe me lojtarët.
71 NDESHJE
Altin Lala numëron 71 ndeshje me Kombëtaren shqiptare, duke qenë lojtari më me përvojë në grupin aktual të Kombëtares. Lala ka shënuar një gol të rëndësishëm në fitoren 3-1 kundër Rusisë në Shkodër, kur në bankinën e përfaqësueses ishte gjermani Hans Peter Brigel.
KRAHASIMI MIDIS TY TRAJNERËVE
BILANCI I HANIT
Ari Han nga ndeshja e parë miqësore e humbur 1-0 kundër Polonisë (27 maj 2008, në Reutlingen të Gjermanisë) e deri te humbja 3-0 kundër Danimarkës (zyrtare, 1 prill 2009 në Kopenhagen) numëron dhjetë ndeshje në krye të Shqipërisë: tri miqësore (1 fitore, 1 barazim, 1 humbje) dhe shtatë zyrtare (1 fitore, 3 barazime, 3 humbje).
BILANCI I BARIÇIT
Oto Bariç e drejtoi Shqipërinë nga eliminatoret e Kampionatit Europian 2008. Zhvilloi me Kombëtaren tonë katër ndeshje miqësore (2 fitore, 2 barazime) dhe 12 ndeshje zyrtare (dy fitore, pesë barazime, pesë humbje). Në total: pesë fitore; pesë barazime; shtatë humbje. Dha dorëheqjen pas humbjes 6-1 me Rumaninë (nuk ishte në bankinë).
4 Prill 2009