Largimi nga koalicioni i LSI, na ka dhënë kredo politike, do të jetë një ndër arsyet e fitores sonë
Intervista/Flet kandidati për deputet i PD-së, në Qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi
“Qytetarët e Qarkut të Elbasanit do votojnë masivisht PD-në, vlerësojnë realizimin e projektit-ëndërr, kurora mbretërore e investimeve në këto katër vite, autostradën që i lidh me Tiranën për vetëm 18 minuta dhe do të dënojnë alternativën bllokuese të Edi Ramës”
“PD shkon me vetëbesim dhe me një shkallë besueshmërie të lartë para qytetarëve në 23 qershor, pasi ka dëshmuar se oferta e paketës së saj është reale, konkrete dhe e realizueshme”. Kështu shprehet në një intervistë për gazetën “55”, kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi – duke vënë theksin tek ajo çfarë ka bërë PD në këto vite në qeverisjen e Shqipërisë. Sipas tij, qytetarët do vlerësojnë punën e qeverisë në shtrirjen e investimeve në sektorët më të rëndësishëm të vendit. Ai e cilëson të suksesshme qeverisjen 8 vjeçare të demokratëve, të bazuar në modelin e taksave të ulëta dhe rritjen e investimeve si dhe thotë se, qeveria “Berisha” meriton një mandat të tretë, për vazhdimësinë e projekteve dhe integrimin e Shqipërisë në familjen e madhe europiane. Largimi i LSI-së nga koalicioni i PD, për Luçiano Boçin i ka dhënë kredo politike të djathtës, ka gjeneruar energji pozitive si dhe ka rritur entuziazmin për fitoren e 23 qershorit
Z.Boçi, ka nisur zyrtarisht fushata elektorale dhe partitë politike në harkun kohor të 30 ditëve do shpalosin projektet dhe platformat programore me qëllim qeverisjen e vendit 4-vjeçarin e ardhshëm. Me çfarë oferte shkon Partia Demokratike para shqiptarëve, për të marrë një mandat të tretë qeverisës?
PD synon të çojë më tej programin e saj për një Shqipëri të zhvilluar dhe europiane si shprehje e një projekti gjigant qytetërimi dhe si shprehje e realizimit të idesë së madhe të lirisë dhe demokracisë. Rritja e mirëqënies dhe e cilësisë së jetës së qytetarit kudo ku ai ndodhet, mbetet boshti themelor rreth të cilit ndërtohen të gjitha objektivat makro dhe mikro si dhe të gjitha ofertat e zgjidhjeve afatgjata, aftmesme dhe afatshkurtra të parashikuara. Konsolidimi i ekonomisë nëpërmjet ruajtjes së trendit ngjitës së saj, nëpërmjet stimulimit të bizneseve të niveleve të ndryshme, nëpërmjet tërheqjes më të shumtë të investimeve të huaja, nëpërmjet një politike taksimi favorizuese dhe përkrahje të pakufishme, ofrimit të një shkalle sigurie sipërore, nëpërmjet stimulimit të prodhimit bujqësor, rritjes së turizmit shumëplanësh, përbën njërin prej drejtimeve kryesore programore. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj do të jetë shtimi i vendeve të reja të punës në sektorë të ndryshëm dhe për grupmosha të ndryshme si dhe mundësia e rritjes së nivelit të ardhurave për kategoritë e ndryshme të pagave, përkthyer kjo në më shumë benifite për qytetarët, në një jetesë më të mirë, në pensione më të larta, në përkrahje sociale më të plotë. Investimet në infrastrukturë sidomos atë rrugore nuk kanë për të reshtur, pasi ajo është ndikuesja e drejtpërdrejtë e arritjeve ekonomike të çdo biznesi, të çdo fermeri, të çdo individi i cili kërkon që iniciativën e tij private ta kthejë në një investim të suksesshëm. Subvencionimi bujqësor do të njoh fushë aplikimi më të gjërë dhe njëkohësisht fonde më të shumta me qëllim që fermeri shqiptar të ndjehet i kujdesur nga shteti dhe i mbrojtur plotësisht nga ai. Në këtë drejtim shkon dhe insistimi për të përmirësuar me programe konkrete, dukshëm sistemin e vaditjes dhe të kujdesit për tokën. Përmirësimi i edukimit nëpërmjet vazhdimit të ndërtimeve dhe rikonstruksioneve shkollore paralelisht me përmirsimet logjistike të laboratorëve dhe bibliotekave, paralelisht me rritjen e teknologjisë digitale e te internetit dhe krahas standartizimit bashkëkohor të programeve mësimore do të njohë nivele të reja, nivele që i përgjigjen më së miri etjes së brezave për informacion dhe dituri. Arti dhe kultura parashikohen të kalojnë në procese vlerësimi dhe mbështetje maksimale si pasuri e shpirtit të kombit pa të cilat identiteti ynë do të mbetej i cunguar dhe i pavlerësuar. Në synimet e tij europian programi ynë është i qartë dhe konkret: “arritja e marrjes së statusit të vendit kandidat dhe aplikimi për anëtar me të drejta të plota”. Paketa e ofertës sonë është reale, konkrete, e provueshme dhe e realizueshme dhe me një shkallë besueshmërie të lartë.
