Berisha-mësuesve: Rrogat e arsimtarëve të jenë 700 dollarë
Kryeministri Berisha inauguron shkollën 9 vjeçare “Arif Selimi” - në Vukatanë, Shkodër, me vlerë 33 milion lekë
Kryeministri Sali Berisha u prit dje nga nxënës e mësues të shkollës më te re 9 vjeçare “Arif Selimi” - në Vukatanë, Shkodër, mes të cilëve ishte për të inauguruar këtë institucion të dijes, një investim me vlerë 33 milion lekë, financuar nga buxheti i shtetit. Në këtë shkollë mësojnë aktualisht 165 nxënës dhe japin mësim 13 mësues. Shkolla mban emrin e patriotit Arif Selimi, figurë popullore në Vukatanë dhe mbarë Shkodrën, i pushkatuar për bindjet e tij nga regjimi komunist në 1945 bashkë me patriotët Prek Cali dhe Dom Ndre Zadeja. Arif Selimi është dekoruar në vitin 1995 me medaljen “Martir i Demokracisë”. Në rrethin e Shkodrës gjatë këtyre 8 viteve janë ndërtuar 29 shkolla të reja dhe 93 të tjera janë rikonstruktuar, investime me vlerë mbi 1.5 miliardë lekë. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha theksoi se, për qeverinë, arsimi përbën çështjen më serioze të shoqërisë dhe të kombit dhe në këto vite ne kemi bërë gjithçka për të rindërtuar sistemin arsimor në tërësi, për të konsoliduar atë si promotor kryesor të zhvillimit të vendit. Kreu i qeveris premtoi se 4 vitet që vijnë do të punohet në të gjitha nivelet arsimore për rritjen e cilësisë, konsolidimin e kurrikulave dhe kualifikimin e mëtejshëm të mësuesve. “Investimet në sektorin e arsimit kanë njohur gjithnjë rritje. Vetëm këtë vit është investuar për ndërtim dhe rindërtim shkollash 45 milionë dollarë, 17 % më shumë se në vitin 2006. Rrogat e arsimtareve janë rritur nga 125 deri në 147 %. Ju garantoj se rritja do të vazhdojë dhe ne jemi të vendosur gjatë katër viteve që vijnë që rrogat e arsimtarëve të jenë 700 dollarë. Këtë vit funksionojnë në të gjithë vendin 400 klasa parapërgatitore të arsimit parashkollor. Pra 85 % e fëmijëve të klasës së parë, kanë ndjekur kopshtin dhe klasën parapërgatitore, pra kjo është një arritje e madhe por që ne jemi ambicioz dhe duam të shkojmë drejt 96 % të kapim shifrat më të larta që ekzistojnë. Alternativa jonë për zhvillimin e Shqipërisë, ka në themel zhvillimin e dijes, arsimit, vendosjen e Shqipërisë së zhvilluar mbi shoqërinë e dijes, shoqërinë e shkolluar.