Lamtumirë Lenin? Jo, faleminderit!
Atëherë dhe dikur. Në bisedat e atyre që kanë mbetur në Wittemberge, një qytezë në mesin e rrugës mes Berlinit dhe Hamburgut, në atë që deri 20 vjet më parë ishte Gjermania Lindore, shprehjet që përdoren më dendur janë dy: atëherë dhe dikur. Atëherë në Wittemberge ndodhej fabrika e makinave për të qepur, më e madhja në botë dhe madhështia e kullës së sahatit në zonën industriale mund të krahasohej me atë të “Big Ben”-it. Por kur flasin për kohën e atëhershme banorët e Wittemberge nuk u referohen 2-3 viteve të fundit, por flasin për vitet ‘80 të shekullit të kaluar. Me këtë term përfshihet gjithçka para viteve 1990, para se bashkimi i dy Gjermanive të përplasej si një dallgë e fuqishme mbi këtë qytezë të vogël që shtrihet mbi Elbe. Po sot? Si paraqitet jeta e njerëzve, që nga një ditë te tjetra e kanë parë veten në një sistem tërësisht të ndryshëm, duke humbur siguritë, pikat e referimit dhe shumë shpesh edhe vendet e punës? Këtë pyetje i kanë bërë vetes disa studiues gjermanë që kanë zgjedhur Wittemberge për një projekt gjigant sociologjik, diçka të ngjashme me eksperimentin që u përpoq të bënte në vitet ‘30 të shekullit XIX Paul Lazarsfeld në një studim monumental mbi të papunët e Marienthal (afër Vjenës) e që më vonë u bë një klasik i sociologjisë. Për tre vjet rresht, nga fillimi i vitit 2007, në fund të 2009-s, 28 veta, mes të cilëve sociologë dhe etnologë gjermanë, kanë studiuar nga afër jetën e Wittemberge, duke intervistuar, vëzhguar dhe duke marrë pjesë direkt në jetën e njerëzve. Madje disa prej tyre erdhën të jetonin aty. Objektivi: të kuptonin se si një qytet, jo vetëm i ish-Gjermanisë Lindore, reagon ndaj deindustrializimit dhe çfarë i mban bashkë banorët, kur gjithçka rreth tyre nis të shkatërrohet. Kërkuesit që i paraqitën rezultatet e tyre pak ditë më parë në të përjavshmen “Die Zeit”, nuk mund të gjenin shembull më të mirë. Deri në vitin 1990 në Wittemberge jetonin 40000 persona, ndërsa sot pas mbylljes në vitet ‘90 të aktiviteteve të pakta industriale që ekzistonin në vend, duke nisur që nga fabrika e makinave qepëse Singer, jetojnë jo më shumë se 19000. Ata që kanë ngelur, sidomos të rinjtë, nuk ngurrojnë të largohen me mundësinë e parë që u jepet. Në këtë mënyrë me zhdukjen e Gjermanisë socialiste janë zhdukur edhe shpresat e shumë njerëzve. është pikërisht ky rezultati kryesor i studimit. Sot Wittemberge është i ndarë mes “fituesve” dhe humbësve të bashkimit të Gjermanive. Por këta dy grupe kanë përfunduar duke u ndarë edhe fizikisht. Kështu “fituesit” shkojnë për të jetuar në lagjet periferike, ndërsa humbësit, ata që tashmë nuk kanë një punë, qëndrojnë në qendër të qytetit, aty ku gjithçka po shkatërrohet dita-ditës. Në vend ka rrugë ku shihen vetëm pallate të rrëzuara dhe një sipërmarrës që merr me qira lagje të tëra të braktisura për industrinë kinematografike, që i përdor si sfond për filmat e ambientuar në kohën e pasluftës. Që prej vitit 1990 në Wittenberge janë xhiruar më shumë se 14 filma.
Megjithatë qytetarët kanë zhvilluar strategjitë e tyre për t’i rezistuar përditshmërisë së vështirë dhe zhdukjes së premtimeve se pas bashkimit të dy Gjermanive jeta e tyre do të ishte shumë herë më e mirë. Të vetmit punëtorë në qytet janë ata që pastrojnë rrugët, edhe pse nëpër to nuk sheh thuajse asnjë mbeturinë. Përkundrazi, ata që nuk kanë asnjë punë shpikin lloj-lloj angazhimesh për t’i dhënë një lloj forme ditës së tyre. Për shembull të diskutosh mbi çmimet e benzinës, edhe pse nuk ke makinë, apo të merresh me uljet, duke planifikuar blerje në bazë të fletushkave që shpërndahen nëpër qytet për përgjysmimin e çmimeve të mallrave për sezonin. Konsumi është bërë një “zëvendësues” i jetës punëtore, ndërsa uljet një gjetje sociale, tregon profesori i sociologjisë, Heinz Bude, që ka marrë pjesë në këtë kërkim. E paimagjinueshme deri 20 vjet më parë në Lindjen socialiste. E tillë duket se është edhe përgjigjja e dhënë gjatë këtij eksperimenti nga një mësues vendas i liceut: “Në shkollë përgatisim fëmijët për kapitalizmin”.
#