Drama e nënës, gjen djalin pas 27 vjetësh, e çon në burg

Policia e Tiranes / Foto arkiv
Dashamir Biçaku
TIRANE- Rigjetja e nënës pas 27 vitesh, nuk i solli lumturinë që priste, Fatmir Dashmusës, 27 vjeçarit që u arrestua dje në Tiranë. Ai lindi nga dashuria e një vajze beratase me origjinë nga një familje e shpallur kulake dhe një baba i ardhur nga një familje komuniste. Në pamundësi për tu martuar, nëna e dha fëmijën në jetimoren e Shkodrës dhe aty u adoptua menjëherë pas lindjes nga një familje tropojane. Tri ditë më parë, dashuria e rigjetur mes djalit të rritur në Tropojë dhe nënës së tij Hatixhe Hasanbelliu, të rimartuar në Elbasan, duket se u thye. Nëna e denoncoi në polici. Hatixheja nuk dëshironte që i biri të vazhdonte të jetonte me të dhe dy vajzat e saj në garsonieren e vogël të blerë 12 vite të shkuara në rrugën Irfan Tomini, në pallatin nr.34, për shkak se shtëpia ishte e vogël dhe nuk kishin ku të rrinin. Për më tepër i biri nuk shkonte mirë me vajzat.
Mbërritja e policisë në banesë pas njoftimit për një konflikt solli edhe zbulimin e një arme, automatik Kallashnikov. Vetë djali plangprishës i tregoi policisë se e mbante armë në një çantë të cilën e kishte lënë në korridorin e garsonieres së shtëpisë së të ëmës biologjike. Nuk kam pasur ndërmend të vras asnjë njeri sepse po të kisha dashur ta bëja e kisha bërë me kohë sepse në çantë e kam pasur automatikun. Kështu iu përgjigj hetuesve të komisariatit nr.2, Fatmir Dashmusa, kur ata dyshuan se në mos djali i rigjetur kishte pasur ndërmend të bënte ndonjë veprim të keq apo ndonjë krim ndaj nënës së tij biologjike. Pikërisht nëna e tij, Hatixheja kishte njoftuar policinë se i biri nuk donte të largohej nga shtëpia e saj. Kur këta hynë në shtëpi gjetën në çantën e rrëfyer nga 27-vjeçari armën. Më vonë hetuesit morën vesh edhe historinë e njeriut të arrestuar. Jam rritur në Tropojë në një familje, e cila më kishte birësuar në shtëpinë e fëmijës. Në vitin 2007, rigjeta nënën time biologjike dhe u lidha me të. Prindërit që më rritën në Tropojë vdiqën dhe unë vendosa të gjeja nënën time. Shita shtëpinë në Tropojë rreth 25 milionë dhe erdha në Tiranë . Kështu iu ka pohuar hetuesve, 27 vjeçari, Dashmusa. Sipas tij, të gjitha paratë e fituara nga shitja e shtëpisë i ka shpenzuar në Tiranë dhe tashmë nuk kishte asnjë qindarkë.
Historia
Dëbova tim bir se s’kishim ku të jetonim
Nëna e 27-vjeçarit të arrestuar, iu pohoi policëve se Fatmiri ishte djali i saj, të cilin e kishte lindur në vitin 1984, pas një lidhjeje dashurie që ajo kishte pasur në Tiranë në shkollën e mesme Petro Nini Luarasi. Nuk vazhduam dot më gjatë pasi mua nuk më donin prindërit e tij, se unë vija nga një familje kulake. Babai dhe nëna ishin të internuar në Lushnjë, ndërsa prindërit e tij vinin nga një familje komuniste,- rrëfeu për policët Hatixheja. Ajo tha se nga lidhja me personin që kishte dashur, të cilit nuk ia tregoi emrin, kishte mbetur shtatzënë dhe kishte lindur një djalë, të cilin e lindi në maternitetin e Shkodrës ku edhe e la. Në vitin 2007, mora vesh se ai ishte adoptuar nga një familje tropojane të cilët e kishin rritur, por në atë vit ata kishin ndërruar jetë. Fatmiri më kërkoi dhe më gjeti. Pavarësisht se e kisha lënë në maternitet gjithmonë e kam kërkuar dhe e kam dashur, sepse ishte fëmija im. Kur ai më kërkoi, menjëherë vendosa ta takoj dhe jetuam bashkë deri një vit më parë, kur më arrestuan për një çështje pronësie në Berat. Gruaja tashmë 56 vjeçare që jeton në gjendje të vështirë ekonomike bashkë me dy vajzat e saj dhe e ndarë nga bashkëshorti, thotë se për sa kohë jetoi tek ne nuk shpenzoi asnjë qindarkë nga paratë që kishte marrë nga shitja e shtëpisë së tij. Kur më arrestuan ai iku të jetonte me qira, ndërsa kur unë dola nga burgu ai erdhi të jetonte vetëm, por nuk doja të jetonte më me ne. Vajzat e mija janë rritur dhe ne skemi më vend. Është vetëm një garsoniere në të cilën smund të jetojmë të gjithë. Ndaj vendosa ti them që të largohej, por ai nuk pranonte. Kështu vendosa të njoftoj policinë,- rrëfeu gruaja që punon si pastruese në një lokal në kryeqytet.