E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurs trajnimi për gratë shtatzëna

Fizkulturë, shoqëri, këshillim me specialistë, më pak kilogramë dhe stres për nënat e reja

Nëse jeni shtatzënë, apo keni pranë një grua që pret një fëmijë, dy apo tre, dhe vëreni humor të keq, probleme me peshën apo ankesa të vazhdueshme, nuk jeni të vetmit... Në përgjithësi këto janë shenjat normale të një shtatzënie në Shqipëri, në Kinë e në mbarë botën. Nuk janë ëmbëlsirat, ushqimet pa masë dhe gjumi i vazhdueshëm trajtimi më i mirë. Do të mjaftonte një fjalë e mirë, një aktivitet i vogël apo edhe pak gjimnastikë e thjeshtëzuar për t’u kthyer humorin grave shtatzënë. E ndërkohë që ata mendojnë se është mirë të qëndrojnë në shtrat dhe të ushqehen sa për dy veta, më mirë të bëjnë një sforco dhe të ndjekin aktivitete, sesa të “trashin” trurin në shtëpi me “përse”.
Nisur nga të gjitha këto, si dhe sugjerimet e vazhdueshme në tre qytete të vendit, Tiranë, Shkodër dhe Elbasan, zhvillohet në mënyrë periodike projekti për “trajnimin” e grave shtatzëna.
Në këtë trajtim përfshihen këshillimi, trajtimi i problemeve të ndryshme gjatë shtatzënisë, fizkulturë, si dhe orientime për një shëndet më të mirë dhe lindje më të lehtë.

Risia

Risia është vendosur në zbatim pas një organizimi të shoqatave të grave dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, duke gjetur më pas edhe fonde për ta realizuar projektin. Deri tani ai është shtrirë vetëm në tre qytete të vendit. Ata që kanë bërë promovimin e kursit, por që kanë dhënë edhe sugjerimet, kanë qenë mjekët e konsultores së gruas. “Vetëm në Elbasan, në këto trajnime morën pjesë 13 mami, 4 të maternitetit dhe 9 të konsultoreve të gruas. Kursi zgjat tre muaj, dy herë në javë me kohëzgjatje një orë secili, takim ku alternohet pjesa teorike me pyetje të ndryshme dhe ushtrime të lehta”, tha koordinatorja e projektit në qytetin e Elbasanit, Luljeta Qose. Sipas saj, në këto takime morën pjesë mjekja, 4 mamitë, mësuesja e aerobisë, punonjësja sociale, koordinatorja e projektit. Në këto takime prezantohen problemet e hasura dhe prezantohen zgjidhjet më të mira të mundshme edhe në realizimin e këtij aktiviteti.

Gratë shtatzëna

“Kursi ka qenë një motivim për të gjitha gratë, që kryesisht gjejnë një shkak për të dalë nga shtëpia, për të mos ndenjur të mbyllura dhe për të folur edhe me persona të tjerë që ndodhen në gjendjen e tyre. Ushtrimet fizike i kanë aktivizuar ato, ndërkohë që një pjesë e mirë e tyre pas takimeve të para prisnin me padurim aktivitetin e radhës”, sqaron Qose.

Sipas saj, kursi për gratë shtatzëna ka sjellë ulje të stresit, rritje të optimizmit, si dhe rezultate të kënaqshme për të gjitha ato gra të cilat kanë marrë pjesë. Ndër tre qytetet që realizojnë projektin duket se më i njohuri e më i suksesshmi është kursi që zhvillohet në qytetin e Shkodrës. Ndërkohë që asistenca më e mirë për trajnuesit jepet në Tiranë, pranë qendrave të kujdesit të grave, organizatave jofitimprurëse.

Sakaq, gratë shtatzëna kanë mundësi që nëpërmjet kurseve të tilla të marrin më shumë përvojë dhe të mësojnë më tepër mbi kohën e pritjes së fëmijës, por njëkohësisht edhe për të marrë këshilla të vlefshme për momentin e lindjes e më pas përkujdesjes për fëmijët. Ndërkohë që përfitojnë edhe heqjen e disa kalorive, nëpërmjet kontrollimit të frymëmarrjes dhe aerobisë.

“Koço Glozheni”

Këtë vit në maternitetin “Koço Glozheni” numri i nënave të cilat kanë humbur jetën gjatë lindjes ka qenë zero. Ndërkohë që ka pasur ulje edhe të vdekshmërisë foshnjore, me një përqindje të konsiderueshme. Por ajo që vihet re gjatë vitit 2009, është ulja e numrit të lindjeve, kjo krahasuar me një vit më parë. Të dhënat janë bërë publike gjatë analizës së detajuar të punës në maternitetin “Koço Glozheni” nga drejtuesja e këtij institucioni, Rubena Moisiu. Konkretisht, sipas analizës së punës vjetore, në vitin 2009 kanë lindur në këtë maternitet 4090 bebe, më pak se në 2008-n, kur numri i lindjeve numërohej plot 4138.
Ka pasur 353 lindje të parakohshme gjatë vitit që lamë pas, ndërkohë që janë regjistruar 118 vdekje foshnjore.

“Mbretëresha Geraldinë”

Këtë vit në total rezulton të kemi më shumë lindje në qytet sesa në fshat. Kjo edhe për shkak se shumica e nënave preferojnë të vijnë në qytet për të kryer lindjet. Sipas të dhënave të raportuara, rezulton se shumica e lindjeve në vitin 2009 janë kryer në qytet, në fshat dhe më pas në rreth. Në analizën vjetore të punës, në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, kreu i këtij institucioni, Halim Kosova, ka referuar mbi lindjet, diagnozat më të shpeshta të hasura përgjatë një viti, si dhe për projektet e vitit 2010. Konkretisht, sipas Kosovës, lindjet premature kanë qenë 26057 bebe kanë lindur me infeksione, 44 foshnja kanë lindur me deformime të gjymtyrëve, 37 me anomali të organeve gjenitale. Rreth 26 nëna kanë pasur problemin e rritjes së ngadaltë të fetusit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›