VV dërgon Kodin Penal në Gjykatën Kushtetuese

Dërgimin e Kodit Penal në Gjykatën Kushtetuese e ka bërë deputetja nga lëvizja Vetëvendosje, Alma Lama, e cila ka thënë se qëllimi i veprimit të tillë është që të mësohet përfundimisht nëse nenet e miratuara janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e që për një gjë të tillë lëvizja Vetëvendosje nuk ka pikë dyshimi.
“Sot kemi ardhur për t’i dërguar këtu në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që të marrim vesh përfundimisht nëse këto nene janë apo jo në përputhje me kushtetutën. Lëvizja Vetëvendosje që prej fillimit e ka ngritur këtë çështje. Kemi thënë se janë në kundërshtim me kushtetutën dhe përkatësisht me nenet 40 dhe 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, por edhe me nenin 10 të konventës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, e cila gjithashtu është pjesë e Kushtetutës së Kosovës. Ne shpresojmë në një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese, sepse besojmë se këto nene cenojnë rëndë lirinë e medieve në Kosovë”, ka thënë ajo.
Të premten e kaluar, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38 që kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.
Menjëherë pas këtij dështimi, pasuan dorëheqja e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe reagimet nga presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, të cilët e konsideruan vendimin e Kuvendit si kthim parapa dhe i cili cenon lirinë e shtypit dhe medias së lirë.