Banorët e Hamallajt: Prishja e banesave tona, për miqtë e qeverisë
DURRËS - Pamjet e një dite pas konfliktit në fshatin Hamallë të rrethit të Durrësit ishin tipike si ato të pas një beteje.
Një hije dyshimi për këdo që hynte në fshat të shoqëronte bashkë me hijen e trazuar të frikës së arrestimeve të kryera. Policia ndaloi pasditen e ngjarjes 7 vetë, ndërsa një ditë më pas u kryen edhe dy arrestime të tjera.
Copat e çimentos të hedhura, gomat e përdorura si mjete rrethanore në përleshje, venddjegiet e shisheve me benzinë që kishin mbetur të nxira dukeshin gjithandej.
Situata dukej e tensionuar në heshtje.
Beteja u zhvillua 1700 metra larg bregut te detit, ndërsa objektet që do të shembeshin nuk ishin në rërë, thonë banorët, por rreth 700 metra larg buzës së ujit. Fjalët "na kanë mashtruar" i dëgjon ngado.
Banorët thonë se ata i bëjnë thirrje policisë të mos futet në fshat dhe të lirojë banorët e arrestuar se shteti ka qenë i yni, po ai s'kishte pse vinte fshehurazi dhe të vidhte pronat e ngritura me djersën dhe gjakun e bijve në tokat e Greqisë.
Ata ngrenë akuza konkrete për deputetë dhe ministra të qeverisë për afera korruptive me pronat e fshatit. Ndërkohë një pjesë e banorëve bëjnë roje me radhë në hyrje të fshatit që prej 24 orësh për të mos lejuar fadromat e policisë ndërtimore. Vetëm gratë merren me aktivitetin e përditshëm të punëve të fshatit. Burrat dhe djemtë e fshatit kanë ngritur grupe që monitorojnë të gjitha lëvizjet mbi urë dhe brenda fshatit.
Banorët këmbëngulin se do t'i mbrojnë shtëpitë me çdo kusht, madje edhe me gjak, duke u shprehur se i kanë ndërtuar banesat jo në brezin e rërës, por mbi 700 metra larg bregut. Shumë prej tyre tregojnë dokumentet e bëra zyrtarisht për legalizim në Bashkinë e Sukthit dhe tek ALUIZNI në Durrës.
"Shteti na ka mbrojtur deri sot me ligj, - thonë ata, - sepse shtëpitë janë në proces legalizimi dhe nuk mund të shemben". Banorët shprehen se të gjitha shtëpitë janë në proces legalizimi, pasi janë ndërtuar në fund të viteve '90.
"Këtu kanë ardhur me radhë deputetët e Partisë Demokratike të cilët na uruan t'i gëzojmë shtëpitë e reja. Kur na kërkoheshin votat derë më derë, na u tha se ALUIZNI do të na i legalizonte shtëpitë, ndërsa tani na dërgojnë fadromat. Kjo është e pamoralshme. Nuk pritet shqiptari në besë, siç po bëjnë këta", na thotë një prej banorëve. "Kemi 20 vjet që votojmë për PD-në dhe tani vijnë dhe na prishin shtëpitë.
Po e dimë ne që 400 dynym të kësaj zone i kanë blerë vetë ata njerëzit afër qeverisë, prandaj nuk i lëshojmë dhe do t'i mbrojmë deri në pikën e gjakut",- shprehet një tjetër banor i mbërritur nga rrethi i Tropojës 20 vjet më parë. "Këtu na solli Azem Hajdari, madje ishte kënetë dhe moçal. Ndërsa tani që ne e bëmë zonë të bekuar, duan të na rrafshojnë banesat",- thotë një tjetër. Mësuesi Avdi Kucana është njeri i shtruar në gjykim.
Ai thotë se përballja me shtetin është e kotë. "Në këtë mesele ne dalim të humbur, por shteti duhet të vërë dorën në zemër, se ne nuk kemi ku të shkojmë. Vetë na thanë për lëvizjen e lirë në '92-shin e më pas ne u vendosem këtu. Ka një problem, se shumica e ndërtimeve janë shtëpi banimi, dhe jo hotele siç thotë Gjergj Bojaxhiu",- vijon banori.
Fshati Hidrovor gjendet pranë bregdetit dhe ka një popullsi prej rreth 1500 banorësh. Ndërtimet e para në këtë fshat janë rreth 700 metra larg bregut të detit dhe për këtë arsye ata shprehen se nuk janë ndërtime turistike, por shtëpi banimi. Janë rreth 480 objekte për t'u shembur, sqarojnë banorët.
Ata thonë se janë në lojë 400 dynymë toke bregdeti në afërsi të Hamallajt që janë blerë nga persona afër qeverisë dhe kalimi i kësaj pronësie tek një kompani zviceriane për të ndërtuar një fshat turistik. Pëllumb Kuçaj thotë se ata po përjetojnë një persekutim të dytë.
Ramë Sefalli thotë se ai ka mbrojtur shtëpinë e tij dhe nuk e ka frikë burgimin për një të drejtë që ia kanë shkelur. Ndrec Lekgega thotë se "jetën në veri e kemi të shkatërruar tashmë dhe i kemi blerë tokat ku jemi vendosur". Ai thotë se nuk e priste nga shteti i tij një trajtim të tillë pasi vinte nga një e kaluar ku familja e tij kishte pasur të pushkatuar dhe gjashtë të dënuar politikë.
Beteja dhe gratë
Nëse do të analizohet raporti i forcave në përleshjen e ndodhur në urën e Hamallajt, atje ka pasur më shumë policë se banorë. Po ajo që të binte në sy ishin edhe gratë me fëmijë që ndodheshin në mes të turmës së rrezikuar.
Dhe në këtë rast konstatojmë një portret të veçantë gruaje dhe nëne nga veriu e cila ka pranë një të re dhe që shprehet me mjaft burrëri se nuk do të ketë burrë që të vërë dorë mbi shtëpinë e saj. Ajo thotë se është e vendosur që të mbrojë pronën dhe nderin e banesës të cilën e ka ngritur me gjak dhe djersë.
Plaka quhet Marie Perlleshi, e ardhur me banim nga viset e Pukës dhe ndërsa flet për "Shekulli"-n ka në krah një vajzë me fëmijë, pjesë e familjes së saj. Ajo tha: "Askush të mos guxojë të ma shembë shtëpinë time, se e kam ngritur me gjakun dhe sakrificat e djemve në emigracion. Djemte i kam refugjatë pa letra në Greqi dhe me paratë e tyre ngrita shtëpinë!"
Përleshja mes banorëve dhe forcave të policisë ndodhi mëngjesin e së enjtes pas përpjekjes së Inspektoratit Ndërtimor për të ndërhyrë për shembjen e ndërtimeve të kryera në Hamall. Si rrjedhojë, mbetën të dëmtuar 3 policë, 5 banorë (mes tyre katër gra), ndërkohë që policia ka vënë në pranga 7 vetë.