Cilat janë problematikat e zonës ku ju kandidoni, në rrethin e Elbasanit, dhe çfarë synoni të bëni në këtë zonë?
Elbasani mbetet një ndër qarqet më të investura në këto katër vite, investime që shkojnë nga lartësitë e Shebenikut në majat e malësisë Gramshit vazhdojnë me kurorën e Elbasanit dhe që zbresin në fushat e begata të zonës së Cërrikut deri në kodrinat e liqenjt e Dumresë. Dhe kurora mbretërore e të gjithave mbetet autostrada Tiranë-Elbasan impaktete e së cilës do të prekin të gjitha fushat: ekonomike, arsimore, sociale e kulturore. Por asgjë nuk përfundon këtu. Do të vazhdohet me bajpasin e Elbasanit, sikurse me vazhdimin e lidhjeve nëpërmjet Mollasit me qarkune Beratit, me një projekt rrugor të miratuar tashmë si dhe me lidhjen me qarkun e Lushnjes nëpërmjet Rrasës, dhe ky një projekt në zbatim e sipër. Si zonë me diversitet klimaterik e gjeografik Elbasani, më saktë fermeri i tij, do të vazhdojë të subvencionohet për kulturat e ullirit, arrorëve dhe pemtarisë, pa harruar sistemin e serave dhe kulturat e tjera që janë shumë cilësore në këtë hapësirë. Impaktet e këtyre: “Ulja e papunësisë mbetet objektiv për këtë qark”. Kësaj do t’i vijë në ndihmë si stimulimi i biznesit në tërsësi, si ai i të rinjve pa taksa, si ai i emigrantëve të kthyer pa taksa sikurse investimet gjigande në HEC-et në Banjë apo projekte të ngjashme energjetike dhe në sipërmarrje të tjera industriale, të agrobiznesit apo të aplikacioneve të ndryshme. Investimi infrastrukturor i Universitetit të Elbasanit do të vazhdojë me kampusin universitar sikurse do të synohet zgjerimi i fushave të studimit dhe përmirësimi i produktit të diplomave dhe gradave të tij. Meqënëse pushteti lokal ka dështuar në objektivin e tij për t’i ofruar Elbasanit një ajër më të pastër, mbetet objektiv parësor ndërtimi i një landfilli i cili është projektuar tashmë nga qarku dhe është në proces vlerësimi.
Z.Boçi, brenda pak javësh përfundon ndërtimi i autostradës Tiranë-Elbasan, investimi më i rëndësishëm i këtij 4-vjeçari qeverisës. Cili është mesazhi juaj për qytetarët e qarkut të Elbasanit dhe pjesës juglindore të vendit, po të sjellim në vëmendje se kryetari i PS, Edi Rama urdhëroi deputetët, dy vjet e gjysmë më parë, të mos votonin buxhetin e ndërtimit të rrugës?
Mesazhin në fakt ne e kemi marrë tashmë nga qytetarët e qarkut të Elbasanit dhe më tej dhe në këtë pikë duket se na kanë tejkaluar bindshëm. Ato kanë dëshmuar hapur mirënjohjen e tyre për realizimin e këtij projekti-ëndërr në mënyrën si e kanë pritur atë, në mënyrën si na kanë pritur ne, në mënyrën se si kanë reaguar ndaj faktit të bllokimit të tij nga deputetët e majtë dhe jam i bindur që do ta demonstrojnë më së miri në mënyrën se si do të votojnë në 23 qershor.
