Lampard mbetet "blu", Fabregas drejt Realit
Shpërthen shtypi i së dielës në Angli. Mesfushori do të rinovojë me Çelsin, spanjollët mendojnë për "yllin" e Arsenalit
Frenk Lampard e ka fituar "luftën e nervave" me Çelsin, duke arritur atë vit më shumë në kontratën e tij (pesë vjet), që i kërkonte me aq ngulm që prej 12 muajsh. 30-vjeçari do të përfitojë 150 mijë sterlina në javë, rreth 190 mijë euro. Lajmin e ka bërë të ditur "Sunday Mirror", sipas së cilës, mesfushori do ta hedhë firmën mbi kontratën e re kur të kthehet nga turneu aziatik. Pra, Interi dhe Mourinjo duhet të dorëzohen, Lampard do ta mbyllë karrierën te blutë.
"FANTA ROBINJO"
Ndërkohë, vazhdon të jetë e nxehtë çështja "Robinjo". Edhe pse trajneri i Realit, Bernd Shuster, këmbëngul te qëndrimi i brazilianit në Madrid, "The Indipendent" bën të ditur se Çelsi është gati të ofrojë 45 milionë euro për Robinjon. Reali do ta shesë 24-vjeçarin vetëm në momentin kur do të ketë gjetur një zëvendësues të denjë. Kristiano Ronaldo dhe David Vila janë emrat që qarkullojnë prej disa muajsh në shtypin spanjoll. Për momentin, dihet vetëm se Robinjo është pak i kënaqur nga situata e tij në Madrid. Ai kërkon më shumë parà dhe oferta 3,5 milionë në sezon për katër vitet e ardhshme ka qenë vetëm një thasheheme në shtyp.
DROGBA PO IKEN
Një tjetër lajm i bujshëm vjen nga shtypi anglez "The People". Sipas saj, Didië Drogba i ka lëshuar një ultimatum Çelsin dhe brenda pak ditësh kërkon përgjigje. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka thënë se do të qëndrojë në "Stemford Bridxh" deri në vitin 2011, nëse drejtuesit e Çelsit do t'i japin 130 mijë sterlina në javë, 165 mijë euro. "Nëse ata nuk janë dakord, atëherë unë po iki!" - i ka thëtë Drogba menaxherit të tij, të cilit i kanë ardhur oferta nga Barcelona dhe Interi.
"BYE BYE" BALAK
Ai që e ka vendosur përfundimin dhe të ardhmen e tij është Mikael Balak. Në kolonën e tij në "Sunday Mirror", mesfushori gjerman ka bërë të ditur se do të largohet nga futbolli në korrik të vitit 2010, pas Botërorit në Afrikën e Jugut, kur i përfundon kontrata me Çelsin. Ndërkohë, trajneri i Çelsit, Felipe Skolari, ka ndërhyrë personalish për ta bllokuar largimin e Shon Rajt-Filipsit, i kërkuar me ngulm nga Portsmuthi dhe Aston Vila. Mesfushori anglez do të largohej vetëm në rast se Robinjo do të vishet "blu".
FABREGAS TE REALI?
Rikthehemi te Reali i Madridit. Në Angli qarkullojë zëra se "merengesit" i janë rikthyer dashurisë për Çesk Fabregasin. "News of the World" pohon se mesfushori spanjoll është takuar dy herë me drejtuesit e Realit. Gjatë bisedimeve, Fabregas ka thënë se dëshiron të qëndrojë në Londër edhe për një vit, dhe më pas të transferohet në "Bernabeu". Kjo përgjigje nuk e ka mërzitur aspak Realin, që po përgatitet për një superofertë për 22-vjeçarin. Një nga ato oferta, që nuk mund të refuzohen kurrë, dhe gjithçka do të ndodhë përpara 31 gushtit. 60 milionë euro mund ta tundojnë Arsen Vengerin.
KERKOHEN SULMUES
Aleks Ferguson, trajneri i Mançester Junajtid, do të paguajë 45 milionë euro që të blindojë Karlos Tevezin, vetëm që argjentinasi të mos shkojë te Reali. Nga ana tjetër, "djajtë" e kanë pranuar dështimin për të marrë sulmuesin e Totenhemit, Dimitar Berbatov. Londinezët kërkojnë 50 milionë euro për bullgarin. Në këto kushte, Fergusoni po studion "Planin B" dhe është gati t'i shpallë luftë Arsenalit për dy objektivat e deklaruara të "topçinjve", Rroke Santa Kruz dhe Jan Klaus Huntelar. Ndërkohë, Arsenali po humbet shërbimet e mbrojtësit Felip Senderos, i cili ka gjetur gjuhën e përbashkët me Njukasëllin. Transferimi do të kryet gjatë javës së vjen për 5 milionë euro.
PERGJIGJET VENGERI
Për t'i mohuar zërat e krizës që kanë përfshirë "topçinjtë", trajneri i Arsenalit, Arsen Venger, ka përgatitur disa blerje. Nasri është përforcimi i vetëm për skuadrën që ka humbur Flamininë, Xhilberto Silvën dhe Hlebit. Kësisoj, francezit i duhet një mesfushor. Ai po tenton të marrë Gareth Berrin e Aston Vilës dhe zvicerianin e Udinezes, Inler. Nesër priten lëvizje të tjera në merkato. Fulhemi pret përgjigje nga Torino, për të marrë mesfushorin australian Grela, ndërsa Ronaldo Bianki mund të qëndrojë përfundimisht te Mançester Siti.