E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë Harold Pinter! Shuhet dramaturgu nobelist

Harold Pinter, shkrimtari dhe dramaturgu britanik, fitues i çmimit "Nobel" për letërsinë në vitin 2005, ndërroi jetë dje në moshën 78-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga bashkëshortja Antonia Fraser. Ai prej vitesh po mjekohej për kancer.
Klasiku i dramaturgjisë së viteve ‘900, e përjetoi momentin e tij më të mirë krijues në vitet ‘60-‘70, kur ishte pjesë e gjeneratës së "angry young men", i të rinjve të zemëruar, që në gjurmët e teatrit të absurdit, të Ionesco, Beckett dhe Adamov kishin revolucionarizuar skenën teatrore. Teatri në ato kohë përjetonte momente të begata, në të cilën rrëfehej për vetminë e njeriut dhe absurdin e të jetuarit, si dhe denonconte kushtëzimin në të folur. Pinter nuk ishte thjesht dhe vetëm një dramaturg i jashtëzakonshëm, por ai ishte edhe poet, regjisor, si dhe një skenarist mjaft i mirë kinematografik. Erion Hinaj, ngjiti në skenën e Teatrit Kombëtar një vepër të Harold Pinter. Me "Kamerieri memec", të Pinterit, ai u shpall fitues i Festivalit Teatror të të Rinjve, i cili u zhvillua gjatë muajit tetor. Ndërkaq, në shqip, ka ardhur edhe "Xhuxhët", romani i parë dhe i vetëm i shkruar prej nobelistit. Bir i një rrobaqepësi hebre, Pinter lindi në vitin 1930 në Hackney, Londër. Në moshën 19-vjeçare, nën pseudonimin David Baron, ai nis të interpretojë si aktor në dramat e Shekspirit, në disa qendra të vogla irlandeze. Kjo eksperiencë, më vonë do të ishte thelbësore për karrierën e tij si dramaturg. Kritika e kthen vëmendjen nga ai me "The Room" ("Dhoma", 1957), e cila përfaqëson një vend sigurie dhe mbrojtjeje, por edhe frike e ankthi. Modelet e tij letrare janë Beckett e Kafka dhe gjurmët e tyre janë të ndjeshme në krijimtarinë e tij, në ambientet klaustrofobike, në temat e moskomunikimit, në ndjesitë e të ndjerit i kërcënuar dhe i shtypur, në motivin e heshtjes, që bëhet gjithnjë e më e kuptimtë e më domethënëse se dialogu.
Harold Pinter lindi në Londër më 10 tetor në vitin 1930. Ka shkruar për teatrin, radion, televizionin dhe kinemanë. Punët e tij të para janë konsideruar si kryeveprat e teatrit të absurdit.
Fillimi i karrierës
"Veprat e para të Harold Pinterit u masakruan prej kritikëve. Me përjashtim të Harold Hobson, të gjithë shkruan se ai ishte një autor ekscentrik, i papranueshëm, i pakuptueshëm dhe që nuk kishte asgjë për të thënë. Sot ndoshta është autori më i përfaqësuar në botë, por siç edhe e ka thënë vetë, "tani jam bërë i kuptueshëm, i pranueshëm, e megjithatë komeditë e mia janë të njëjtat me të parat. Unë nuk kam ndryshuar asnjë batutë". Pinter lindi në Hackney, Londër dhe studioi në "Hackney Downs Grammar School" dhe për një kohë të shkurtër edhe në "Royal Academy of Dramatic Art" (RADA). Në moshë të re, publikoi disa poezi dhe nisi të aktrojë në teatër me emrin e artit. Komedia e tij e parë "The Room", u interpretua për herë të parë nga studentët e universitetit të Bristolit në vitin 1957.
"The Birthday Party" (e shfaqur për herë të parë në vitin 1958) fillimisht nuk u vlerësua, pavarësisht recensës pozitive në gazetën "Sunday Times" shkruar prej kritikut të teatrit, Harold Hobson. Por suksesi i punës së tij pasardhëse "The Caretaker" (1960), i dha suksesin e shumëpritur. Këto katër komedi, si dhe disa punë të tjera të para si "The Homecoming" (1964), ndonjëherë etiketohen si "komedi e kërcënimit". Zakonisht ato nisin me një situatë e cila në dukje është e pafajshme dhe që papritmas kthehet absurde dhe kërcënuese, sepse aktorët nisin të sillen në mënyrë të pashpjegueshme si për publikun që i ndjek nga salla ashtu edhe për vetë personazhet. Ky stil që Pinter zgjedh në krijimet e tij ka bërë që fjalorit anglez t‘i shtohet edhe termi "Pinteresque". Veprat e Pinterit janë të influencuara së tepërmi edhe nga krijimet e Samuel Beckett dhe shumë shpejt të dy u bënë miq mjaft të mirë.
