E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mikael Shumaher prenoton tri kokore super të sigurta

Kokore me stil oriental, në tri versione të ndryshme, me emrat e bashkëshortes Korina e fëmijëve Xhina Mari dhe Mik të shkruara me germa kineze. Të gjitha këtyre u shtohen një dragua dhe shtatë yje (dekorim që më parë Shumi e kishte përdorur edhe në vitin 1991), por këtë herë për të kujtuar titujt e fituar: kjo është kokorja e Mikael Shumaher në rikthimin në pistat e Formula 1. Të dizajnuara nga Jens Munser, secila prej tyre do të kushtojë 12 mijë euro. Mjaft të kushtueshme, por edhe super të sigurta: pjesa e përparme do të jetë më e fortë, për të shmangur rrezikun nga një aksident i ngjashëm si ai i Felipe Masës. E përditshmja "Bild" ka publikuar fotot e kokores, që falë kapëseve prej titani, nuk lejon kauçukun e pjesës së përparme të shkëputet dhe të dëmtojë pilotin. Në anën tjetër Shumaher shpjegoi zgjedhjen për të pikturuar një dragua. "Herën e parë që shkova në Kinë, ky dragua ishte stampuar në një gazetë, si një simbol që më karakterizonte", u shpreh 40-vjeçari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›