E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjel Tavo: Të garantohet barazia e votës në zgjedhje

TIRANE - Partitë e vogla kërkojnë barazi të votës përmes ndryshimeve në Kodin zgjedhor dhe pavarësisht frymës, ende kanë frikën se reforma e re zgjedhore do të jetë produkt vetëm i dyshes PD-PS.

Sipas përfaqësuesit të LSI-së në komisionin e reformës zgjedhore, nënkryetarit të Kuvendit Vangjel Tavo, që në mbledhjen e parë është vënë re një tendencë e tillë ku partitë e mëdha janë treguar dorështrënguara për procedurat e propozuara nga partitë e vogla për punën e këtij komisioni.

Vangjel Tavo u shpreh dje se LSI do të sjellë edhe propozime konkrete për mënyrën se si duhet ndryshuar kodi zgjedhor. Sipas tij, është e rëndësishme që me kodin e ri zgjedhor të garantohet barazia e votës.

Dy javë pasi ishte miratuar në parlament ngritja e komisionit të reformës zgjedhore, u mblodhën në një tryezë përfaqësuesit e partive politike parlamentare për të filluar punën me realizmin e kësaj reforme, e cila konsiderohet edhe më e rëndësishmja nga klasa politike, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›