E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritet numri i të prekurve nga tumoret, më shumë femra

Fier Mjekët: Shkaqet janë ndotja, kequshqyerja dhe edukata shëndetësore

Shtohet numri i të prekurve nga sëmundjet tumorale në Rrethin e Fierit. Zyrtarisht Drejtoria e Spitalit rajonal në Fier deklaron se gjatë vitit 2009 numri i të prekurve nga sëmundjet e pashërueshme tumoriale ka qenë 500, ndërkohë që një vit më parë ky numër ka qenë 370. Drejtoresha e spitalit rajonal, Donika Alushani, specifikon se pjesa më e madhe e personave të prekur nga kanceri janë femra. “Janë një sërë faktorësh që kanë ndikuar në shtimin e numrit të rasteve, aq më shumë te seksi femër", është shprehur tepër e shqetësuar drejtoresha e spitalit. Ndërsa gjatë 2008-s kanë qenë meshkujt ata që janë prekur më shumë nga kanceri, gjatë vitit 2009 seksi i dobët ka qenë në krye të listës. Tumoret më të shpeshta te gratë kanë qenë ato që prekin gjirin. “Për ne si drejtori spitalore, faktin që femrat janë më të prekura nga kanceri i gjirit, e lidhim me mungesën e kujdesit të tyre ndaj shëndetit. Ato duhet t’i nënshtrohen sistematikisht mamografisë dhe pap-testit, sidomos pas periudhës së menopauzës. Me gjithë nismën e ndërmarrë nga ne për kryerjen e këtyre dy diagnostikimeve, sërish shihet një mungesë e theksuar e sensibilizimit të grave”, ka thënë më tej drejtoresha e spitalit të Fierit, Donika Alushani.

Tumoret më të shpeshta pas atij të gjirit kanë qenë në prostatë, por dhe në organet e brendshme. Kristaq Qirushi, mjek onkolog, është shprehur se edhe kequshqyerja apo dhe ushqimi jocilësor kanë ndikuar në shtimin e numrit të personave të prekur nga sëmundjet tumorale. Gjithashtu, specialistët e shëndetësisë pohojnë se Fieri, duke qenë zonë mesdhetare, si dhe një nga qytetet më të ndotur në vend edhe nga industri të ndryshme, futet në listën e qyteteve me numrin më të madh të rasteve me kancer. Prej disa vitesh shifrat e të sëmurëve me këtë sëmundje janë duke u shtuar, ndërkohë që edhe niveli i vdekshmërisë te kjo kategori të sëmurësh ka qenë tepër i lartë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›