Komunat neglizhojnë deklarimin e të punësuarve
Puna në të zezë shfaqet në shifra shqetësuese, jo vetëm për sektorin e ndërtimit dhe shërbimeve turistike sezonale në Sarandë, por edhe nga institucionet shtetërore. Lajmi pohohet nga drejtori i Zyrës së Punësimit, Petraq Bereti. Sipas tij, nga sondazhet e kryera edhe nga inspektorati shtetëror i punës, ka rezultuar se një varg subjektesh shtetërore neglizhojnë deklarimin e të punësuarve prej tyre, edhe pas kërkesave të përsëritura nga zyra e punësimit. Bëhet fjalë për disa komuna e bashki në nënprefekturë, që nuk deklarojnë fuqinë punëtore të punësuar, duke lënë në hije detyrimin për lidhjen e kontratave të punës. Këtë shqetësim, Bereti e ka bërë prezent disa ditë më parë edhe te nënprefekti i Sarandës, Gjergji Mano, i cili e ka përcjellë me vëmendje shqetësimin e prezantuar në këtë fushë. Nënprefekti Mano tha se brenda dhjetëditorit të parë të marsit problematika në zbatimin e ligjit të punësimit, së pari nga subjektet shtetërore, do të bëhet objekt i një tryeze ballafaquese me pjesëmarrjen e Drejtorisë së Tatim-Taksave, të Sigurimeve Shoqërore dhe asaj të Punësimit. Mano vlerësoi se luftimi i informalitetit dhe punës së zezë në subjektet buxhetore i shërben edhe marrjes së një panorame të saktë edhe për shkallën e papunësisë.
#