E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi i barrikadave Kuci Sa me shpejt per levizjen e lire

Qeveria e Kosovës kërkon nga KFOR-i dhe EULEX-i që të tregohen më të shpejtë për largimin e barrikadave të vendosura nga strukturat paralele në veri të Kosovës. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, në një konferencë shtypi, pas mbledhjes së Qeverisë tha se liria e lëvizjes duhet të vendoset për të gjithë qytetarët që jetojnë në  pjesën veriore, pasi sipas tij, heqja e barrikadave dhe veprimet kriminale nuk janë çështje që negociohen. Kuçi konsideron se është e pamoralshme, e paligjshme dhe e papranueshme, të kërkohet që diku të ketë qarkullim për dikë, e për dikë tjetër jo.

 “Se si e menaxhon planin operacional KFOR-i dhe EULEX-i është çështje e tyre. Negociata askush në emër të Kosovës dhe institucioneve të saj nuk ka autorizim të bëjë. Sa i përket dinamikës, mendoj sa më shpejt që largohen barrikadat dhe vendoset rendi dhe ligji, që mundëson edhe  zhvillimin ekonomik është ma mirë për qytetarët tanë serb atje dhe për gjithë vendin. Ai vend dhe situata atje duhet te çtensionohet dhe duhet të hiqen zaptuesit e asaj pjese të territorit tonë. Natyrisht dinamika sa më shpejt që është e mundur është më mirë”- tha Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi, duke folur për dialogun me Serbinë, tha se Kosova do të kërkojë nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë që të bëjnë presion për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.
Nga ana e vet, Qeveria e Kosovës zotohet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë, me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Sala Mustafa Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 26 tetor 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›