Në shtëpinë e braktisur të Kristoforidhit
ELBASAN- Porta e Kalasë është vetëm fillimi i labirinthit, në këtë lagje që vështirë se mund ta shëtisësh të gjithën. Misteri e bën më tërheqëse për formën dhe për thesaret që “konservon”. Futesh në rrugica disi të gjera, për të vazhduar me rrugica të ngushta që bëjnë pjesë në vijat e një labirinthi pa mbarim. Teksa përpiqesh që nga porta të kërkosh rrugën më të shkurtër për të dalë në anën tjetër, vështirë se arrin të orientohesh, nëse më parë nuk të kanë shoqëruar banorë autoktonë që e njohin mirë Kalanë. Në zemër të saj, atje ku edhe rruga ndan dy kahet e hershme tashmë të përziera të ortodoksëve dhe muhamedanëve, ndodhen shtëpitë e vjetra të Dyerve të Mëdha, siç njiheshin nga të gjithë fiset autoktone ortodokse në Elbasan. Në këto rrugica, ku tashmë është ndërthurur tradita me modernen ka ende shumë objekte që tregojnë historinë e këtij qyteti. Në fakt, shtëpitë ku lindën të mëdhenjtë Kristoforidhi dhe Lef Nosi, por edhe shumë figura të tjera të Elbasanit janë gati të braktisura. Në shumë prej tyre kanë mbetur vetëm pllakat që të kujtojnë se aty ka lindur apo ka jetuar një emër patrioti, gjuhëtari apo edhe luftëtari.
***
Xhorxhi Papajani, bir i një prej studentëve të brezit që studioi në Austri, tregon se në pjesën ortodokse jetonin familje të mëdha ose ato që quheshin derë e madhe si Papamihali, Nosi, Papajani, Paparisto, Shuteriqi, Tod’hri, Popa etj. Shumë nga pjesëtarët e këtyre familjeve kanë qenë mjekë të njohur, mësues, atdhetarë, shkencëtarë etj. “Pak metra larg shtëpisë time ka lindur dhe jetuar Kristoforidhi, por shtëpia e tij është e braktisur prej shumë vjetësh. Me sa mbaj mend, e bija e Kristoforidhit vinte në shtëpinë tonë dhe kishte dy djem: Jakovin dhe Nikollaqin, pasi ishte martuar tek Bibajat. Në shtëpinë e Kristoforidhit deri në vitet ‘50 kanë jetuar dy vëllezër që ishin strehuar nga kisha aty. Mbaj mend se ishin nga Shpati dhe quheshin Kostandin dhe Zaka, të cilët kanë vdekur aty. Më pas kjo shtëpi u bë muze dhe u restaurua nga regjimi në fuqi.
***
Pas viteve ’90, ajo ka qënë thuajse e braktisur. Ndërsa disa shtëpi tëtjera ruheshin dhe mirëmbaheshin nga familjarët dhe nga pasardhësit, shumë të tjera u braktisën dhe janë drejt shkatërrimit”,-pohon Xhorxhi për “Shekullin”.Po kështu, ka edhe elementë të paprekur nga shtëpitë ku u bënë mbledhjet e para të lëvizjes antifashiste nacional-çlirimtare. Shtëpitë karakteristike që kërkojnë restaurim janë të shumta në këtë lagje, por mungon një studim apo një plan për të ruajtur traditën e ndërtimeve dhe vlerat shpesh të fshehura brenda murit dhe portës së Kalasë.
Makina e parë, më 1915
Gjithçka në këtë lagje ka edhe historinë e mënyrës së ndërtimit. Xhorxhi tregon se ndërtuesit vinin nga zona të traditës në këtë fushë, ndërsa gurët merreshin nga përrenjtë që rrethonin Elbasanin. “Me sa di unë, ustallarët ishin zabzunas dhe dibrenj. Ata ndërtonin shtëpitë dhe madje kanë ndërtuar Bankën e Vjetër me gurë të skalitur, që ndodhet në qendër dhe më pas Prefekturën, e cila u ndërtua në kohën e Shefqet Vërlacit.Gurët merreshin të gjithë nga Zaranika. Ishte edhe një përrua tjetër dhe ai binte gurë, të cilët mund të skaliteshin mirë.Lartësia e shtëpive ishte dy metra. Themeli ishte shumë i thellë, për shkak të tërmeteve. Elbasani përfshihej shpesh nga tërmetet dhe në vitin 1920 është regjistruar një tërmet shumë i tmerrshëm. Themelet e thella dhe muret, ku pjesa dërrmuese ishin ishin me qerpiç, ofronin siguri prej tërmeteve. Ndërsa muri i gurit bëhej me baltë dhe ishte 70- 80 cm i gjerë. Nëse doni të dini sesi transportoheshin trarët e çative, do të mësoni se elbasanasit kishin gjetur një mënyrë të veçantë. Trarët pasi priteshin nga Shpati ose nga Sopoti, rrokulliseshin nga majat e palëve dhe hidheshin në ujë ku transportoheshin deri në anë të qytetit ku priteshin nga njerëzit dhe transportoheshin duke u tërhequr me anë të qeve. Ndërsa për kalldrëmet kishte specialistë që skalisnin gurët. Mesa di unë, Kalaja nuk ka më gurëskalitës. Gurët merreshin në Krastë.Për furnizimin me ujë ka pasur ujësjellës nga Griqani dhe në pika të ndryshme të lagjes ka pasur disa çezma.. Në lagjen Kala nuk është parashikuar për rrugë makine pasi shtëpitë aty kanë ekzistuar prej shekujsh.Makina e parë ka ardhur në vitin 1915, ndërsa në kohën e Luftës së Parë Botërore erdhën disa të tilla”. B.Nergjoni
Paparisto
Ermini Paparisto, ndër të vetmet të mbetura nga kjo familje në lagjen Kala të qytetit të Elbasanit, tregon se në shtëpinë ku ajo jeton sot, kanë jetuar tre vëllezërit Paparisto: Kostaq, Sotir dhe Jofis. Si bashkëshortja e Sotirit, Erminia thotë se shtëpia ka mbetur e tillë, e pandryshuar. “Nga kjo familje ka pasur arsimtarë, shkencëtarë, mjekë etj. Sotiri mbaroi universitetin “Zhan Zhak Ruso” dhe ka dhënë mësim si pedagog në Berat, Elbasan e Tiranë. Ai gjithashtu përktheu edhe veprën e Zhan Zhak Rusosë “Emili”, emër të cilin e mban edhe djali i tij, që sot ndodhet në Kanada”,-thotë Ermini Paparisto për “Shekullin”.