Stringa: Në PD nuk ka garë
Omer Stringa, një ndër personat që nuk rezultojnë të jenë pjesë e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, lëshon akuza dhe tregohet mjaft kritik në adresë të drejtuesve të selisë blu.
Por ndryshe nga Biberaj, ai nuk e vë theksin te manipulimi i votave. Duke bërë një bilanc, tanimë pasi kanë dalë rezultatet dhe është zbardhur e gjitha përbërja e një prej strukturave më të larta vendimmarrëse, ai deklaroi se në Partinë Demokratike nuk ka vend për konkurrencë, madje, sipas tij, edhe ata që zgjidhen, shfrytëzohen për qëllimet e drejtuesve. Stringa ka qenë kritik edhe për rizgjedhjen e Berishës në krye të partisë. Sipas Stringës, kriza politike që ka përfshirë vendin nuk zgjidhet me deklarata, por me ide konkrete. Dy ditë më parë, një tjetër i përjashtuar nga Këshilli Kombëtar i PD-së, Aleksandër Biberaj, hodhi akuza të forta ndaj liderit të partisë, për manipulim të numërimit të votave të delegatëve. "Çdo ditë e më shumë po mbytet fryma intelektuale dhe ajo qytetare, fryma e debatit po zëvendësohet me atë të nënshtrimit dhe të servilizmit ekstrem, fryma e bashkëpunimit po zëvendësohet me atë të klanit dhe të spastrimeve, apo përjashtimeve politike, vendimmarrja kolegjiale po zëvendësohet nga vendimmarrja klienteliste dhe autoritariste e UNI-t, vlerat po zëvendësohen nga antivlera; fenomene këto tepër negative që po e dëmtojnë rëndë të ardhmen e PD-së, por edhe po shuajnë gradualisht traditën, kontributet dhe vetë historinë pozitiviste të PD-së", tha ai.