Liria në telashe

Kriza e rezultateve nuk është preokupimi i vetëm i Lirisë. Klubi nga qyteti i lashtë i Prizrenit po ballafaqohet edhe me krizë financiare, e cila ka ndikuar në prishjen e atmosferës në mesin e bardhezinjve.
Për shkak të kësaj krize financiare, udhëheqësit e Lirisë nuk kanë mundur t’ua japin pagat futbollistëve të tyre për dy muajt e fundit. Kështu thonë për Express vetë futbollistët e kësaj skuadre. Ata ankohen se për djersën e derdhur së fundmi rroga kanë marrë kah 19 gushti.
“Fillimisht nuk kishim marrë paga për dy muaj. Mirëpo, kryesia na pati dhënë nga disa para për festën e Fiter Bajramit, diku kah 19 gushti. Por, prej atëherë, më nuk jemi paguar fare. Madje, disa edhe më moti s’janë paguar”, thotë njëri prej lojtarëve në kushte anonimiteti.
Sipas tij, futbollistët e ekipit bardhezi kanë heshtur deri më tani pasi nuk guxonin të flisnin për media me emër e mbiemër, nga frika se mund të suspendohet nga kryesia e klubit.
“Klubi ka krijuar një sistem ‘diktatorial’. Askush nuk guxojmë të flasim për këto telashe. Madje, asnjëri prej futbollistëve nuk e gjejmë guximin për të iniciuar bojkot, në shenjë proteste që nuk kemi marrë para. Të hënën kemi tentuar ta nisim bojkotin, por trajneri na e ndryshoi mendjen. Ai na premtoi se do të bëjë çmos që ta bindë kryesinë që t’i kryejë obligimet ndaj nesh”, shtoi ai.
Futbollistët shpresojnë që mos t’i zërë festa e Kurban Bajramit pa para. Në anën tjetër, drejtori sportiv i Lirisë, Hatmi Gashi pranon se kryesia e klubit ka ngecur në aspektin e kryerjes së obligimeve ndaj lojtarëve. Por, ai beson se këtë problematikë Liria do ta zgjidhë shumë shpejt.
“Duhet të jemi të kuptueshëm. Edhe Liria ka telashe financiare, si çdo klub tjetër në Kosovë. Megjithatë, unë besoj se shumë shpejt do të kryhen obligimet ndaj futbollistëve, duke i marrë parasysh edhe premtimet e kryetarit. Ka premtime se shumë shpejt do të sigurohen mjetet për t’i kryer obligimet ndaj lojtarëve”, u shpreh Gashi për Express.
Prizrenasit nuk i kanë mirë punët as me rezultate. Pas dhjetë xhirove të zhvilluara, Liria pozicionohet në vendin e tetë të renditjes tabelore me dhjetë pikë të tubuara, katër më shumë sesa ekipi i fundit, Llamkos Kosova. Prizrenasit deri më tani i kanë regjistruar vetëm dy fitore, krahas katër barazimeve e katër humbjeve.