E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, deputetëve: Nuk do tërhiqemi

Kreu i PS, darkë në Pezë me disa ligjvënës. Tryeza e opozitës pritet të hënën
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, garanton deputetët se kjo parti nuk do të hedhë asnjë hap prapa në betejën me mazhorancën për hapjen e kutive, bojkotin, protestat dhe mandatin e tyre. Mesazhi iu është dhënë në një darkë që Rama ka organizuar në Pezë, ku edhe banon. Burime nga PS-ja thanë se kreu i selisë rozë ka zhvilluar një bisedë të lirë me deputetët, kryesisht ata të Qarkut të Tiranës. Mësohet se gjatë këtij bashkëbisedimi, larg vëmendjes së medias, Rama ka shprehur sigurinë se PS-ja nuk do të humbasë asgjë nga ajo çfarë synon. Mësohet se ai ka sqaruar deputetët që nëse do të ketë tërheqje në këtë moment, do të humbte më shumë opozita. Në vlerësimin e Ramës, çdo tërheqje pa garantuar bazën e kërkesave do të përkthehej si një pazar mes tij dhe mazhorancës. Në këtë takim mësohet se Rama ka insistuar se nuk ka një kazus, por ka një kauzë së cilës duhet t’i shkojë deri në fund. Burimet thanë se edhe deputetët kanë konfirmuar qëndrimin që duhet të mbajë PS-ja, duke përforcuar kërkesën për hapjen e kutive përmes një komisioni hetimor parlamentar. Nga ana tjetër, Rama ka insistuar se nuk mund të pranohet të shkohet në zgjedhje të tjera, duke ditur se çfarë mund të bëjë mazhoranca me procesin zgjedhor siç bëri më 28 qershor. Bisedat e Ramës me deputetët, larg vëmendjes së mediave në ambientet jashtë Tiranës, janë të shpeshta. Disa ditë më parë ai zhvilloi një bisedë me deputetët më të vjetër të PS-së, që kanë një ose më shumë legjislaturë si të zgjedhur, ku është folur gjerë e gjatë për situatën në vend. Edhe pse ka pasur garanci nga ana e kryetarit Rama, se mandatet e deputetëve nuk do të digjen, kjo çështje është kthyer në debatin e ditës mes korridoreve në PS prej shumë kohësh. Deputeti Pandeli Majko e ka konsideruar vetëm një çështje formale betimin e deputetëve socialistë, por përmes këtij akti ata nuk do ta humbasin mandatin, e si e tillë shmanget edhe çështja e zëvendësimit të tyre. “Mandatet e PS-së janë mandatet e popullit opozitar. Janë më pak se sa populli opozitar i ka dhënë kësaj partie dhe nuk kemi ndërmend t’i lëmë të digjen. Unë ndaj shumë mendime me z. Majko, kështu që nuk është çudi që ndaj edhe këtë mendim. Ajo që është e rëndësishme në këtë çështje, është se PS-ja nuk e ndërpret bojkotin pa u hetuar në mënyrë transparente zgjedhjet duke parë çfarë ka brenda në kuti përmes një komisioni parlamentar”, u shpreh Rama. Ndërkohë, në fillim të javës që vjen, ditën e hënë, do të zhvillohet takimi i krerëve të së majtës. Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta brenda opozitës, të cilët thonë se axhenda e diskutimeve mes krerëve të opozitës lidhet gjithmonë me protestat që priten të rinisin në muajin shkurt, por edhe me zhvillimet e ditëve të fundit, tryeza te Presidenti dhe kushtet me të cilat do të paraqitet kryetari i opozitës përballë kundërshtarit të tij, Sali Berisha. Takimi i krerëve të së majtës është diskutuar disa herë, ndërsa dy ditë më parë u përcaktua zhvillimi i saj dhe pak më vonë u anulua për ditët në vijim. Edhe pse flitet mjaft për një takim mes dy liderëve në presidencë, sërish PS-ja nuk tërhiqet. Kjo është përforcuar gjatë ditëve të shkuara nga kryetari i opozitës, Edi Rama, i cili tha se nëse nuk do ketë një marrëveshje me plotësimin e kushteve të opozitës, do të vijojnë protestat. Madje dy ditë më parë, në një emision televiziv, Rama tha se nëse s’ka marrëveshje të negociuar, atëherë populli do t’u hapë rrugë protestave deri në largimin e qeverisë. Ideja e protestave dhe tubimeve në të gjithë vendin janë përforcuar nga kryesocialisti Rama. Ai është shprehur se këtë herë opozita është shumë më afër qëllimit të saj se në protestat e muajit nëntor.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›