E Diel, 1 Nëntor 2026

Lamtumirë aerobisë, në palestër hyn erosi

Kurse striptizmi dhe imitime që ndihmojnë në ndryshimin e jetës në çift. Akrojoga, që me pak vështirësi të mëson të ndihesh mirë me veten dhe të tjerët. Leksione të rëndësishme për t‘i ngjarë Angeline Jolie si në filmin "Tomb Rider". Bota e qendrave sportive ka ndryshuar, nuk është më për të rënë nga pesha, por për të rritur vetëvlerësimin

Nëse keni vendosur që të regjistroheni në palestër, atëherë mos i shpenzoni paratë për të bërë gjimnastikë. Është më mirë që me ato para të blini rroba të reja, sandale dhe këpucë me taka, maska, veshje intime dhe rroba banje. Tashmë ushtrimet e vështira ua kanë lënë vendin leksioneve sensuale të striptizmit, një kërcim ky që i ka fillimit e tij që në vitet ‘30. Së fundmi, erosi është bërë pjesë e palestrave dhe tashmë të gjitha vajzat janë gati të shndërrohen në Dita Von Teese. Natyrisht që ky vendim është "bekuar" nga bashkëshortët dhe të fejuarit. "Në pjesën më të madhe të rasteve janë burrat ata që i shtyjnë bashkëshortet e tyre të regjistrohen në kurset e striptizmit", thotë instruktorja e një palestre.

Kjo lloj tendence, që ka lindur së fundmi në palestër, i ndihmon femrat që të mbajnë në formë të gjithë trupin. Qëllimi i kësaj disipline është tonifikimi i muskulaturës dhe veçanërisht atyre të këmbëve, nëpërmjet ushtrimeve, të cilat janë të përshtatshme për femrat. Avantazhi i kësaj praktike të re është i dyfishtë, duke qenë se të ndihmon të mbash trupin në formë, por edhe të bën të ndihesh bukur. Pa u hequr meritën psikologëve dhe seksologëve, duket se këto kurse i ndihmojnë çiftet duke ndezur pasionin mes tyre. "Mendoj se kam kontribuuar në përmirësimin e jetës seksuale të disa klienteve të mia", thotë instruktorja. "Të kesh një bel të hollë, është dhuratë, por të dish ta luash është një mundësi më shumë. Të mësosh ta admirosh tjetrin me shikim, të lëvizësh shpatullat dhe krahët në mënyrë sensuale, të ndihmon të kesh një vlerësim më të madh për veten, trupin dhe të jesh më e sigurt në shtrat".

Instruktorja tregon se nxënëset e saj, tepër entuziaste, i kërkojnë se si të performojnë para bashkëshortëve dhe për këtë arsye ajo nuk dëshiron që të ketë spektatorë në palestër, por organizon shpesh në disa lokale festa, ku vajzat mund të japin më të mirën e tyre, veshur me kostume banje: "Çdo gjë ka një kufi dhe ne mundohemi të mos e kalojmë. Përpiqemi të mos jemi kurrë vulgare. Ajo që mësojmë nuk ka lidhje me shitjen e trupit".

Përveç pamjes seksi, kjo lloj fizkulture ka avantazhet fizike dhe estetike, ashtu siç çdo lloj fitnesi. Në fund të ushtrimeve këmbët të japin përshtypjen se janë më të gjata dhe me muskuj, kaviljet janë më të forta dhe mbi të gjitha humori është më i mirë. Muskujt e tonifikuar dhe format më të bukura janë rezultat i një sërë ushtrimesh specifike, të ndërthurura me pesha speciale, që ndihmojnë në tonifikimin e muskulaturës së kraharorit dhe krahëve. "Lap dance" djeg 300 kalori në orë dhe të mëson që të ecësh në mënyrë seksuale e intrigante. Kjo disiplinë nuk ka të bëjë aspak me striptizëm, por është më shumë një përzierje mes striptizmit në versionin që i bën mirë shëndetit, zemrës dhe të mëson të lëvizësh në mënyrë sensuale. Me këto ushtrime rritet aftësia e rezistencës, përmirësohet mbajtja e trupit në formë dhe së bashku me këto mësohet të shfrytëzohet në maksimum feminiliteti dhe joshja. Për të mësuar këto disiplina ekzistojnë programe specifike, që propozohen nga shumë palestra dhe qendra fitnesi, madje, shumë prej tyre propozojnë programe që u kushtohen femrave dhe mënyrave se si të joshin. "Studentet e mia habiten me veten për atë që arrijnë të bëjnë".

Por të rejat nuk mbarojnë këtu. Disa palestra kanë hapur kurse për aktorët, qoftë edhe për një ditë, si dhe për njerëzit e thjeshtë që dëshirojnë t‘u ngjajnë idhujve të tyre. Në një palestër të tillë është përgatitur Russell Crowe kur po luante filmin "Gladiatorin", si dhe Angelina Jolie gjatë "Tomb Rider". "Kam vënë re se shumë aktorë janë të përgatitur për dialogët, por kanë vështirësi në mënyrën e qëndrimit. Për t‘i futur në rol 100 për qind vendosëm që të krijonim këto palestra. Një damë e viteve 1700 nuk do të ecte kurrë si një grua e ditëve të sotme", thotë një instruktor.

Lajme të mira edhe për ata që s‘mund të heqin dorë nga meditimi. Tani mund ta shijojnë këtë disiplinë pa u shkëputur nga joga. Si? Duke marrë pjesë në leksionet e akrojogës, një disiplinë që vjen nga Amerika. Bëhet fjalë për një përzierje të jogës e akrobacisë (dhe në fund një masazh tajlandez). Të jesh një "jogi" nuk do të thotë vetëm të dish të bësh joga dhe vertikalen në mënyrë perfekte. Kjo disiplinë zhvillohet mbi bashkëpunimin, si dhe duke marrë e duke dhënë besim te të panjohurit. Në këtë mënyrë arrini të jeni më të sigurt në vetvete. Kjo është edhe një prej arsyeve që djemtë dhe vajzat shkojnë në palestër. Por, nëse dikur parësore ishte rënia nga pesha, sot kërkohet një mirëqenie globale, psikofizike, që përfshin si trupin ashtu edhe mendjen.

Një tjetër disiplinë është "acqualates", një program që shfrytëzon vetitë e ujit. Kjo metodë ndahet në tri faza: nxehje, aerobi dhe streçing. Rezultatet? Muskuj më të tonifikuar, rezistencë, largim i tensionit dhe stresit. Të përdorura janë edhe disiplinat "Tec Tonick" dhe "Beat it". E para ka lindur katër vjet më parë në një diskotekë parisiene dhe bashkon lëvizjet e "breack dance" me ato të hip-hop-it. Finalja? Tonifiko trupin duke u zbavitur. Disiplina e dytë lidhet me boksin, por nën ritmin e muzikës, praktikisht një shpërthim grushtesh dhe shqelmash.

Pra, për ata që nuk kanë shkuar ndonjëherë në palestër, tani alternativat janë të shumta, mjafton vetëm të zgjidhni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›