Kryesuesi i listës së PS në qarkun e Elbasanit, Ben Blushi është shprehur më herët se do të anëtarësohej në PD nëse do të bëhej realitet tuneli i Krrabës. Sot zoti Blushi është para faktit të kryer...
E ftoj të plotësojë formularin e aplikimit për anëtarësim në zyrat tona për hir të asaj që kurrë nuk e gjejmë tek PS, të “nderit të fjalës së mbajtur” dhe jo të rreket të mësojë rrugët e problemet e Elbasanit me udhërrëfyes dhe të sillet në deklarata e intervista sipas shprehjes “hajde baba të tregoj arat”.
Duke qëndruar sërish në kampin opozitar, si e komentoni largimin e LSI-së nga mazhoranca. Do të ndikojë negativisht?
Si pamundësi e bashkëjetesës së të mirës me të keqen. Largimi i kësaj të keqje nga ne na ka dhënë një kredo politike më të fortë e cila do të jetë një ndër arsyet e fitores sonë.
Ilir Meta ka nisur një fushatë sulmesh ndaj qeverisë, duke deklaruar se duhet rotacion, pasi kjo qeveri ka dështuar në shumë sektorë. Si i komentoni deklaratat e tij, duke qenë se ka qenë edhe pjesë e qeverisë?
“Lëre se nuk di çfarë flet”, është një shprehje, por dhe që “nuk di çfarë politike të prodhojë” duhet të ishte vazhdimi i saj... Ky është ilustrimi, mendoj, më i mirë i deklaratave të tij pa ngjyrë dhe pa pikë kuptimi.
Si i vlerësoni polemikat brenda së majtës për “kryeministrin në hije” pasi Rama dhe Meta kanë pretendime që cenojnë ambiciet e njëri-tjetrit?
Që as njëri e as tjetri nuk e meritojnë, nuk duhet dhe nuk mund të bëhen kryeministra.
Kontradita mes PS dhe LSI ka edhe lidhur me miratimin e 3 ligjeve të statusit...
...Por që bashkohen të dyja në një pikë: që nuk duan t’i miratojnë sepse integrimi që është në vetë emrin e LSI, që ishte në marrëveshjen me PD, që u rishkrua si gjë e vjetër me bojë të re në faqeputhjen me PS, mbetet kompleksi më i madh i së majtës tonë me xhaketë të re, por me shpirt të irnosur. Thënë shkurt, nuk e duan dhe pengojnë miratimin.
Largimi i LSI nga koalicioni mazhoritar
“...Si pamundësi e bashkëjetesës së të mirës me të keqen. Largimi i kësaj të keqje nga ne na ka dhënë një kredo politike më të fortë e cila do të jetë një ndër arsyet e fitores sonë”.
Statusi kandidat në BE
“Bashkohen të dyja (PS-LSI) në një pikë: që nuk duan t’i miratojnë sepse integrimi që është në vetë emrin e LSI, që ishte në marrëveshjen me PD, që u rishkrua si gjë e vjetër me bojë të re në faqeputhjen me PS, mbetet kompleksi më i madh i së majtës tonë me xhaketë të re, por me shpirt të irnosur. Thënë shkurt, nuk e duan dhe pengojnë miratimin”.
Për Ben Blushin
“E ftoj të plotësojë formularin e aplikimit për anëtarësim në zyrat tona për hir të asaj që kurrë nuk e gjejmë tek PS, të “nderit të fjalës së mbajtur” dhe jo të rreket të mësojë rrugët e problemet e Elbasanit me udhërrëfyes dhe të sillet në deklarata e intervista sipas shprehjes “hajde baba të tregoj arat””.
Autostrada Tiranë-Elbasan
“Elbasani mbetet një ndër qarqet më të investura në këto katër vite, investime që shkojnë nga lartësitë e Shebenikut në majat e malësisë Gramshit vazhdojnë me kurorën e Elbasanit dhe që zbresin në fushat e begata të zonës së Cërrikut deri në kodrinat e liqenjt e Dumresë. Dhe kurora mbretërore e të gjithave mbetet autostrada Tiranë-Elbasan impaktete e së cilës do të prekin të gjitha fushat: ekonomike, arsimore, sociale e kulturore”.
...