Trashëgimia, çmime qesharake, 400 mijë lekë gjithë muzeu

Drejtori i Qendrës së Inventarizimit, Izet Duraku
Objektet muzeore ruhen me regjistrat e diktaturës.
Drejtori i Inventarizimit, Izet Duraku, denoncon shtyrjen e rivlerësimit monetar.
Vetëm në Shqipëri një shpatë mesjetare apo e shek. XVII, qoftë ajo edhe e ndonjë sulltani, kushton 100 apo 200 lekë (të rinj).
Për të bërë dallimin, mjaft të kërkosh në internet për objekte të ngjashme e shifrat të dalin me shumë zero. Edhe pse prej vitesh specialistët ngrenë zërin për rivlerësimin monetar të objekteve të trashëgimisë kulturore, të cilat rezultojnë që nga koha e diktaturës, ende nuk është bërë asgjë. Për drejtorin e Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, momentalisht ky është një nga problemet më të mëdha. Sipas tij, institucione si muzetë apo institute që kanë në fondet e tyre të tilla objekte, nuk duan të marrin më shumë përgjegjësi mbi vete. Sa më e lartë të jetë vlera e objekteve që ruajnë, aq më e madhe përgjegjësia, le pastaj të bësh edhe bilancet e dokumentacionet nga e para. Çmimet aktuale janë aq qesharake, saqë gjithë pasuria e një muzeu mund të shkojë në 400 mijë lekë të rinj.
Muaj më parë, ju hapët një fushatë sensibilizimi për regjistrimin e trashëgimisë kulturore, në çpikë është ky proces?
Deri tani kemi regjistruar 80 mijë objekte të trashëgimisë kulturore materiale, që përfshijnë fushat e arkitekturës, arkeologjisë, arteve pamore dhe etnografisë. Kemi arritur thuajse në përfundimin e regjistrimit në të gjithë rrjetin muzeor të vendit, përveç disa muzeve privatë dhe ndonjë muzeu periferik, që ka qenë i dëmtuar dhe po bëhet ringritja e tij. Shumica e muzeve dhe galerive të artit janë të kataloguara. Në këtë kuptim, ne tashmë jemi më të përgatitur për gjithçka që mund të na ndodhë.
Përveç grabitjeve, që tashmë është bërë publike edhe shifra (22 mijë), ekziston edhe një problem tjetër, që është ai i rivlerësimit të objekteve, çështë bërë deri tani?
E kam ngritur edhe herë të tjera këtë problem. Ekziston nevoja për një ndryshim sa më të shpejtë të inventarit dhe çmimeve të objekteve. Në shumë vende nuk kanë ndryshuar dhe vazhdojnë të jenë si para viteve 90. Si duket, nuk duan të krijojnë telashe për veten e tyre, ndoshta është edhe presioni i financierëve, të cilët nuk duan të ndryshojnë bilancet e tyre dhe të nisin nga e para. Nga një institucion që duket i varfër, pasuria e të cilit mund të jetë 4 milionë lekë të vjetër, mund të kthehet në një institucion me vlerë 5-6 milionë euro. U duket e frikshme kjo shifër. Kjo rrit përgjegjësinë e tyre, por edhe të shtetit për të ruajtur këto objekte. Cili është ai rajon policie që do të ruante një objekt që do të vlente shumë më pak se një apartament, ose një objekt që ende kushton 1 mijë lekë të vjetër? Po ju marr si shembull një shpatë të shek. XVII, për të cilën ekzistojnë referenca që shkojnë deri në 30 mijë euro. Kjo është qesharake dhe nuk shkon në favor të ruajtjes, por të shpërdorimit.
Keni vënë re të tilla?
Fatmirësisht këto objekte ruhen në fondet e Qendrës Albanologjike, ruhen mirë, brenda kritereve, por as ata nuk e kanë bërë këtë lloj ndryshimi.
Si janë me inventarët, pasi deri vonë ende nuk dinin çkishin në fondet e tyre?
Këtë nuk mund ta them unë… Sipas të gjitha ligjeve, çdo 5 vjet bëhet një inventar i gjendjes se çfarë ka, çfarë ka humbur, çfarë ka ndryshuar… Në fushën e trashëgimisë, asgjë nuk del jashtë përdorimit. Edhe kur thyhet diçka, ndodh restaurimi ose, edhe nëse nuk arrihet, ruhen copat, të cilat janë dëshmi e një katastrofe, shkatërrimi, djegieje apo çfarëdolloj qoftë…
Që kjo punë të mos varet nga kapriciot e financierëve, cila është rrugëzgjidhja?
