E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumira e fundit, mijëra njerëz nderojnë katër dëshmorët

Krerët e lartë të shtetit, ministra e deputetë u kanë dhënë lamtumirën e fundit katër dëshmorëve të atdheut, të cilët dhanë jetën në krye të detyrës. Presidenti Topi, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, Kryeministri Berisha, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Leskaj, dhe kryetari i LSI-së, Meta, në mesditë kanë ngushëlluar dje familjarët për humbjen e njerëzve të tyre më të dashur.

Presidenti

Pas vendosjes së kurorave me lule pranë katër trupave të pajetë të policëve të rënë në krye të detyrës dhe ngushëllimit të familjarëve të tyre, Presidenti Topi është shprehur se këto janë momente shumë të dhimbshme për të gjithë. Ai ka theksuar se "kjo mund të konsiderohet një nga aktet më tragjike që kemi përjetuar këto vite, humbjen e katër oficerëve, të cilët përpara se të ishin të tillë, ishin qytetarë të këtij vendi, qytetarë të devotshëm, ishin familjarë". Sot, theksoi Presidenti, "pa dyshim ka një ndjenjë të dyfishtë, sikurse e thashë një dhimbje pafund, por edhe një vlerësim të madh për këta njerëz, që përballen në çdo moment me krimin, i cili në disa raste është dhe mjaft i sofistikuar. Unë dëshiroj, ripërsëris dhe rishpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe pa dyshim që shpreh solidaritetin tim të plotë për forcat e rendit, për të gjithë ata që punojnë në çdo sekondë të njëzetekatërorëshit për vendosjen e rendit në çdo qelizë të vendit tonë". Nga ana tjetër, ka theksuar Presidenti Bamir Topi, "do të nxisja me shumë forcë të gjitha institucionet e specializuara që të bëjnë sa më shpejt zbardhjen e plotë të këtij momenti tragjik, për të dhënë edhe një herë mesazhin e fortë, që duhet të vijë nga çdo institucion, për vendosjen kudo të ligjit, në çdo lloj strukture të shtetit shqiptar".

Kryeparlamentarja

Ngushëllim për humbjen e njerëzve më të dashur familjarëve të katër policëve që humbën jetën në krye të detyrës ka shprehur dje edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka nderuar kujtimin e tyre duke vendosur kurora me lule. Me lot në sy dhe me një fytyrë ku i lexohej qartë dhimbja, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, është shprehur se "sot gjithë Shqipëria nderon katër djemtë e saj efektivë të Policisë së Shtetit. Fatos Xhani, Sajmir Duçkollari, Altin Dizdari, Kastriot Feska janë heronjtë tanë.

Shqiptarët sot mbajnë frymën, Shqipëria ka humbur katër djemtë e saj, Policia e Shtetit ka humbur punonjësit e saj që ishin modeli moral. Familjet e tyre, djemtë, babanë, bashkëshortët e tyre të dashur, trima, kurajozë. Në këto momente të vështira, ne të gjithë shprehim ngushëllimet për familjet e tyre, mbështetjen, solidaritetin me Policinë e Shtetit, që tregoi edhe një herë vullnetin, por dhe dëshmoi sakrificën në luftën kundër krimit".

Kryeministri

Kryeministri Berisha i shoqëruar edhe nga ministra të kabinetit të tij ka ngushëlluar familjarët e katër "Dëshmorëve të Atdheut", të rënë në krye të detyrës. Pas vendosjes së kurorave me lule, Kryeministri u shpreh se "është një dite zie e thellë, sepse përcjellim sot, katër bijë të shquar të kombit, të cilët ranë në krye të detyrës për ta bërë më të sigurt jetën e qytetarëve shqiptarë". Kryeministri theksoi se "rënia e tyre, humbja e jetës së tyre, është jashtëzakonisht e rëndë dhe e dhimbshme, por heroizmi i tyre, trimëria e tyre, sakrifica e tyre, është dëshmi e një vullneti të hekurt të Policisë së Shtetit për të shtypur me çdo çmim, me çdo sakrificë krimin e organizuar dhe për të bërë jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurt. Ky krim i shëmtuar, i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e drejtësisë, kam bindjen më të thellë, se nuk do të cenojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit, për t‘u dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me zero tolerancë, sikundër deri më sot". Berisha ka premtuar se ndaj kriminelëve do të veprojnë ligji me ashpërsinë më të madhe. Edhe një herë, tha Berisha, dua të shpreh ngushëllimin tim më të thellë, fëmijëve, familjarëve, bashkëshorteve, prindërve, shokëve, kolegëve dhe miqve të Fatosit, Saimirit, Kastriotit dhe Altinit, t‘u shpreh mbështetjen më të plotë, forcave të rendit për të gjithë vendosmërinë e tyre për të shtypur krimin e organizuar me zero tolerancë.

