Imuniteti i gjyqtarëve, pengesë apo justifikim
Alban Mësonjësi
Në një konferencë rajonale për sistemin e drejtësisë zhvilluar në Tiranë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, zoti Aleksandër Arvizu, deklaroi se ka ardhur koha të vlerësohet mundësia e heqjes së imunitetit të gjyqtarëve. Heqja e imunitetit do të sjellë sipas zotit ambasador, ngritjen e një sistemi gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm dhe e bën të suksesshëm drejtësinë. Gjithashtu, heqja e imunitetit është konsideruar nga shumë përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare por dhe politikanë vendas si një aspekt shumë e rëndësishme për një sistem drejtësie të drejtë dhe efikas. Teza e heqjes së imunitetit është konsideruar gjerësisht si guri kilometrik për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas kërkesave të partnerëve të Shqipërisë.
Por, a është e drejtë hipoteza se, imuniteti është arsyeja kryesore e gjendjes aktuale të sistemit gjyqësor, dhe se heqja e imunitetit do të sjellë vetëm pasoja pozitive në sistemin gjyqësor, apo propozimi i ndërkombëtarëve për heqjen e imunitetit të gjyqtarëve, thjesht keqpërdoret nga aktorët vendas për të fshehur problemet reale të sistemit gjyqësor. Personalisht mendoj se çështja e imunitetit të gjyqtarëve është momenti më pak i rëndësishëm në synimin e krijimit të një sistemi gjyqësor të fortë e të pavarur. Janë aspekte të tjera më të rëndësishme që ndikojnë drejtpërdrejt në forcimin e sistemit gjyqësor, që lidhen pikësëpari me mungesën e vullnetit politik për të krijuar një sistem gjyqësor të fortë e të pavarur.
Pengesa kryesore për ndërtimit të një sistemi gjyqësor të fortë e të pavarur është mungesa e vullnetit politik për të ndërtuar një sistem gjyqësor të tillë. Ne jemi dëshmitarë se klasa politike ka ndikuar direkt me veprimet dhe mosveprimet e saj, në sjelljen e trupës gjyqësore duke krijuar një klime jo të favorshme për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Sjelljet negative janë të shumtë, ku më i fundit është situata e krijuar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion i cili pas një debati të panevojshëm personal mes Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrit të Drejtësisë, nuk ka zgjedhur ende nënkryetarin e KLD. Debati midis dy institucioneve të mësipërme, të cilat janë faktorët me të rëndësishëm që ndikojnë në funksionimin e sistemit gjyqësor, sjell një klimë të pafavorshme brenda trupës gjyqësore dhe ndikon direkt në performancën e saj. Ndikimi direkt i Ministrisë së Drejtësisë, nëpërmjet personave të veshur me pushtet politik dhe që transmetojnë synimin e qartë të një force politike për të qeverisur sistemin gjyqësor për interesat politikë të partisë në pushtet, është treguesi më i qartë i mungesës së vullnetit për ndërtimin e një sistemi gjyqësor të pavarur.
Argumentet e mësipërm nuk janë ezaurues, dhe duhet një analizë shumë e thellë mbi sistemin gjyqësor për të kuptuar arsyet e gjendjes së vështirë të sistemit gjyqësor. Por, për të ndërtuar një sistem gjyqësor të fortë duhet të shohim pa droje problematikat reale që ndikojnë mbi sistemin gjyqësor dhe të mos fshihemi pas faktorëve periferikë siç është imuniteti i gjyqtarëve. Në radhë të parë, drejtësia është vullnet, dhe në mungesë të këtij vullneti çdo aspekt tjetër bëhet i parëndësishëm.