E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë maestro!

"Zhizel i Fundit", puna e fundit e Agron Aliajt, dhjetor 2011

Valeria Dedaj

Elsa Demo

Mëngjesin e së enjtes, në repartin e reanimacionit të Qendrës Spitalore Nënë Tereza u nda nga jeta koreografi shqiptar Agron Aliaj në moshën 79-vjeçare. Lajmin e bënë të ditur të afërm të familjes Aliaj të cilët prej 7 marsit, kur maestroja u aksidentua, e kanë shoqëruar nga një spital në tjetrin. Kohët e fundit Aliaj, në gjendje të paralizuar kishte lënë spitalin privat ku pati dhe ndërhyrjen kirurgjikale e nevojshme për dëmtimet që i solli aksidenti në shtyllën kurrizore. Në gati një muaj, asnjë institucion shtetëror nuk ofroi ndihmë për gjendjen e artistit dhe mjekimi i tij në spitalin privat me shërbime që nuk i ofron shtetërori, u bë falë mbështetjes që u fitua nga një fushatë sensibilizimi e miqve të artit të Aliajt dhe e nxënësve të tij balerinë.

Nga kjo histori doli pa zhurmë e gjurmë hija e personit që përplasi Agron Aliajn më 7 mars 2012, në mbrëmjen kur koreografi sapo kishte lënë punën me trupën e baletit për vënien në skenë të Plagës së dhjetë të Gjergj Elez Alisë.

Drejtori i Teatrit të Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, e konsideron ikjen e balet-maestros humbje të madhe për të gjithë dhe informoi se muzikali Carmina Burana që shfaqet sonte në TOB është një homazh për të.

Drejtoria organizon sot ceremonialin mortor, në Hollin qendror të TKOB-it, ora 12.00-14.00 e pas kësaj trupi i të ndjerit me maestro përcillet për në banesën e fundit.

Thonë

Ndër krijuesit parë të baletit shqiptar së bashku me Panajot Kanaçin, mjeshtrin e madh të valleve, puna e Agron Aliajt mund të konsiderohet si një afresk mural akoma i freskët. Ai punoi deri në fund. Këtë e ndjejnë sot në Teatër. Ata që e kanë njohur e identifikojnë personin Agron Aliaj me trashëgiminë që ky njeri e ka vënë ditë pas dite të jetës, e tani që ikën ua lë të tjerëve. Për kolegët e baletit ai ngelet ndër të paktët artistë që kanë kërcyer në mënyrën më të bukur që mund të kërcej një balerin; koreografi që me vetëdije, përgjegjshmëri, e vullnet, ka trajtuar repertor të gjerë kombëtar e botëror nga të gjitha zhanret dhe gjinitë e koreografike; kontribuesi në ngritjen e konsolidimin e institucioneve, e shkollës së baletit, teatrit, trupës.

Unë veçoj dy cilësi te personaliteti i Agron Aliajt: talentin dhe vullnetin. Fillimet e tij i ka pasur tek ish-kinema Ideal, në një sall të vogël ku u prezantua për herë të parë së bashku me disa të rinj të tjerë para profesor Pananjot Kanaçit. Për këtë kam përfunduar dy dorëshkrime, të cilat do ti botoj së shpejti. Këtë skenë ai e ka prekur në çdo centimetër, dhe ka realizuar vepra të mrekullueshme prandaj do të ngelet një koreograf dhe kërcimtar i pazëvendësueshëm, thotë Albert Janku. Është një nxënës i Aliajt i ditëve të para, të cilit koreografi i pati besuar rolin e priftit te Cuca e Maleve në vitin 1970, vit që shënoi hapjen e të dyjave portave të ferrit që diktatura krijoi edhe për artet dhe kulturën. Pothuajse në asnjë rast Aliaj nuk ka vajtuar mbi qumështin e derdhur. Kur vinte fjala te komentet mbi censurën dhe kufizimet e lirisë krijuese nën diktaturë, ai thjesht ka kërkuar më shumë vetëdije nga njerëzit për të kuptuar kufijtë e sistemit, të artistit e të njeriut.

Kujtim Hoxha, përgjegjës i trupës së baletit në TOB, e ka njohur që nga fëmijëria e tij maestron: Për mua kanë qenë befasuese dhe të pashlyeshme mbresat që la në momentin e parë. Këto mbresa jetuan gjatë tek unë sepse më vonë njoha tek ai një njeri me formim të gjithanshëm në letërsi, pikturë, muzikë, regji, dijet me të cilat ai kultivoi dhuntinë natyrale për baletin. Me këtë unë shpjegoj pse arti i Agron Aliajt jetoi gjatë dhe si rrallë ndonjë artist tjetër edhe në fusha të tjera, ai i rezistoi tronditjeve dhe rrymave në arte pas vitit 1990. Në balet ai udhëhiqej gjithmonë nga ideja e asaj që do të vinte. Prej tij unë kam kultivuar kërkesat e veçanta që kishte për baletin, por pavarësisht kësaj, në momentin që ai ishte aty, ndikimi i tij tek balerinët ishte aq i fortë sikur një sugjestionim, dhe kjo bënte që puna e tij të kthehej e të ndihej si art.

