Mishel Platini, sot në Tiranë

Një nga njerëzit më debatkrijues në futbollin botëror, Mishel Platini, vjen sot sërish në Tiranë, me cilësinë e presidentit të UEFA-s. 53-vjeçari do të pritet si triumfator dhe shpëtimtar nga krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), por edhe nga ministri Ylli Pango i MTKRS-së, autor i një beteje të ashpër ndaj presidentit të FSHF-së, Armand Duka. Të dy palët shpallën fitoren, por synimi për të larguar Dukën nga posti nuk u arrit.
Platini vjen në Tiranë për vizitën e tij të tretë. Më 26 mars 2004, francezi erdhi në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s në përurimin e Qendrës Stërvitore të Kamzës, në krah të ish-kryeministrit Fatos Nano. Këtë herë, takim me kryeministrin Sali Berisha mesa duket nuk do të ketë.
Si trajner i Francës ai erdhi në “Qemal Stafa” më 17 nëntor 1990 dhe fitoi 1-0 për eliminatoret e Euro 1992-it. Platini arriti 8 fitore në 8 ndeshje në eliminatore dhe 19 ndeshje pa humbur duke u shpallur trajneri i vitit në Europë, por u eliminua shpejt nga finalet e Europianit.
Si drejtues ai u zgjodh bashkëpresident i komitetit organizator të Botërorit 1998 ku Franca doli kampione e botës si dhe arriti në rolin e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Më 2006 mundi Lenart Johansonin 27-23 në votimin për president në kongresin e UEFA-s.
Si numri 1 i UEFA-s, ai ka shprehur ide dhe iniciativa që kanë krijuar polemika të mëdha. Dëshiron të ndryshojë Ligën e Kampionëve ku vendet më të mëdha të mos kenë 4, por 3 skuadra përfaqësuese si dhe shpreson që Bashkimi Europian të pranojë formulën 6+5, për të kufizuar praninë e lojtarëve të huaj nëpër klubet e Europës.
Skeda
Emri: Mishel; Mbiemri: Platini; Lindur: 21.06.1955; Vendlindja: Zhëf, Francë; Shtatlartësia: 1.78 m; Roli si lojtar: Mesfushor organizator; Klubet në karrierë: Nansi, Sent Etien, Juventus; Ndeshje me klubet: 432; Gola me klubet: 224; Ndeshje me Francën: 72; Gola me Francën: 41; Titujt i lojtar: Kampion i Europës me Francën më 1984, medalje bronzi me Francën në Botërorin 1986, kampion i Francës më 1981, kampion i Italisë më 1984, 1986, fitues i Kupës së Kampionëve më 1984, i kupës së kupave më 1984, i superkupës së Europës më 1984, i kupës së Italisë më 1983; Çmimet si lojtar: Topi i Artë i Europës 1983, 1984, 1985, “Onze d’Or” 1983, 1984, 1985, Shënuesi më i mirë i Serisë A 1983, 1984, 1985, Lojtari i vitit i “Ëorld Soccerit” 1984, 1985, Shënuesi më i mirë i finaleve të Euro 1984, 9 gola; Ndeshje si trajner i Francës: 23; Rolet administrativë: bashkëpresident i komitetit organizator të Kupës së Botës 1998, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s, president i UEFA-s
Detajet e vizitës
Sot, e martë, 11 nëntor 2008
11.50 Mbërritja e Mishel Platinisë dhe delegacionit të UEFA-s në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas
14.00 Takim i delegacionit në MTKRS me ministrin Ylli Pango, me prani të krerëve të FSHF-së
16.00 Inaugurimi i tapetit të ri të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, me pjesë investimi nga projekti i UEFA-s, “Hatrik 1” (Hattrick 1)
20.00 Darkë zyrtare në hotel “Rogner Europapark” e Platinisë, delegacionit të UEFA-s dhe krerëve e anëtarëve të FSHF-së
Nesër, e mërkurë, 12 nëntor 2008
09.00 Presidenti i UEFA-s do ndjekë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së ku do mbajë edhe një fjalim
10.00 Presidenti Platini dhe delegacioni i UEFA-s do të nisen drejt aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas për t’u larguar nga Shqipëria