Kam propozuar të bëhet një vendim i Këshillit të Ministrave. Thjesht urdhri i ministrit është brenda Ministrisë, por kjo pasuri nuk është e gjitha në varësi të këtij institucioni, por edhe të pushtetit lokal, pra duhet angazhuar edhe Ministria e Brendshme, Ministria e Arsimit që ka Institutin e Antropologjisë, Gjuhësisë. Pra, duhet të jetë një vendim mbi ministritë, pra i Këshillit të Ministrave, që të vendosë dhe afatet se kur duhet realizuar kjo. Momentalisht ne po bëjmë një bilanc të gjendjes së muzeve dhe do të hartojmë një draft për Këshillin e Ministrave.
Ndihet ndonjë lloj sensibilizimi tek privatët?
Ka një gjallërim edhe tek privatët, kemi më shumë se 50 koleksionistë privatë mjaft të suksesshëm, një pjesë e të cilëve po bëhen gati të hapin ekspozita e më vonë muze. Në Durrës pritet të hapet muzeu i stolive të gruas shqiptare, diçka shumë delikate, që përfshin gjithë trevat shqiptare. Punime shumë të bukura, por dhe ato të rrezikuara, sepse janë jashtë prodhimeve. Ajo çka bie në sy, është bartja e trashëgimisë brez pas brezi, që nga lashtësia, nga gjetjet arkeologjike, e më vonë. Dhe ne nuk kemi të drejtë ta humbasim.
Tashmë në Qendrën e Inventarizimit vjen dhe databaza e isopolifonisë si një paketë e plotë…
Ne kemi për detyrë të bashkëpunojmë me të gjitha institucionet e specializuara, qofshin publike, ashtu dhe private. Kjo është një përvojë shumë e madhe, sepse janë 1400 zëra të kataloguar në këtë databazë, të cilat ne do ti shfrytëzojmë duke i futur në formatin e një pasaporte për të gjitha njësitë e kësaj trashëgimie. Sepse nuk është vetëm polifonia, por edhe shumë kryevepra të trashëgimisë shpirtërore, për të cilat ne kemi detyrime dhe duhen unifikuar e duhen ruajtur, si shumë të rëndësishme, duke qenë se janë tonat.
Sa e rëndësishme është një databazë e tillë?
E rëndësishme është njohja e kësaj pasurie, e cila nuk është thjesht kombëtare por edhe rajonale, njohja nga studiuesit, njohja e gjendjes, e cila të jep mundësi ruajtjeje, konservimi dhe zhvillimi të saj, planifikimin e aktiviteteve nga MTKRS apo pushteti lokal.
Nëse tek pasuritë materiale humbjet apo shkatërrimet janë të dukshme, të prekshme, si paraqiten dëmtimet te pasuria shpirtërore?
Humbje ndodhin edhe këtu, por janë të pandjeshme, sepse janë gjëra të paprekshme, shpirtërore, nuk mund të verifikohen, por ndërkohë rrënimi ka ndodhur. Kjo është edhe më e dhimbshme, sepse për diçka që nuk e njeh, nuk je i vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur dhe nuk merr masa.
Vaso Tole, një databazë për isopolifoninë
Gjatë prezantimit të databazës së isopolifonisë në MTKRS
Për të mësuar gjithçka mbi isopolifoninë, mjafton vetëm një klikim në internet. Me një pasuri prej 1400 zërash, akademiku Vaso Tole arrin të realizojë databazën e njërës prej pasurive më të shquara shpirtërore shqiptare. Finalizimi i një pune të gjatë kërkimore dhe hulumtuese u prezantua dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, e vlerësoi këtë nismë, duke theksuar gjithashtu rëndësinë që ka katalogimi dhe ruajtja e vlerave të trashëgimisë shpirtërore. Duke pasur parasysh, shtoi ministri, se sa e pasur është Shqipëria me vlera të trashëgimisë kulturore, ky është vetëm fillimi i punës për vlerësimin e kësaj trashëgime përmes formave të regjistrimit dhe katalogimit. Ndërsa akademiku Vaso Tole tha se përmes këtij siste
