Topi: S’ka më paragjykime për shtetin e Kosovës

Pas mbërritjes në Prishtinë, presidenti Topi është pritur me nderime të larta shtetërore nga presidentja Jahjaga, me ceremonitë më të larta shtetërore.
Pas takimit nën dyer të mbyllura, Jahjaga ka falënderuar fillimisht presidentin Topi për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit shqiptar për lobim dhe njohje të reja për Kosovën.
“Kosova dhe Shqipëria angazhohen për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në rajon dhe mbarë botën”, është shprehur Jahjaga.
Ajo tha po ashtu se të dyja shtetet, Kosova dhe Shqipëria kanë një agjendë të përbashkët e cila pikësynim ka integrimet në strukturat euro-atlantike.
Nga ana e tij, presidenti Topi tha se ishte i nderuar që mandatin e tij si president i Shqipërisë po e përmbyllë me një vizitë në Kosovë.
Ai tha se Kosova shtet i pavarur e sovran, i ka hequr tashmë paragjykimet që ishin më herët për të.
“Kosova ka shënuar përparime të dukshme dhe është faktor i paqes e stabilitetit në rajon”, është shprehur Topi.
Topi arriti në Kosovë
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, arriti për një vizitë dyditëshe në Kosovë. Para Kuvendit të Kosovës, kryetarin e Shqipërisë e priti presidentja e vendit Atifete Jahjaga.
Presidentja Jahjaga dhe presidenti Topi kanë parakaluar para Gardës së Nderit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Temat e bisedimeve plenare do të përqendrohen në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore, rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm në fusha me interes të ndërsjellë, shtimin e numrit të vendeve që do të njohin Kosovën si dhe për perspektivën euro-atlantike të Kosovës dhe Shqipërisë.
Topi në Kosovë
Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kosovën sot do ta vizitojë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi.
Presidenti Topi do të takohet me Presidentet Jahjaga, me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me Zëvendëskryeministrin e Qeverisë së Kosovës dhe njëkohësisht Kreun e Aleancës “Kosova e Re”, Behgjet Pacolli, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe personalitet tjera të larta te institucioneve të Kosovës.
Po ashtu, për nder të tij, sot Kuvendi i Kosovës do të mbaj edhe një seancë solemne.
Presidenti Bamir Topi rreth orës 13:30 pritet të bëjnë homazhe te varri i presidentit Rugova, ndërkaq nesër do të bëj homazhe tek Kompleksi memorial i Adem Jasharit në Prekaz dhe te Kompleksi i Haradinajve në Gllogjan të Deçanit.