PS-ja

Një grup përfaqësuesish të PS-së zhvilluan dje homazhet e rastit për katër viktimat e përplasjes me armë që ndodhi dy ditë më parë në Durrës. Përfaqësuesja e PS-së, Valentina Leskaj, shprehu tronditjen e thellë për humbjen e madhe që kanë jo vetëm familjarët e miqtë, por edhe kolegët dhe forcat e policisë.

Dy ditë më parë pas, kësaj ngjarjeje reagoi edhe kreu i PS-së, Edi Rama, i cili shprehu ngushëllimet për familjarët e katër punonjësve të Policisë së Shtetit. Duke ngushëlluar me gjithë zemër, familjet e viktimave të kësaj barbarie, Edi Rama shprehu të gjithë solidaritetin e tij dhe të Partisë Socialiste me Policinë e Shtetit në këtë orë kaq të vështirë. Kryetari i Partisë Socialiste theksoi se ngjarje të tilla kaq ekstreme nxjerrin në pah dobësitë po kaq ekstreme të një pushteti të kalbur nga korrupsioni dhe të kthyer thjesht në funksion të qëllimeve dhe nevojave të oborrit familjar e klanor që sundon Shqipërinë jashtë vullnetit të lirë të popullit shqiptar.

PDI ngushëllon familjarët e 4 policëve të vrarë

Ngushëllime për humbjen e katër policive të cilët u vranë në krye të detyrës ka shprehur dje edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, kryetari i kësaj partie deklaron se "në këto momente të vështira për familjarët që humbën të dashurit e tyre, policia kuadrot e zotë e trima që qëndruan në vijën e parë në luftën kundër kriminalitetit, u shprehim ngushëllimet e sinqerta familjarëve". Gjithashtu, drejtuesit e kësaj partie kanë shprehur besimin se shteti ligjor do të triumfojë dhe Shqipëria nuk do të ndalet në luftën e saj integruese. Në njoftim theksohet gjithashtu se, PDI si pjesë e koalicionit qeverisës do të angazhohet më të gjitha forcat dhe kapacitetet për një Shqipëri Europiane pa krim dhe kriminelë.

Lesi: Të risillet dënimi me vdekje

Kryetari i LDK-së, Nikoll Lesi, ka shprehur dje ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjarët e katër policëve të vrarë në krye të detyrës. Lesi ka kërkuar ndëshkimin maksimal të shkaktarëve të kësaj tragjedie dhe ka kërkuar që të risillet dënimi me vdekje në Shqipëri, për të ndaluar ngritjen e dorës së kriminelëve ndaj uniformave blu. Sipas tij, kjo është një ngjarja mjaft e rëndë ku shteti duhet të reagojë fort për të ndëshkuar fajtorët dhe për të siguruar jetën e punonjësve të saj. Ngjarja e ndodhur dy ditë më parë në qytetin e Durrësit ku mbeten të vrarë në krye të detyrës katër policë të shtetit ka tronditur mbarë opinionin vendës. Kjo është cilësuar si një nga ngjarjet më të rënda të ndodhur në këto vitet e fundit ndaj uniformave blu.

