Larg standardeve, larg të Drejtës*
Debateve të shumta, që javën e kaluar përfshinë politikën shqiptare, shoqërinë civile, juristët, por si asnjëherë tjetër për nga tonet e përdorura, edhe faktorin ndërkombëtar, parlamenti shqiptar, me vendimet e tij të datës 15 prill u dha fund, duke dëshmuar se për mazhorancën aktuale, ligjet e këtij vendi mund të shkelen me shpërfilljen më të madhe; sa herë që një interes i çastit ja kërkon atë. Pra, ajo që ndodhi në seancën e fundit plenare, ku një anëtari të KQZ-së ju ndërpre mandati në mënyrë të kundërligjshme, për fatin e keq tregon se ende jemi shumë larg standardeve të një shteti të së drejtës. Diskutimet dhe vendimi i parlamentit tregojnë se Kushtetuta, kodet dhe ligjet nuk i rezistojnë as votave të një mazhorance minimale e të dyshimtë. Ndërprerja e mandatit të Ilirjan Muhos, si anëtar i KQZ-së, është e paligjshme, siç është i paligjshëm edhe votimi për anëtarin e ri. E megjithatë, ndonëse shkeljet e ligjit në emërimin dhe shkarkimin e ndodhur nuk riparohen, nuk mund të themi se vendimet që mund të marrë KQZ-ja nuk janë të vlefshme. Vlen të sillet në vëmendje arsyetimi i bërë për ndërprerjen e mandatit të anëtarit të KQZ-së. Siç u pa edhe gjatë zhvillimit të seancës parlamentare, mazhoranca hoqi dorë nga propozimi i parë për ndërprerjen e mandatit për shkak të rikonfigurimit politik, pra u pranuan se propozimi i saj nuk mbështetej në ligj. Kjo pasi Kodi Zgjedhor nuk lejon ndërprerje mandati për shkak të ndryshimit të raporteve politike. Në nenin 18, Kodi në mënyrë laksative, ka përcaktuar se kur mund të ndërpritet mandati. Edhe pse kjo çështje ishte shumë e qartë, deputetët e mazhorancës me sa duket e “kuptuan” me vonesë dhe kur gati po mbaronin diskutimet, u soll një projektvendim i ri, në të cilin vendosej shkarkimi i Ilirjan Muhos, tashmë për një shkak tjetër. Mazhoranca solli një fakt që e konsideronte të “zbuluar rishtas”, sipas të cilit anëtari i propozuar nga LSI-ja, kishte fshehur që është larguar nga detyra e prokurorit të Fierit me masë disiplinore. Është i pamohueshëm se “zbulimi”i orëve të fundit, se z. Muho ka pas qenë i ndëshkuar dhe se në bazë të nenit 12 të Kodit Zgjedhor, nuk i plotësonte kushtet për t’u propozuar dhe zgjedhur anëtar i KQZ-së, nuk ishte ndonjë gjë e re. Ai nuk ishte zbulim, pasi kjo është bërë publike që përpara propozimit dhe miratimit të kandidaturës së tij. Gjithsesi, edhe shkarkimi për arsyen e përmendur është i kundërligjshëm. Nuk është respektuar asnjë element i një procedure normale, e detyrueshme për raste të tilla. Po të ishte vepruar në përputhje me këto norma, do konstatohej që ky fakt nuk ishte i ri dhe se për Komisionin e Ligjeve, kandidati i propozuar i plotësonte kushtet për t’u zgjedhur. Edhe sikur të mos dihej që kandidati ka qenë ndëshkuar me masë-largim nga detyra, po të respektohej ligji, sipas procedurave për rastet e shkarkimit, do të konstatohej se masa ndëshkimore, sipas ligjit mbi Prokurorinë, dhënë ndaj z. Muho në vitin 2003, me kalimin e 5 vjetëve është parashkruar dhe për pasojë bie shkaku ligjor për të cilin u vendos shkarkimi si anëtar i KQZ-së. Ndaj nuk mund të mos pohohet se me këtë që ka ndodhur, në fakt ka humbur besimi për një proces të ndershëm zgjedhor, sa kohë politika i konsideron anëtarët e KQZ-së në varësi të plotë të saj dhe se ligji mund të zbatohet, apo të shkelet, sipas oreksit dhe dhunës së kartonëve. Për asnjë prej anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht se cili grupim politik e ka propozuar secilin prej tyre, nuk mundet të ketë ndërprerje të mandatit jashtë kritereve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor. Tashmë edhe përvoja jonë e vërteton se sado i mirë të jetë ky i fundit, pra Kodi, kjo nuk do të thotë se të gjitha çështjet do të gjejnë zgjidhjen e duhur në atë mënyrë, që ai të mos ketë mundësi të shkelet. Prandaj e rëndësishme është që politika, deri në momentin e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së dhe pas kësaj, të mos sillet si pronare e të propozuarve prej saj, por të respektojë pavarësinë dhe të kontribuojë në konsolidimin e kësaj pavarësie.
*Titulli është redaksional