Lala e lë futbollin

Altin Lala është pensionuar nga futbolli para kohe. Futbollisti shqiptar është detyruar t’i thotë lamtumirë këtij sporti, pas një lëndimi të rëndë të pësuar së fundmi. Siç njoftojnë mediat gjermane, 36-vjeçari duhet t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik në një të ardhme të afërt, pas lëndimit që e pësoi në gju.
Kapiteni i skuadrës së rezervistëve të Bayern Munichut e kishte lënë Hannoverin pasi kaloi pjesën më të madhe të karrierës, për t’u transferuar tek ekipi bavarez, ku u ftua posaçërisht nga trajneri Mehmet Scholl, dikur futbollist i njohur gjerman.
“E falënderoj Altin Lalën dhe më vjen shumë keq që nuk do të jetë më në dispozicion tonin. E kam pasur rastin ta njoh dhe është një person i shkëlqyeshëm dhe sportist i vërtetë. Ne të Bayernit i urojmë shërim sa më të shpejtë dhe çdo të mirë në jetë”, ka thënë Scholl për uebfaqen zyrtare të Bayernit.
Ish-futbollisti i përfaqësueses shqiptare ishte kapiten i ekipit të dytë bavarez, i cili luan në Regionalliga, kategoria e katërt në Gjermani. Lala kishte zhvilluar tri ndeshje nga fillimi me ekipin e Schollit.
Para transferimit të tij te Bayerni, mesfushori shqiptar u aktivizua për një periudhë 14-vjeçare të Hannover 96, me të cilin zhvilloi 181 ndeshje në Bundesligën gjermane dhe mbajti shiritin e kapitenit në vitet 2004-2008.
Pasi e ka marrë vesh lajmin, edhe ish-klubi i tij, Hannover i ka uruar shërim sa më të shpejtë Lalës dhe çdo të mirë në të ardhmen. Ka mundësi që Lala ta marrë ndonjë pozitë tjetër në të ardhmen në ekipin kuqezi, i cili ia përgatiti një koreografi mahnitëse, në ndeshjen përshëndetëse me Hannoverin.
Detyra e tij te Bayerni ishte t’u transmetonte përvojën e tij lojtarëve të rinj të ekipit rezervë. Lala ka qenë kapiten i Shqipërisë, madje mban dhe rekordin për sa u përket ndeshjeve të aktivizuara, 79 të tilla, i ndjekur nga Klodian Duro me 78, por edhe ky i fundit është tërhequr nga Kombëtarja.