Ndërkombëtarët ngushëllojnë familjarët

Familjarët e katër policëve të vrarë në krye të detyrës janë ngushëlluar dje edhe nga trupat diplomatikë të akredituar në vendin tonë. Kurora dhe buqeta me lule pranë trupave të pajetë të katër policëve në hollin e Pallatit të Kongreseve kanë vendosur dje edhe përfaqësues të trupit diplomatik të SHBA-së, italian, gjerman etj. Më pas, përfaqësuesit e ambasadave kanë ngushëlluar një nga një të gjithë të afërmit e katër policëve të vrarë, duke u bashkuar me dhimbjen e tyre për humbjen e njerëzve më të dashur

Lamtumira e fundit për katër Dëshmorët e Atdheut

Mijëra qytetarë i dhanë dje lamtumirën e fundit katër heronjve të Policisë së Shtetit. Familjarët, shokët, politikanët, forcat e rendit dhe qytetarë të shumtë kryen homazhet e fundit për katër policët e vrarë mesditën e së premtes në Durrës nga Dritan Dajti.

Trupat e katër efektivëve të policisë kanë ardhur dje paradite nga Durrësi, njëri pas tjetrit, të shoqëruar nga familjarët, për të zhvilluar homazhet e fundit në Pallatin e Kongreseve. Bulevardi "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë u mbush nga mijëra qytetarë, të cilët, rreth orës 11:00, pritën kortezhin i cili erdhi nga Durrësi. Katër dëshmorët e rënë në krye të detyrës në përballje me krimin u prehën në Varrezat e Dëshmorëve. Familjarë, të afërm dhe qytetarë të thjeshtë, mes dhimbjes dhe lotëve, u dhanë lamtumirën e fundit të dashurve të tyre, të cilët humbën jetën në krye të detyrës, gjatë kapjes së të shumëkërkuarit, Dritan Dajti.

"Katër Dëshmorët e Atdheut do t‘i mungojnë jo vetëm familjes, por edhe kolegëve e miqve. Ne u japim lamtumirën e fundit katër punonjësve të policisë, katër heronjve të pavdekshëm, të cilët mbajtën betimin para flamurit dhe atdheut dhe me disiplinë e profesionalizëm u përballën në sy me krimin", u shpreh shefi i Ministrisë së Brendshme, Bujar Nishani, në fjalën e tij të lamtumirës. Të pranishëm në homazhe ishin edhe diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë. Politika u bashkua për një ditë për t‘i dhënë lamtumirën e fundit, heronjve të cilët u vlerësuan nga vetë ata si të pavdekshëm. Homazhe kanë zhvilluar dhe krerët e lartë të shtetit dhe të politikës. Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka zhvilluar homazhet e tij në Pallatin e Kongreseve, në nderim të të rënëve. Ceremonia në nderim të katër dëshmorëve nisi në orën 11:20, me homazhet që u zhvilluan për mbi një orë e gjysmë në hollin e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Disa mijëra qytetarë, personalitete të larta të shtetit dhe fushave të ndryshme, të afërm dhe miq zhvilluan homazhe para trupave të pajetë të katër policëve të rënë në detyrë. Katër punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët humbën jetën një ditë më parë në përballje me krimin, u është dhënë lamtumira e fundit të shtunën pas mesdite, në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, ku ata do të prehen si heronj.

Varrimi u krye në orën 14:00, ndërsa më herët u zhvilluan homazhet në Pallatin e Kongreseve. Tirana dhe gjithë Shqipëria ishin dje në zi kombëtare dhe në orën 12:00, flamuri kombëtar në të gjitha institucionet shtetërore është ulur në gjysmështizë, ndërkohë që u mbajt dhe një minutë heshtje në nderim të Dëshmorëve të Atdheut. Pjesë e kortezhit u bënë edhe qytetarët e thjeshtë, të cilët u bashkuan me dhimbjen e familjarëve të katër policëve. Lule, lot dhe dhimbje për humbjen e njerëzve që në mbrojtje të ligjit dhanë jetën e tyre. Shqipëria humbi katër njerëz të guximshëm, familja, njerëzit e tyre më të dashur, të afërmit humbën miqtë e tyre më të mirë dhe politikës i ngeli veç dhimbja dhe vajtimi për ndarjen nga jeta të katër dëshmorëve të vendit. Familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe autoritetet më të larta të shtetit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ishin të pranishëm në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të Dëshmorëve të Atdheut, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari.

