Landey-Berishës: “Jam e impresionuar nga reformat dhe progresi i Shqipërisë në këto vite
TIRANE - Drejtorja e Zyrës së Koordinimit të Veprimeve për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, Deborah Landey, ka deklaruar dje se është impresionuar nga rritmi i lartë i zhvillimit të Shqipërisë në këto 4 vitet e fundit. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me kryeministrin Sali Berisha, zonja Landey theksoi se është e impresionuar nga reformat dhe progresi që ka bërë Shqipëria dhe veçanërisht në rolin drejtues që ajo ka marrë në zbatimin e programit “Një OKB”. Shembulli i mirë i Shqipërisë dhe eksperienca e fituar në zbatimin e këtij programi do të shërbejë sipas saj si një model të cilin OKB do ta zbatojë edhe në vende të tjera të botës.
Ajo e falënderoi Kryeministrin për mbështetjen e tij personale në ecurinë e mirë të këtij programi si dhe punën e madhe të strukturave qendrore të administratës në zbatimin e tij me sukses.
Kryeministri e njohu Drejtoreshën Landey me reformat kryesore dhe progresin qe ka bërë Shqipëria duke mbajtur një rritje ekonomike të qëndrueshme pavarësisht krizës financiare globale, si dhe ulje të ndjeshme të varfërisë siç edhe tregoi raporti i fundit i përgatitur me asistencën e PNUD dhe Bankës Botërore. Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Landey, vlerësimin e tij për kontributin shumë të madh që programi “Një OKB”, dhe Agjencitë e Kombeve të Bashkuara po japin në mbështetje të prioritete të të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, social, mjedisin, barazisë gjinore, në përputhje me axhendën e integrimit evropian të vendit. Kryeministri Berisha e informoi zonjën Landey se qeveria po zbaton me seriozitetin më të madh programin “Një OKB” duke siguruar një koordinim sa më të mirë dhe zbatim me efektivitet të projekteve.
Zyra e Koordinimit të Veprimeve për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara është një organizatë që përfaqëson një grup prej 33 fondesh, programe, agjenci, departamente dhe zyra të UN të cilat luajnë një rol të madh në programet e zhvillimit në të gjithë botën.