Edhe Presidenti i Republikës Bamir Topi, e konfirmon në mënyrën e tij kontributin e Aliajt, në mesazhin e ngushëllimit dërguar dje familjarëve të koreografit, ish-udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit: Në kujtesën e të gjithë artdashësve shqiptarë, të atyre që për dekada të tëra ndoqën, vlerësuan dhe duartrokitën veprat koreografike, që me përkushtim të madh u vunë në skenat shqiptare e të huaja nga baletmaestri Aliaj, do të mbeten përherë të skalitura në mendjet e shqiptarëve dhe do të jenë shembull i papërsëritshëm i çuarjes përpara të profesionit të vështirë e të bukur të baletit nga brezat e ardhshëm.

Bëri

Ishte një lumturi e tillë që nuk ka të shlyer gjatë gjithë jetës time sepse ishte një perfeksion. Ai perfeksion që kam marrë në atë shkollë më ka shtyrë gjithë jetën që ta kërkoj këtë perfeksion. Emocionet e këtij rrëfimi që Agron Aliaj e bën në vitet e fundit të jetës i përkasin vitit 1956. Është mbrojtja e diplomës në Shkollën Koreografike të Teatrit Akademik Bolshoj të Moskës me baletin Arrëthyesi të Çajkovskit. Ai është princi dhe partnere ka Zoica Haxhon. Të dy, bashkë Ganimet Vendreshën, Melushe Bebeziqin, Petrit Vorpsin dhe Xhemil Simixhiun, edhe këta nxënës në Bolshoji, me tu kthyer në atdhe, i priste një aksion nga zeroja. Veç folkut skena shqiptare skish parë tjetër kërcim. Dora-dorës, shfaqjet e tyre krijuan dhe repertorin. Literatura botërore e baletit klasik ishte aty, ata vetë vinin plot nga Moska. Ndërsa repertori shqiptar duhej kërkuar e krijuar. Interpretimet e para të Aliajt balerin i këtij repertori, janë me Halili dhe Hajria më 1963 dhe Delina më 1964. Partnere ka Zoica Haxho. Për rolin e Arbanit te Delina u vlerësua me Çmimin e Republikës. Më kujtohet edhe tani. Mora 50 mijë lekë dhe bleva një piano që fëmijët të studionin muzikë, tregon maestroja në një intervistë të vonë për Shekullin me rastin e rivënies në skenë të Delinës. Rikthimin te repertori i baletit kombëtar, koreografi e kalonte nëpër një proces krejtësisht të vetëdijshëm për vlerat që mund të rifitojë një vepër e krijuar në kohën e kufizimeve të rrepta. Kishte bashkëpunuar me kompozitorë, libretistë, kostumografë, skenografë më në zë të kohës, artistë si Nikolla Zoraqi, Çesk Zadeja, Limoz Dizdari, Tonin Arapi, Prenk Jakova. Në rishikimin e repertorit që ai rimori në 20 vitet e fundit baletet Delina, Halili dhe Hajria, Cuca e Maleve, Gjenerali i ushtrisë së vdekur etj., ai përpunoi edhe më ato elemente që kanonet e realizmit socialist i projektonin të përmbysura. Lufta, armiku, atdheu, heroizmi, dhe patetika me folklorin po dilnin nga gjuha koreografike dhe po ngriheshin ato që elemente që veprat i kishin pasur në shtratin tyre muzikor dhe koreografik. Fryma e përrallës dhe e fantazisë popullore ishin më të rëndësishmet. Për këtë ai ka thënë: Ka njëfarë nënvlerësimi për veprat kombëtare që unë i adhuroj. I adhuroj pasi i kuptoj në thellësi vlerat që kanë për kombin tonë. Koreografia botërore, si të thuash, është pasuruar me veprat e koreografisë shqiptare, të cilat nuk ngjasojnë me veprat botërore sepse kanë një këndvështrim tjetër, një gjuhë tjetër, personazhe të tjerë, një histori tjetër. Jam i bindur se, në qoftë se koreografët e rinj do të kthejnë kokën nga krijimtaria kombëtare, – kemi folklor të pasur, muzikë popullore të vyer – kanë mundësi të bëhen krijime me gjuhë kontemporane të tilla që dhe botën ta habisim

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›