Flet kushëriri i Saimir Duçkollarit

Haki Nikolla: Saimiri i dilte gjithmonë rrezikut përpara

Mes dhimbjes dhe lotëve, familjarët e policëve të vrarë, u kanë dhënë dje lamtumirën e fundit. Kushëriri i Saimir Duçkollarit, Haki Nikolla, mes dhimbjes, flet për çastet e fundit që është parë me kushëririn e tij dhe dinamizmin që ai ka pasur dhe dëshirën për të jetuar. "Është në gjenin e familjes sonë dhe veçanërisht ishte në gjenin e Saimirit, i cili trashëgon edhe virtytet e saj që të përballet me rrezikun. Saimiri rrjedh nga një familje atdhetare patriote, e cila ka dhënë kontributin e saj në luftën për çlirimin dhe rindërtimin e vendit", thotë Nikolla, i afërm i familjes Duçkollari. "Unë isha jo vetëm kushëriri i tij, por gjithashtu edhe miku i tij, pasi ne punonim të dy në Policinë e Shtetit", thotë Nikolla, i cili është aktualisht edhe oficer policie. Ndarjen nga jeta të kushëririt, Nikolla e cilëson si një ngjarje të dhimbshme dhe shton se ai i dilte gjithnjë rrezikut. "Gjithmonë ka pasur dëshirë për të qenë pjesë e forcave të policisë. Gjithmonë ishte një barrikadë për miqtë dhe i pamëshirshëm për elementin kriminal", thotë Nikolla, i cili i përcjell kushëririt të tij mesazhin e fundit "u preftë në paqe".

Presidenti i Kosovës dhe kreu i BDI-së dërgojnë mesazhe ngushëllimi për familjarët e policëve

Sejdiu dhe Ahmeti ngushëllojnë Topin dhe Berishën

Mesazhe ngushëllimi për ngjarjen e Durrësit kanë mbërritur dje në zyrën e Presidentit të Republikës dhe të Kryeministrit Sali Berisha. Homologu i tij, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i shprehu keqardhjen për humbjen e katër punonjësve të Policisë së Shtetit Presidentit Bamir Topi, duke vlerësuar se është një humbje e madhe. Sakaq, edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ngushëlloi familjet dhe Kryeministrin Berisha për humbjen e katër anëtarëve të Policisë së Shtetit. Kryetari i BDI-së në Maqedoni, Ali Ahmeti, me anë të një telegrami, ngushëlloi familjet Xhani, Dizdari, Duçkollari, Feska, si dhe Kryeministrin shqiptar Berisha, për rënien në krye të detyrës së katër anëtarëve të Policisë së Shtetit. "Me dhimbje të thellë e pikëllim në zemër e morëm lajmin e trishtueshëm të vrasjes së katër oficerëve të Policisë së Shtetit shqiptar. Lufta kundër krimit të organizuar dhe funksionimi i shtetit ligjor shpeshherë ka pasur çmim të lartë dhe ka marrë haraçin në gjak. Bijtë tuaj, oficerë të policisë, janë humbja e madhe që kanë veshur në zi gjithë popullin shqiptar", thuhet në mesazhin e ngushëllimit.

Më tej, Ahmeti shkruan se "në këto çaste të rënda për Ju familjarë të nderuar dhe Ju, zoti Kryeministër, shqiptarët e Maqedonisë janë me Ju, anëtarët e Bashkimit Demokratik për Integrim e ndjejnë dhe ndajnë dhimbjen me Ju".

Mesazhi vijon duke vënë në pah ngushëllimet më të sinqerta dhe më të përzemërta, duke i kërkuar Kryeministrit që dhimbja të shndërrohet në forcë. "Dhe të jeni krenarë se Fatosi, Altini, Saimiri dhe Kastrioti, edhe në momentin e rënies, ishin në anën e së mirës dhe në luftë kundër së keqes, ishin në shërbim të nderit dhe autoritetit të familjeve të tyre, të popullit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duke ju përcjellë solidaritetin e të gjithë anëtarëve të BDI-së ju lutem vëllazërisht të bëheni të fortë se të tillë i patët djemtë tuaj dhe vëllezërit tanë njëkohësisht", përfundon mesazhi. Dy ditë më parë reagoi edhe ambasadori italian Saba D‘Elia, duke shprehur ngushëllimet për familjarët e viktimave dhe duke përgëzuar njëkohësisht forcat e policisë për vendosmërinë në luftën kundër krimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›