As mjekët nuk i lejojnë
Dritan Prifti pati një incident dje paradite me gardistët që ruajnë godinën e parlamentit, ku janë ngujuar deputetët e LSI-së dhe të PDK-së. Në intervistën e tij për “Korrierin”, ai sqaroi se punonjësit e gardës i kishin premtuar atij dhe deputetit të PDK-së, Jak Ndokaj, rikthimin në sallë pas një deklarate për mediat, ndërsa më pas nuk i lejuan të hynin në ambientet ku zhvillohet greva. Madje Prifti shtoi se edhe në momentin kur dy deputetë kishin pasur probleme shëndetësore, garda nuk kishte lejuar hyrjen e mjekëve në sallë, për të verifikuar gjendjen e tyre. Nënkryetari i LSI-së tha se as kryeparlamentarja Topalli e as kryeministri nuk i kishin hapur telefonin për të negociuar lidhur me mundësinë e rifutjes së tij në sallë, por as të mjekëve. Shefi i gardës i kishte thënë vetëm se kishte urdhër të mos lejonte askënd të hynte në sallë. Mandej, Prifti e cilësoi si absurde vijimin e seancës plenare të së enjtes, ndërsa shprehu vendosmërinë për t’i shkuar grevës deri në fund.
Bisedoi: Ilir Saqellari
-Çfarë incidenti ndodhi sot paradite?
Dritan Prifti: “Sot paradite unë dola për të komunikuar me median dhe pastaj nuk më lejoi njeri që të rikthehesha tek shokët. Pavarësisht se nga oficerët atje mora leje dhe më garantuan që do të kthehesha, më pas nuk më lejuan që të rifutesha as unë, as deputeti Jak Ndokaj. Tentuam të futeshim në Kuvend, por na bllokuan 20-30 gardistë. Nuk ishte e mundur që një person t’i çante. Unë habitem se ku bazohen! Në çfarë ligji bazohen, sepse nuk ka asnjë ligj në Republikën e Shqipërisë që të ndalojë deputetin të hyjë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo është detyrë. Nuk ka asnjë rregull në grevë urie, që ti të ndalosh deputetin të hyjë dhe të dalë, të komunikojë me median, të komunikojë me publikun, të komunikojë me familjarët e deputetëve, të cilët janë shumë të shqetësuar. Megjithatë, Berisha nuk ka asnjë kufi në mizorinë e vet, nuk ka asnjë kufi në shpirtligësinë e vet dhe sigurisht në një moment pastaj, i mbështetur edhe nga Rama, i duket vetja që është shumë i fortë”.
-A mund të hyjë dikush tjetër në sallën e Kuvendit?
“Absolutisht askush! Erdhi para gjysmë ore një ambulancë, sepse dy deputetë kishin pasur probleme me tensionin. Deputeti Braho dhe Tola kanë pasur luhatje me tensionin dhe kërkuan që të bëhej një matje tensioni dhe të verifikohej gjendja e tyre, por garda i tha mjekut që “nuk ju lejojmë të hyni, sepse kemi urdhër që të mos futet askush”. As në vendet ku luftohet nuk ndodh që të refuzohet kujdesi shëndetësor, por Berishës dhe Ramës u duket vetja se janë shumë të fortë tani dhe mund t’i marrin jetën çdokujt”.
-A keni tentuar të negocioni me kryetaren e Kuvendit, të paktën për të lejuar hyrjen e mjekëve?
“Kryetarja e Kuvendit dhe kryeministri nuk ma kanë hapur telefonin. Kam folur me sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit. Ai më tha: “Unë kam urdhër të mos të afrohem fare tek Kuvendi dhe kështu që nuk mund t’ju jap asnjë lloj ndihme”. Kemi folur me komandantin e gardës dhe ai tha që “unë kam urdhër që të mos lejoj pa përjashtim asnjë të futet në sallën e kuvendit tek deputetët”. Kështu që përballë kësaj mizorie dhe kësaj diktature ne deri tani kemi qenë të dobët, nuk kemi arritur dot të futemi në Kuvend”.
-U fol më përpara për një zhurmues që nuk lejonte që deputetët të komunikonin me telefon...
“Zhurmuesi është sekuestruar nga deputetët. Asnjërit prej tyre nuk i punonte celulari dhe dyshuan që duhet të ishte vendosur në sallën e Kuvendin ndonjë pajisje që bënte bllokimin e valëve të celularit, dhe në fakt e gjetën këtë pajisje. Një pajisje që shkatërron valët e celularit dhe një pajisje tjetër përgjuese. E kanë sekuestruar atë dhe tani e kanë në posedim deputetët këtë pajisje”.
-Jeni i sigurt që ka qenë përgjues kjo pajisje?
“Unë nuk e kam parë vetë me sytë e mi, por kam dëgjuar prononcimet e deputetëve nga brenda dhe më kanë informuar që ajo ka qenë një pajisje shkatërruese valësh, por mbase edhe përgjuese. Asnjë nga deputetët që është brenda nuk është specialist i përgjimit, por fakti është që pas fikjes së asaj pajisjeje, filluan të punojnë celularët”.
-Çfarë parashikohet të ndodhë të enjten? Pra, nëse greva do të vazhdojë, do të ketë seancë dhe çfarë do të bëni ju?
“Nuk besoj se guxon kush të bëjë seancë në një sallë kur deputetët janë në një grevë urie. Nuk e di, Berisha dhe Rama çdo gjë mund të tentojnë, çdo gjë mund të bëjnë, mbetet për të parë ditën e enjte se çfarë do të ndodhë”.
-Ju jeni i vendosur që t’i shkoni deri në fund grevës së urisë nëse nuk plotësohen kërkesat tuaja?
“Absolutisht. Ne nuk jemi as fëmijë, nuk jemi as të papjekur. Ne kemi marrë një vendim me bindje të plotë. Një vendim mbi të gjitha sensibilizues, një vendim korrigjues për demokracinë në Shqipëri. Duhet ta kuptojnë të gjithë shqiptarët, që 18 vjet pasi është rrëzuar komunizmi dhe stalinizmi, të rivendoset sërish stalinizmi. Stalini ka thënë: “Populli voton dhe ne numërojnë”. Është e njëjta gjë që po bën Berisha me Ramën. I kërkojnë popullit të votojë dhe ata të dy pastaj të numërojnë votat, ta ndajnë rezultatin në tavolinë, pavarësisht vullnetit të popullit. Ne kemi luftuar, kemi qenë studentë të dhjetorit. Ilir Meta, unë, Ndre Legisi e shumë të tjerë që janë të ngujuar brenda, kanë qenë pjesë e protestave studentore për demokraci. U vendos demokracia në ato përpjeke. Ne nuk kemi në plan të tërhiqemi pa rivendosur të drejtën e votës dhe demokracinë në këtë vend”. saqellari@korrieri.com