E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë FMN!

Bode i premton Fondit Monetar Ndërkombëtar negociata vetëm pas zgjedhjeve të 2009-ës, ndërsa guvernatori Fullani mbështet dhe shprehet pro qëndrimit të FMN-së në Shqipëri

Gjatë ditës së djeshme, ministri i Financave i ka dhënë lamtumirën Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke i premtuar bisedime për një rikthim të mundshëm në vendin tonë vetëm pas zgjedhjeve të vitit 2009. E megjithatë, duket se deklarata e djeshme e Bodes është bërë në kuadër të “marrëdhënieve të mira” me ndërkombëtarët, pasi me largimin e Fondit Monetar nga Shqipëria, një rikthim i mundshëm do të ishte i parealizueshëm. Kjo lidhet me faktin se shpeshherë qeveria ka kërkuar autonomi mbi marrjen e vendimeve financiare, ndërsa ka hasur kundërshtimet e FMN-së, sikurse ishte edhe rasti i fundit për uljen e vlerës së sigurimeve për bizneset lidhur me detyrimet mbi bazat e numrit të punonjësve të regjistruar. “Prej 15 vitesh ne jemi anëtarë të FMN-së, ndërsa qeveria shqiptare do të vazhdojë bashkëpunimin me këtë institucion me marrëveshje të përshtatshme, të cilat do të mund të fillojnë në procesin e bisedimeve vetëm pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”, deklaroi dje Bode. Por largimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar po realizohet në një kohë kur buxheti për vitin 2009 ka arritur një shumë marramendëse, ndërkohë që pritet të ndërmerren edhe mjaft vendime në kuadër të sistemit taksativ dhe atij financiar në tërësi.

Fullani mbështet FMN-në

Në fjalën e tij gjatë konferencës së djeshme të përbashkët për shtyp, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, la të kuptohet se qëndrimi edhe për një farë periudhe i FMN-së është i domosdoshëm. Ai e lidhi këtë domosdoshmëri me përballjen më të fundit të ekonomive të vendeve të ndryshme me krizën financiare dhe frikën pas kësaj krize. “Vizita e radhës e misionit të Departamentit Evropian EU1 të FMN-së kryhet në kuadër të rishikimit të fundit të marrëveshjes aktuale trevjeçare PRGF - EFF, të nënshkruar mes autoriteteve shqiptare dhe Bordit të Drejtorëve të FMN-së. Ky rishikim përkon me një moment delikat, kur ekonomia botërore po përballet me një korrektim global të tregjeve, të një lloji dhe intensiteti të panjohur më parë, ende me shumë pikëpyetje dhe paqartësi, për të ardhmen e afërt dhe atë të largët”, tha dje Fullani. Ndërkohë, ai shtoi: “Duhet thënë se ekonomia shqiptare ka shfaqur një imunitet të admirueshëm. Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim ka dhënë edhe puna e kujdesshme dhe sistematike e Bankës së Shqipërisë, si në drejtimin e ekuilibrit makroekonomik të vendit, ashtu edhe në drejtim të stabilitetit financiar të sistemit bankar”. 

FMN-ja pro ekonomisë shqiptare

Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, ecuria ekonomike e Shqipërisë ka qenë në nivele të kënaqshme. Gjithashtu, sipas Fondit Monetar, edhe inflacioni ka qëndruar në objektivat e vendosura nga Banka Qendrore, çka përbën tregues ekonomiko-financiarë mjaft optimalë. Gjatë konferencës së përbashkët me ministrin e Financave, Ridvan Bode dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Gerwin Bell, tha se bashkëpunimi me institucionet shqiptare ka qenë i kënaqshëm. Sipas tij, aktiviteti ekonomik në Shqipëri është i fortë, ndërkohë që edhe bilanci i pagesave në Shqipëri është i shëndetshëm.

 “Rritja ekonomike në vend për vitin 2008 do të jetë 6 për qind, aq sa edhe ishte programuar nga qeveria shqiptare dhe kjo ecuri e favorshme pasqyron politikat makroekonomike që janë ndjekur”, tha Bell.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›