E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lala: Makina e dashnore, ja pse të rinjtë nuk po ecin

HANOVER- Është në perëndim të karrierës, por Altin Lala nuk do kurrsesi të shkëputet nga futbolli, një sport të cilit i ka dhënë shumë, por edhe që i ka marrë shumë. Në sezonin e tij të fundit, ish-kapiteni i ekipit kombëtar mendohet se do të jetë një nga drejtuesit e Hanoverit, ndërkohë që paralelisht ai i është futur edhe rrugës së biznesit. Jeton në Gjermani, në një qytet si Hanoveri, ku është një personazh i adhuruar, ndërsa është i martuar me një italiane. "Të ishte për gruan, duhet ta kisha lënë me kohë futbollin", thotë ai duke qeshur, ndërsa thekson se "mes sportit e familjes, ka një ekuilibër shumë të mirë". Në një intervistë për "Gazetën", Lala flet edhe për të rinjtë në Shqipëri, që nuk kanë më aq ambicie për jashtë vendit, por edhe për trajnerin e ri të kombëtares, që sipas tij, "është e mira të jetë sërish një gjerman".

Ke deklaruar që është viti i fundit, cilat janë planet e Altin Lalës pas futbollit? Apo ka ndonjë ndryshim ideje për të luajtur edhe një vit?
Jo, jo. Do të jetë viti i fundit, e kam thënë këtë. Unë kam bërë disa bisedime me drejtuesit e Hanoverit, por ende nuk kam një ide të qartë se në çfarë roli do të jem pasi të mbyll këtë sezon. Të shohim, në mars, kur të afrohet edhe fundi do të kem një vendim të plotë për këtë. Kam edhe biznesin, që mendoj se është një miksim i mirë dhe kam dëshirë ta vazhdoj.
Ndërkohë, po aktivizohesh pak. Lidhet me faktin që po mbyll karrierën apo ngaqë skuadra e Hanoverit është duke ecur mirë dhe trajneri nuk ka pse të ndryshojë formacion?
Them se pak nga të dyja. Normalisht unë jam 35 vjeç, zhvilloj vitin e fundit dhe nuk kam pse ta vë nën presion. S'kam bërë asnjëherë polemika për këtë dhe nuk do të bëj, por natyrisht që do të pëlqeja që të luaja pak më shumë. Gjithsesi, edhe fakti që ekipi po ecën mirë, bën që trajneri të mos ketë arsye pse të ndryshojë skuadër, këto janë gjëra që dihen. Unë kam luajtur në tre ndeshje, njëra prej të cilave në Europa League.
Në nëntor ishte menduar që do të zhvillohej një ceremoni lamtumire për ty, pse nuk u zhvillua?
Në fakt, isha unë ai që nuk doja, sepse do të luanim ndaj Azerbajxhanit dhe e dija që nuk do të kishte shumë tifozë në stadium. Them se ceremoninë mund ta zhvillojmë në fillim të edicionit të ardhshëm, kur të jetë një ndeshje më e rëndësishme. Do të mundohem të shënoj edhe unë një gol si Bushi, të cilit iu lëshuan edhe francezët në momentin që nisi topin... Normalisht nuk kemi luksin që të ftojmë skuadra të mëdha, siç bëri Gjermania, që luajti me Brazilin për ndeshjen e fundit të Mikael Balakut.
Keni kaluar shumë trajnerë të huaj në kombëtare, do të preferonit një ballkanas apo ndoshta një gjerman?
Për mendimin tim, optimalja do të ishte të kishte ardhur Besnik Hasi. Është një shqiptar që ka punuar në perëndim dhe është një miksim shumë i mirë. Kjo nuk ndodhi, sepse Besniku zgjodhi diçka tjetër, kështu që them se do të ishte mirë të vinte sërish një gjerman. Kujtoj rezultatet e mira të arritura me Brigelin, por edhe faktin se gjermanët shquhen për disiplinë. Në Ballkan ka gjithnjë lojtarë të mira, por disiplina mungon pak. Nuk po them se Shqipëria është ekip i padisiplinuar, por një trajner i tillë të imponon rregulla të tjera dhe ne e dimë këtë. Në ndeshjet e fundit kanë munguar lojtarët e quajtur veteranë, por sërish të rinjtë duket se e kanë pak të vështirë t'ju zëvendësojnë... Shikoni, ne jemi rritur në një kohë tjetër. Mbi të gjitha kishim fusha të mira për t'u stërvitur, ndërsa sot dëgjoj se në Shqipëri duhet që të vegjlit të paguajnë para për t'u stërvitur. Imagjinoni një të varfër, që nuk ka para dhe mund të ketë talent. Ai nuk shkon dot të hyjë në një ekip moshash për stërvitje dhe kjo është e tmerrshme. Pastaj, dhe në Shqipëri gjërat kanë ndryshuar. Lojtarëve nuk u mungojnë paratë, makinat e bukura, dashnoret. Nuk dua t'i kritikoj, më kuptoni, por këto ndikojnë që futbollistët në Shqipëri të mos jenë aq ambiciozë, për të luajtur në skuadra jashtë vendit. Ne ishim pak më ndryshe, shumë gjëra i arritëm vetë.
Në të ardhmen, e shihni veten trajner të kombëtares?
Asnjëherë nuk duhet thënë "jo". Edhe Bekenbauer dikur thoshte që nuk do ta drejtoj kurrë Gjermaninë, por më pas u bë trajner i kombëtares dhe fitoi edhe Botërorin. Nuk e di, nuk e kam menduar këtë, por nuk them kurrë "jo". Unë kam luajtur shumë vjet në kombëtare, sepse ka qenë ëndrra ime që i vogël dhe jam shumë krenar që kam veshur atë fanelë.
A është më e lumtur bashkëshortja juaj tani që do të lini futbollin apo ju nxit të vazhdoni akoma?
Të ishte për të, duhet ta kisha lënë disa vite më parë, por s'kam ç'u bëj këmbëve..(qesh).. Shikoni, unë personalisht jam munduar të gjej një ekuilibër mes futbollit dhe familjes, që është shumë e rëndësishme. Edhe nëse unë mbetem në futboll, gjë që ka shumë gjasa të ndodhë, familja ka rolin e vet. Por edhe djali duket se është drejt futbollit... Po, luan me 10-vjeçarët e Hanoverit, ndonëse më shumë luan se e ka qejf, sesa për ta vazhduar më pas. Unë në fakt nuk kam dëshirë të bëhet futbollist, por edhe babai im nuk donte dhe unë u bëra. Kështu që kur të vijë momenti do të ketë një vendim.
Pse nuk doni të bëhet futbollist?
Sepse puna e futbollistit është si diçka e lindur, o bëhesh, o nuk bëhesh. Im bir (quhet Kataldo-shënim i redaksisë) ka dëshirë të luajë dhe unë nuk e frenoj, por ai do ta shohë veten nëse është i aftë apo jo. Nuk mund ta bësh futbollist me zor.
Në çfarë roli luan Kataldo?
Tani është i vogël dhe ka provuar shumë role. Por, luan më shumë në portë dhe ndonjëherë edhe mesfushor, pasi të vegjlit i ndërrojnë.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›