Vangjel Dule në panik, mallkon Kserën e Barkën: “mos qofshi më grekë”

Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut është përfshirë nga një panik i fortë, pas deklarimeve të drejtuesve të rëndësishëm të OMONIA-s, të cilët shprehën hapur mospaprovimin e tyre për kalimin e saj në aleancë me Edvin Ramën. Deklarimet publike të Spiro Kserës dhe Kosta Barkës, të cilët pritet të jenë në listat shumëemërore të Partisë Demokratike për qarkun e Vlorës dhe të Gjirokastrës, kanë detyruar sot Vangjel Dulen që të “kapë për veshi” Vasil Bollanon dhe të dalin në një deklaratë të përbashkët, me të cilën “konfirmohet” aleanca e tyre edhe për këto zgjedhje. Por në fakt punët nuk qendrojnë kaq të thjeshta dhe dalja publike e Bollanos ka mbetur thjesht formale. Ai i ka lënë të lirë vartësit e tij që të mbajnë qendrimet që dëshirojnë, pra edhe kandidimin e tyre për parti të tjera, por kjo s’e ka kënaqur Vangjel Dulen, i cili ka kërcënuar se Kserës dhe Barkës duhet t’u mohohet përkatësia në minoritetin grek, në rast se ata do të kandidojnë me PD-në. Imagjinoni t’u mohohet dy eksponentëve të OMONIA-s përkatësia në etninë greke, do të ishte njëlloj sikur Vangjel Tavos t’i mohohej përkatësia greke, vetëm se kandidon për Partinë Socialiste. Në këtë rast, Dules i ka ecur shantazhi, pasi Edvin Rama e ka hequr Vangjel Tavon nga listat e Gjirokastrës, duke i lënë Dules një front të lirë, me shpresë se ai do të mund të marrë votat e duhura për të marrë mandatin e deputetit. Paniku shpjegohet me faktin se Dule ka vendosur të kandidojë i pari në të 12 qarqet e vendit, me shpresë se mos në Korçë apo Tiranë do të mund të mbajë gjallë shpresat për marrjen e mandatit të deputetit, tani që ai ka humbur besimin e qeverisë “Karamanlis” e po ashtu ka të minuar konkurrimin në Vlorë e Gjirokastër, për shkak të rivalitetit ë Kserës e Barkës. Analistët e cilësuan largimin e Tavos nga Gjirokastra, si një dhurim mandati për Vangjel Dulen, megjithatë, pas daljes së sotme publike, mund të thuhet se mallkimet e Dules drejtuar Kserës e Barkës “mos qofshi më grekë” tregojnë veç dëshpërim paraelektoral dhe përpjekje për të bindur Edvinin se ka bërë pazar të mirë kur i ka falur mandatin në Gjirokastër.
...