Zhvillime të reja
Harold Pinter në vitet ‘70 iu kushtua shumë regjisë. Ai nisi si regjisor i asociuar fillimisht në "Royal National Theatre". Veprat e tij të cilat i ngjiti në skenë gjatë këtyre viteve, kanë si tendencë të jenë më të shkurtra dhe me argumente më tepër politike duke u shfaqur shpesh si alegori të shtypjes së popullatës si pasojë e politikës. Ndodhi pikërisht në vitet ‘70 që Pinteri nisi të interesohej edhe për politikë me një orientim drejt së majtës. Ai vazhdimisht kërkon që të sjellë në qendër të vëmendjes së opinionit publik çështje të dhunimit të të drejtave njerëzore. Letra të Pinterit shpesh shfaqen në të përditshmet britanike si "The Guardian" e "The Independent". Në vitin 1985 Pinter shkoi në Turqi me komediografin amerikan, Arthur Miller, ku u takua me shumë viktima të politikës në vend. Gjatë një ceremonie në ambasadën amerikane të zhvilluar për nder të Miller, në vend që të nderonte pjesëmarrësit me heshtjen e tij, Pinter foli për të gjithë ata njerëz që ishin torturuar me goditje elektrike në organet gjenitale. E përzunë prej ambasadës (Miller, për ta mbështetur u largua bashkë me të). Eksperienca e Pinterit në Turqi frymëzon komedinë e vitit 1988 "Mountain Language". Pinter iu kundërvu edhe pushtimit Afganistanit e Irakut nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2005 ai lajmëroi se rreshti së shkruari komedi për t‘iu kushtuar politikës. Ai ishte kategorikisht kundër luftës në Irak dhe e ka cilësuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Xhorxh Bush, si një vrasës dhe ish-kryeministrin britanik, Toni Blair, një idiot. Në tetorin e vitit 2005, Akademia e Suedisë bën të ditur se Pinter ishte fitues i çmimit "Nobel" për letërsinë me motivacionin: "Në komeditë e tij ai zbulon atë çka fshihet nën bisedat e përditshme dhe të shtyn të hysh në dhomat e mbyllura të shtypjes politike".
Në vitin 2006 ai vlerësohet me çmimin "Evropa për Teatrin". Në muajin janar të vitit 2007, Kryeministri francez, Dominic de Villepin, i dorëzon "Legion d‘onore".
Krijimtaria kinematografike
Pinter shkroi skenarin e tij të parë kinematografik "The Servant", në vitin 1962. Në vazhdim ai shkroi skenarë për të tjerë filma. Ai ka publikuar edhe një skenar bazuar në "Në kërkim të kohës së humbur" të Marcel Proust, skenar i cili megjithatë asnjëherë nuk u realizua si film. Por edhe disa prej komedive të Pinterit janë realizuar në film: "The Caretaker" (1963), "The Birthday Party" (1968), "The Homecoming" (1973) dhe "Betrayal" (1983). Ai është dominuar për çmimin "Oscar" për skenarin më të mirë jo origjinal. Vetë Harold Pinter ka interpretuar në filmin "Rrobaqepësi i Panamasë" me aktorin Pierce Brosnan. Është kujdesur për skenarin e filmit "Sleuth - Të padyshuarit" (2007) i Kenneth Branagh me aktorët Michael Caine e Jude Law.
Jeta personale
Në vitin 1977, Pinter shkaktoi një skandal publik duke u ndarë nga bashkëshortja e tij, aktorja e mjaft problemeve, Vivien Merchant, me të cilën u martua në vitin 1956. Ishte dashuruar me Antonia Fraser, vajzën e madhe të Lordit të shtatë Longford. U martua me të në vitin 1980 pas divorcit me aktoren Merchant, e cila ndërroi jetë dy vite më pas më 1982. Komedia e Pinterit "Betrayal" (1978) shpesh konsiderohet si përfaqësuese e kësaj historie dashurie, por në të vërtetë ajo është bazuar në një marrëdhënie që autori kishte pasur shtatë vjet më parë me Joan Bakewell, një prezantuese televizive. Në vazhdim ai pati edhe një debat publik me regjisorin Peter Hall, sepse ky i fundit në ditarin e tij "Hall" të vitit 1983 e cilësonte si një pijanec. Megjithatë, ky debat nuk influencoi në miqësinë e tyre. Në vitin 2002 i nënshtrohet një kimioterapie për një tumor në ezofag dhe që prej asaj kohe, shëndeti i tij ishte i brishtë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›