E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi i Uruçit, reagon LSI: E komanduar në post

Pas dorëheqjes së kryetares së LSI-së në Shkodër, Esmeralda Uruçi, ka reaguar qendra e kësaj force politike në Tiranë. Në një deklaratë për shtyp, Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se Uruçi, ishte e komanduar në postin e saj. 

TIRANE- Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar pas dorëheqjes së kryetares së degës së LSI-së në Shkodër, Esmeralda Uruçi. Zëdhënësi i kësaj force politike, Dritan Ylli ka deklaruar se dorëheqja e saj pritej, pasi Uruçi është kapur nga korrupsioni i kreut të PS-së, Edi Rama.
“Ndjejmë neveri për këtë skenar të shëmtuar të Edi Ramës që njerëz të blerë dhe të kapur nga korrupsioni i tij bashkiak po i përdor, si pasojë e panikut që ka nga rritja dhe shpërthimi i LSI në gjithë Shqipërinë”- u shpreh zëdhënësi i LSI-së Ylli.
Sipas Yllit, kryetarja e LSI në Shkodër, Uruçi ka qenë e komanduar në këtë post dhe jo e zgjedhur sipas parimit një anëtar-një votë.
“E vërteta është se znj.Uruçi ka qenë e komandur në degën e LSI në Shkodër dhe jo e zgjedhur sipas parimit një anëtar-një votë, siç pretendon ajo. Largime të tilla të dy apo tre njerëzve të kapur nga paratë e pista të betonizimit të Tiranës, apo nga paratë e p/buxhetit që Rama nuk pranon ta detajojë, nuk e frenojnë aspak rritjen e pandalshme të LSI, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë”- shton më tej Ylli. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›