E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largimi nga Iraku SHBA pa nje vendim perfundimtar

Shtëpia e Bardhë mohon zërat që trupat amerikanë do të largohen menjëherë nga Iraku me përfundimin e afatit të përcaktuar për në dhjetor. Agjencia e lajmeve Associated Press kishte njoftuar më herët se Shtetet e Bashkuara e kishin ndërruar planin për t’i mbajtur trupat e tyre në Irak edhe pas afatit kohor të përcaktuar në fund të këtij viti. Zëdhënsi i Shtëpisë së Bardhë, Tomi Vietor, ka thënë se nuk është marrë ende ndonjë vendim përfundimtar dhe se diskutimet me Irakun “po vazhdojnë.”

Më shumë se 4400 anëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë që kur Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në Irak në vitin 2003.

Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara, në muajt e fundit patën diskutuar me udhëheqësit e Irakut për mundësinë e mbajtjes së disa mijëra trupave amerikane në Irak, edhe pas kalimit të afatit me 31 dhjetor. Burime nga Shtëpia e Bardhë i kishin thënë agjencisë se të gjithë 41000 trupat amerikane do ta lënë Irakun, përveç rreth 160 ushtarë që do të qëndrojnë në ambasadën amerikane atje.

Pas sulmeve të kohëve të fundit në kryeqytetin iraken, Bagdat dhe në disa provinca, vazhdon të ketë pasiguri rreth aftësisë së forcave irakiane për të ofruar siguri për vendin e tyre.

Dy shpërthime me bombë të enjten shkaktuan vdekjen e 16 personave, ndërsa një ditë më herët u vranë 14 të tjerë dhe u plagosën 60.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›