E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lapraka me nivelin më të lartë të ndotjes akustike

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Lapraka është zona më e zhurmshme e kryeqytetit. Banorët e kësaj zone, jo vetëm ditën, por edhe natën janë të ekspozuar ndaj niveleve të larta të zhurmës.

Të dhënat bëhen të ditura nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, sipas së cilës ditën në këtë zonë ka tejkalim të normës me 27%, ndërsa natën me 9,3%.

Sipas AKM, nivelet e monitoruara ditën në Laprakë janë në vlerën 69,8 dB, nga 55 që është norma e lejuar e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Por në monitorim kanë qenë edhe zona të tjera të kryeqytetit. Pas Laprakës, e dyta si zona më e zhurmshme është ish-Stacioni i Trenit, i ndjekur nga kryqëzimi i “Vasil Shantos”.

Duke iu referuar AKM-së mediet raportojnë se në të 15 pikat e monitoruara ka tejkalim të normës së zhurmave, ku burim kryesor kanë trafikun e automjeteve, sirenat dhe boritë.

E vetmja zonë me tejkalimin më të ulët të normës së lejuar për zhurmat është “Shkolla e Bashkuar”.

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj zhurmave shkakton probleme me dëgjimin, inflamacion të trurit, mungesë përqendrimi, probleme me gjumin, agresivitet.

Po ashtu, nivelet e larta të zhurmës mund të rezultojnë në efekte kardiovaskulare dhe ekspozimi ndaj niveleve të larta gjatë një periudhe të vetme 8-orëshe shkakton një rritje në presionin e gjakut.

/k.s//a.f//r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›