E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyn në fuqi ligji i ashpër kundër klandestinëve

Ligji italian që ashpërson luftën kundër kriminalitetit dhe emigracionit klandestin dhe që mund të dënohet tashmë me 5.000 - 10.000 euro, ka hyrë zyrtarisht në fuqi dje me botimin në Fletoren Zyrtare të dekreteve për zbatim.

Ligji i miratuar përfundimisht nga Parlamenti italian në fillim të korrikut, parashikon kështu që hyrja ose qëndrimi ilegal në territor italian të konsiderohen shkelje ligjore dhe të dënohen me një gjobë prej 5.000 - 10.000 euro.

Qëndrimi i emigrantëve klandestinë në qendrat e identifikimit dhe të dëbimit zgjatet nga dy muaj deri në gjashtë muaj, ndërsa personat që u japin shtëpi me qira klandestinëve apo i strehojnë ata rrezikojnë deri në tre vjet burg.

Masat e tjera të këtij ligji shumë të polemizuar parashikojnë gjithashtu, një "regjistër për të pastrehët" që do të skedohen nga Ministria e Brendshme.

Ligji parashikon, gjithashtu, edhe një shkelje tjetër, që mund të dënohet deri në tre vjet burg për "mashtrim" të forcave të rendit. Ai forcon masat e izolimit të bosëve të mafies, duke parashikuar burgje speciale për ta.

Ligji që ka hyrë në fuqi ka të bëjë edhe me sigurinë rrugore dhe parashikon masa më të ashpra për personat që i japin makinës nën efektin e alkoolit, por gjithashtu, një ashpërsim të dënimeve për thyerje të Kodit Rrugor që kryhen natën nga ora 19:00 - 07:00 lokale. Ai parashikon më në fund edhe mundësinë e heqjes së pikëve të patentës edhe nëse shkelja kryhet në timonin e një biçiklete.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›