Probleme në PSG

Momente të vështira në shtëpinë e Paris Saint-Germainit. Skuadra franceze fiton dhe bind në Ligue 1, por në zhveshtore gjërat nuk po shkojnë si duhet. Deklarata e ‘dashurisë’ së Zlatan Ibrahimovicit për Milanin nuk është pritur aspak mirë nga sheiku Al Thani, i cili ka kërkuar nga drejtori sportiv Leonardo që të flasë me futbollistin suedez, që ta përgënjeshtrojë lajmin përmes menaxherit Mino Raiola.
Deklaratat e Ibrës nuk janë motivi i vetëm për t’u preokupuar trajneri Carlo Ancelotti. Në fakt, ky i fundit nuk i ka punët aspak mirë me futbollistët argjentinas që luajnë te gjiganti parisien.
Ezequiel Lavezzi dhe Javier Pastore, për të cilët pronarët nga Katari shpenzuan 70 milionë euro, e kanë ‘çuar’ kokën. Për ish-trajnerin e Juventusit, Milanit dhe Chelseat, ish-futbollisti i dikurshëm i Napolit dhe ai i Palermos nuk janë zgjedhjet e para, pasi që hasin në vështirësi për t’u futur në taktikën e tij.
Lavezzi ishte mllefosur tej mase kur ishte futur në lojë në pjesën e dytë ndaj Portos, në Ligën e Kampionëve dhe ishte zëvendësuar pas vetëm tetë minutash nga Ancelotti. Ndërsa, Pastore ka mbetur në bankinë, pasi që trajneri italian e preferon më shumë Nenen dhe Menezin, përkrah Ibrahimovicit.
Gjatë janarit, në PSG do të arrijë edhe braziliani Lucas, i cili do ta shtojë konkurrencën në fazën ofansive dhe mund t’ua vështirësojë punët edhe më tej Lavezzit e Pastores. Përkundër këtyre problemeve, PSG-ja po mendon të përforcohet edhe më tej gjatë janarit, pasi mori në verë lojtarë si Ibrahimovic, Thiago Silva, Lavezzi, Verratti etj.
Mbrojtësi i majtë i Chelseat, Ashley Cole është objektiv i dimrit, por edhe mesfushori i Romës, Daniele De Rossi mund të zbarkojë në Paris gjatë janarit. Sipas medieve italiane, PSG-ja ia ka vënë syrin edhe dyshes së Juevntusit, mbrojtësit të djathtë, Stephan Lichtsteiner dhe qendërmbrojtësit Leonardo Bonucci. Aktualisht, PSG-ja gjendet në pozitën e dytë në Ligue 1, tri pikë prapa Olympique Marseilles, ndërsa në Ligën e Kampionëve ka një fitore e një humbje, në fazën e grupeve.