E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozët-Xhanit: Ky Partizan na lë jashtë stadiumit

 

Situata aktuale dhe fjalët se nga skuadra do të largohen të tjerë titullarë i ka lënë pa shpresë tifozët e kuq

Partizani i sezonit të fundit i ngrohu shpresat e tifozëve të kuq se më në fund kishte ardhur momenti që të merrnin fund vitet e pritjes, në mënyrë që "demat e kuq" të riktheheshin te titulli kampion. Ëndërra e tifozerisë së kuqe u shua në limitin e kampionatit, pasi megjithëse ishin superior me Dinamon, nuk arritën të fitonin takimin dhe titullin kampion, që Partizanit i mungon që nga viti 1993. Përfundimi i sezonit të fundit e pikëlloi shumë armatëne e tifozëve të kuq, por në fund të derbit me blutë presidenti Xhani pohoi se nga skudra nuk do të largohet asnjë, madje priten 4-5 përforcime që Partizani i ri të jetë më pretendent. Por dy muaj pas përfundimit të sezonit të shkuar dhe një muaj para fillimit të kampionatit të 70-të tifozët e Partizanit i bëjnë apel presidentit Albert Xhani, që sa më parë të ndryshojë "stofin" e skuadrës, pasi me këtë grup ata nuk do të shkojnë në stadium, sepse edhe këtë vit ndihen të pashpresë se mund të triumfojnë. "Shpresuam shumë sezonin e kaluar se më së fundi do të fitonim edhe ne, por më sa duket qenkemi lindur për të vuajtur, pasi dështuam atëherë kur asnjëri nuk e priste. Deri tani asnjë drejtues nuk na ka sqaruar pse dështuam, pikërisht në javën e fundit, por të paktën prisnim zbatimin e fjalëve të presidentit Xhani në fund të derbit të 17 majit. Rrjedha e ngjarjeve na lë të pa shpresë, pasi me këtë grup që kemi tani dhe që pritet të ndryshojë pas ndeshjes së dytë me Shiroki Brijegun, na mbetet të luftojmë për mbijetesë në kategorinë superiore. Megjithëse presidenti premtoi se nuk do të largohet asnjë, por vetëm do të përforcohemi, realiteti flet ndryshe, pasi për ne janë larguar baza e ekipit. Emrat flasin vetë, sepse deri tani janë larguar, Shehi, Devolli, Shkëmbi, Abilaliaj, Babamusta dhe sipas prononcimeve të fundit, pritet që në përfundim të ndeshjes së Kupës UEFA, të largohen edhe Bakaj, Osmani e Muzka. Më keq se ka nuk ka, pasi dihen edhe pruriet e reja, që nuk krahasohen me të larguarit. Gjithashtu ndihemi të zemëruar se këto largime kanë dobësuar Partizanin dhe pritet që të përforcojnë rivalët tanë, si Tirana e Elbasani. Prandaj ne si tifozë të Partizanit i bëjmë thirrje presidentit Xhani që ta marrë sa më parë situatën në dorë, pasi nuk mund ta ndiekim në stadium këtë skuadër. Pra ky nuk është Partizani i idelave dhe objektivave tonë historik, prandaj shenja e parë do të duket që në takimin me Shirokin,"- kanë deklaruar për "Sportin shqiptarë" disa "ultras të kuq", që përfaqësojnë grupime të ndryshme kryesisht në kryeqytet, si Laprak, Medrese, Kashar etj. Gjithashtu të njëjtin mendim e gjen edhe te forumet në internet të tifozëve të Partizanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›