Heqja e vizave për Kosovën prej Rumanisë mund të shpjerë në njohje, thonë analistët.
Duke hequr kërkesat e vizave për shtetasit e Kosovës, Bukureshti mund të ndryshojë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës, thonë disa
Liberalizimi i kohëve të fundit i vizave për shtetasit e Kosovës që udhëtojnë në Rumani mund të nisë përdorimin e diplomacisë publike për të ndryshuar perceptimin e Bukureshtit për pavarësinë e Kosovës, thanë analistët. "Njohja nga Rumania do të ishte një hap shumë pozitiv. Rumania, Sllovakia e Greqia kanë treguar në vitin e fundit një qëndrim të dobishëm e jo-bllokues pasi u arrit marrëveshja midis Kosovës e Serbisë mbi përfaqësimin rajonal të Kosovës," tha Fatmir Curri, një bashkërendues i Programit të Integrimit Evropian në Fondacionin e Shoqërisë Civile kosovare. Një ekspert tha se vizitat në Rumani nga OJQ-të e Kosovës, bizneset e përfaqësuesit kulturorë mund të ndihmojnë në ndryshimin e perceptimit të Kosovës në vend dhe mundësisht të çojnë në njohjen. "Çdo lëvizje e lirë krijon ura të reja komunikimi e njohje të realitetit midis njerëzve," tha Curri. Artan Korenica, një fotograf kosovar hapi një ekspozitë të punëve të tij në Bukuresht këtë vit, titulluar "Mos më shih me përçmim." Ekspozita përfshinte 40 foto të komuniteteve rome, ashkali e egjiptiane nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi. Ekspozita është në shfaqje në Muzeun Kombëtar të Bukureshtit deri në shkurt. Korenica tha se gjeti mbështetje të madhe në Bukuresht duke nisur nga administratorët e Muzeut të Fshatarëve Rumunë, mediat dhe shtetasit rumunë. "Ishim shumë të mirëpritur. Kur hapëm ekspozitën, shprehëm gjithashtu dëshirën tonë që Rumania të njihte Kosovën dhe nuk pati reagime të këqija," tha ai. "Po ashtu, në disa tradita, fjalët e përbashkëta të gjuhës së tyre dhe tonës, mikpritja, na bënë të ndjeheshim si në shtëpi," shtoi Korenica. Për artistë si ai, është një lehtësim të kesh heqjen e vizave shtesë rumune. "Duhej të shkoje, të bëje kërkesë, të kesh një ftesë ... Liria e lëvizjes është e rëndësishme për cilindo aq më shumë për një artist dhe për komunikimin midis shteteve dhe popujve," tha Korenica. Çdo masë drejt njohjes do të inkurajojë vendet drejt njohjes, por kjo nuk pritet të ndodhë shpejt. Sipas ministrisë së jashtme rumune, heqja e vizave nuk do të thotë se njohja është pranë. "Mënyra sesi i përgjigjemi pavarësisë së njëanshme të Prishtinës mbetet e njëjtë. Por ky qëndrim nuk shkon kundra identifikimit të një modeli të veprimit nëpërmjet të cilit mund të kontribuojmë në zgjerimin e ndikimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor si të tërë", tha ministria. Ndihmës/Ministri i Jashtëm i Kosovës Petrit Selimi tha se njohja e pasaportës së Kosovës pritet shpejt nga vende të tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e vendit. Spanja, Greqia e Qiproja nuk i njohin pasaportat e Kosovës ndonëse 150 shtete, plus Kina e Brazili i konsiderojnë ato të vlefshme. Selimi tha se pret që pesë anëtarët e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovë si një shtet do ta bëjnë këtë shpejt si një rezultat i marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë.